array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Video që rrejshëm pretendohet se është ushtar i FSK-së

Deklarata

Ushtari i FSK-se me stemmen e UÇK-së në krahë, krenar me Forcat e Siguris se Kosovës

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Përshkrimi i videos  “Ushtari i FSK-se me stemmen e UÇK-së në krahë, krenar me Forcat e Siguris se Kosovës”- është i rremë. Në video shihet një person me uniformë taktike dhe me flamur të Kosovës e të Palestinës, mirëpo i njëjti nuk është ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Personi që shihet në fotografi nuk ka armë të vërtetë në dorë, por armë që përdoren në lojën Airsoft. Video është realizuar në Belgjikë. FSK-ja e ka mohuar se personi që shihet në fotografi është pjesëtar i tyre.

Artikulli

Më 02.09.2024 faqja në Facebook “Al-Press” ka publikuar një video në të cilën pretendohet se është një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Postimi mban përshkrimin “Ushtari i FSK-se me stemmen e UÇK-së në krahë, krenar me Forcat e Siguris se Kosovës”.

Krypometër e ka analizuar videon dhe uniformën e personit që shihet në fotografi. Personi e ka një uniformë taktike, në të cilën ka vendosur flamurin e Kosovës, të Palestinës dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e njëjta nuk është e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po ashtu personi që shihet në fotografi e ka një tatu në dorë.

Për të verifikuar këtë video, Krypometër fillimisht ka bërë kërkime të fotografisë në Google Lens, dhe ka arritur ta gjej të njëjtën video, me të njëjtin përshkrim të publikuar në një kanal në Youtube, Fortuna official.

Pas kësaj, Krypometër ka bërë kërkime në rrjetet sociale përmes fotografisë e përshkrimit dhe kështu ka arritur ta gjej videon origjinale që fillimisht ishte publikuar në rrjetin social TikTok më 25.08.2024, nga llogaria Callmermal

Krypometër i ka analizuar postimet e bëra nga ky profil në TikTok dhe rezulton se i njëjti bën postime të videove të ngjashme, por këto video janë pjesë e lojës Airsoft.

Krypometër ka arritur të marrë një përgjigje nga profili Callmermal që e ka publikuar fillimisht këtë video.

“Nuk jam pjesëtar i FSK-së dhe nuk kam qenë, as video nuk është bërë në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e Callmermal.

Në videon e postuar në Tiktok, profili Callmermal i ka vendosur disa hashtags (thurrje) të ndryshme, duke përfshirë “fakeguns” (armë të rreme). 

Airsoft është një sport unik ekipor që përfshin përdorimin e kopjeve të armëve të zjarrit. Airsoft është disi i ngjashëm me paintball, por, në të njëjtën kohë, ndryshon nga ai për nga municioni që përdoret. Airsoft përdor “BB plastike” ndërsa paintball përfshin qëllimin e kundërshtarëve me predha të mbushura me ngjyrë.

Krypometër ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë për të sqaruar nëse personazhi që shihet në video është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes, ka konfirmuar se personi që shihet në material nuk është pjesëtar i FSK-së.

“Mund t’ua konfirmoj se personi që shihet në video që po qarkullon në rrjete sociale, nuk është pjesëtar i FSK-së”- ka thënë Gashi për Krypometër.

Në anën tjetër, Krypometër ka analizuar videon e publikuar dhe personi që shihet aty ka një tatu në dorën e tij. Prandaj, pas kësaj, Krypometër e ka analizuar Rregulloren për Rekrutim në FSK dhe ka gjetur se  neni 4 i kësaj Rregullore i ndalon tatuazhet.

Sipas këtij neni, kandidatët të cilët bartin tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri të gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun (vathë të ndryshëm), në rast të përzgjedhjes janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht në afatin kohor deri në trajnimin bazik për ushtar/oficer specialist, apo deri në fillimin e shkollimit për kadet, në të kundërtën do të diskualifikohen.