Vonesa në fillimin e punimeve në Veternik

Deklarata

Ministria e Infrastrukturës: Projekti me vlerë mbi 2.5 milionë euro, do të fillojë në fund të muajit qershor.

Ministria e Infrastrukturës

Vleresimi

Rrenë

Ministria e Infrastrukturës nuk e ka mbajtur fjalën për fillimin e punimeve në rrugën e Veternikut. Këto punime nuk kanë filluar në fund të qershorit siç ishte paralajmëruar. Tani kjo ministri ka dhënë afat tjetër për fillimin e punimeve.

Artikulli

Punimet për zgjerimin e hyrjes dhe urës në Veternik të Prishtinës nuk kanë filluar në fund të muajit qershor ashtu siç kishte deklaruar Ministria e Infrastrukturës. 

Kjo ministri në një bisedë për KALLXO.com ka thënë së punimet do të fillojnë në javën e dytë të muajit korrik. 

“Të mërkurën (10 korrik) fillojnë punimet’, ka thënë shkurt Zyra për Informim në ministrinë e udhëhequr nga Pal Lekaj.

Ndërkaq, më 10 qershor, përmes një postimi në ‘Facebook’, MIT gjatë paralajmërimit së punimet do të fillojnë në fund të muajit qershor, e kishin vlerësuar si projekt ‘tejet i rëndësishëm’ për këtë zonë të mbingarkuar nga komunikacioni.

 “Projekti me vlerë mbi 2.5 milionë euro, do të fillojë në fund të muajit qershor dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, është e përkushtuar që të zhvillohet sipas planit dinamik të punimeve, duke evituar çfarëdo vonese në përfundim të punimeve me kohë”, thuhet në komunikatën e MIT-së.

Në anën tjetër, në muajin mars të këtij viti, ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte hapur konkurs më vlerën e parashikuar mbi 2.5 milionë euro.

Më 7 qershor është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës, në të cilën si fitues i kësaj kontrate është ‘Eskavatori Company Sh.P.K” nga Ferizaj e që 3 ditë më vonë është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kontratës.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2.504.150,82 euro.

Ky projekt është kritikuar për shkak të vonesave të shumta, si rrjedhojë zgjerimi i rrugës në hyrje të Prishtinës me tetë korsi ishte inauguruar me 18 prill të 2017-ës.

Në nëntor të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se Ministria dhe Komuna e Prishtinës, nuk e kanë ndonjë datë të saktë se kur do të finalizohet zgjerimi i rrugës. 

Në fund të qershorit pritet të fillojë zgjerimi i hyrjes së Veternikut

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).