Kuçi: Dialogut të 2018-ës nuk ia di emrin

Ish-presidenti i vendit Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Serbia edhe më tutje po tenton të manipulojë opinionin ndërkombëtarë, duke tentuar që ta paraqesë Kosovën si faktorë destabilizues në rajon.

Ish-presidenti Sejdiu këto deklarata i bëri në tryezën e organizuar nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën “E kaluara, e tashmja, dhe e ardhmja,  Dialogu Kosovë-Serbi”.

“Pretendimi i vazhdueshëm i Serbisë e që vazhdon edhe sot, është ta paraqesë Kosovës si faktor destabilizues në rajon, se do te ketë një hakmarrje kolektive ndaj komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera dhe faktor të tranzitit të islamit radikal”, tha Sejdiu.

Ish presidenti gjithashtu e përmendi edhe tre pikëshin e Grupit të Kontaktit, për çka tha se ky trepikësh e qartëson shumë mirë rrugën e Kosovës deri në pavarësinë e saj.

“Tre pikëshi i Grupit të Kontaktit e qartëson mjaftë mirë rrugën e Kosovës deri në momentin e pavarësisë së saj. Nuk ka kthim të Kosovës ne vitin 1999, nuk ka bashkëngjitje të Kosovës me ndonjë shtet tjetër dhe nuk ka ndryshim të kufijve. Në Grupin e Kontaktit kanë qenë edhe SHBA-të edhe shtetet më të fuqishme evropiane edhe Federata Ruse. Secili shembull i shteteve tjera si Bangladeshit, Sudanit apo të dy Gjermanive kanë qenë kategorikisht të refuzushme në bisedime. Unë mendoj se asnjë iniciativë që kapërcen mandatin e paraparë me  Kushtetutë nuk mund të ketë rezultat të mirë dhe çdo ekip që ka biseduar me Serbinë ka pasur mandat kushtetues’’,  përfundoi Fatmir Sejdiu.

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi se të gjithë e dinë që politikat e Serbisë kanë qenë se Kosova është djep i Serbisë dhe gjitha politikat serbe më shumë se një shekull e gjysmë, jo integrimin e qytetarëve shqiptarë, por kanë ndjek politika të gjenocidit.

“Sot ka tendenca që Kosova të japë më shumë se që ka dhënë në dokumentin e Ahtisarit. Nuk ka asnjë shtet, jo vetëm të Ballkanit dhe askund tjetër që një komunitet si ai serb që ka të drejta më shumë se sa në dokumentin e Ahtisarit dhe që janë përfshire edhe në Kushtetutën e Kosovës’’, deklaroi Krasniqi.

Hajredin Kuçi, ish zëvendëskryeministër në kohën e sh[palljes së pavarësisë, tha se para pavarësisë bisedimet dhe dialogu kanë pasur një emër dhe një qëllim, ndërsa sot nuk ja di emrin dialogut. Ai tha se në vitin 2005, kanë pasur dilema se a duhet të shkojmë në dialog apo jo, si nga pozita gjithashtu edhe nga opozita.

“Në ato kohë dialogu ka pasur emër dhe qëllim, ndërsa në vitin 2018 nuk ja di emrin. Dhe besoj se këtu duhet të definohemi si strukturë, jo vetëm politike por edhe shoqërisë civile dhe të tjerë. Ndërsa qëllimi i dialogut ka qenë që po shkojmë për ta fitu pavarësinë, tërësinë territoriale dhe sovranitetin. Ne duhet ta pranojmë që kahja e dialogut ka ndryshu. Unë mendoj që duhet të kemi unitet për interesa të përbashkëta nacionale dhe nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje që e prek strukturën e shtetit të Kosovës’’, përfundoi  Kuçi.

Në këtë tryezë u diskutua për të gjeturat nga studimi i këtij grupi dhe për mësimet që lidershipi i Kosovës duhet të marrë nga bisedimet e kaluara në dialogun me Serbinë.

Përparim Kryeziu nga GLPS, tregoi për të gjeturat e studimit duke theksuar si shembull rastet e disa shteteve që kanë shpallur pavarësinë e tyre dhe rrugën deri të konsolidimi i këtyre shteteve.

“Ky studim që do të publikohet gjatë javës së ardhshme, merr për bazë disa raste studimi në marrëdhënie ndërkombëtare të shteteve të cilat fillimisht kanë qenë të kontestuara dhe më pas kanë arritur të konsolidohen përfundimisht. Ka për bazë katër raste të studimit, përkatësisht Bangladeshin, Timorin Lindor, Eritrean dhe Sudanin Jugor. Këto shtete kanë shpallur pavarësinë e tyre në vitet gjegjëse, mirëpo ato fillimisht kanë qenë të kontestuara përderisa nuk kanë marre aprovimin e shteteve pararendëse”, tha Kryeziu.

Sipas tij, këto shtete paraqesin rastet e vetme të kontestuara të cilat përfundimisht kanë arritur të konsolidohen.

“Këto shtete kanë një të përbashkët, pasi kanë arritur të konsolidohen vetëm pasi shtetet pararendëse prej të cilave janë shkëputur kanë dhënë aprovimin. Dhe pikërisht këtu është sinjalizuesi të cilin në dëshirojmë të shpërfaqim pasi këto praktika ndërkombëtare tregojnë rrezikun nëpër të cilin Kosova mund të futet’’, tha Kryeziu.