ARKIV - Mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

KSHC mirëpret shkarkimin e UD Drejtores së Agjencisë së Akreditimit

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka mirëpritur vendimin e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e ushtrueses së detyrës së Drejtores së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Shyhrete Reqica.

Kështu u tha në mbledhjen e 57-të të KSHC-së ku ndër tjerash u diskutuan edhe programe studime për akreditim.

Të martën, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte marrë vendim për shkarkimin e Shyhrete Reqicës nga pozita e Ushtrueses së Detyrës në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Këtë vendim për KALLXO.com e konfirmoi këshilltari i ministrit, Valmir Gashi.

“Qëndron se ajo që është shkarkuar sot. Arsyeja është moskryerja e obligimeve në bazë të përgjegjësive të ngarkuara dhe efikasitetit të punës së AKA-së”, tha Gashi.

Po të njëjtën ditë, KALLXO.com kishte raportuar lidhur me pakënaqësitë e Këshilit Shtetëror të Cilësisë me UD Drejtoren, për të cilën kishin dërguar shkresë te Ministri i Arsimit.

Në këtë  shkresë Këshilli Shtetëror i Cilësisë i është drejtuar Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi me kërkesë për zëvendësimin e Reçicës nga kjo pozitë pasi sipas tyre “bashkëpunimi mes U.D. drejtoreshës së AKA-së dhe KSHC-së, në këto rrethana është i pamundur”.

Ndërkaq në njoftimin zyrtar thuhet se KSHC mirëpriti vendimin e Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për shkarkimin e U.D Drejtores së AKA-së znj. Shyhrete Reçica për shkak të tejkalimit të kompetencave të saj dhe presionit të vazhdueshëm në vendimmarrjen e anëtarëve të KSHC-së.

KSHC konsideron se ky vendim siguron funksionimin dhe pavarësinë e AKA-s, si dhe vendimmarrjen me llogaridhënie të KSHC.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Reqicës lidhur me shkarkimin e saj dhe deri më sot nuk ka përgjigje.

https://kallxo.com/shkarkohet-shyhrete-reqica-ud-drejtoreshe-e-agjencise-se-akreditimit/