
Video e rreme për shërim të kyçeve
Deklarata
Ju shqetësojnë kyçet tuaja? Zbuloni një mënyrë të thjeshtë për t’i mbajtur ata të shëndetshëm dhe të ndihen të lehtë! Ndiqni lidhjen dhe lexoni informacione që mund të përmirësojnë cilësinë e jetës suaj. Mbështetja për solidaritet është e disponueshme për të gjithë!
Vlerësimi
Rrenë
Janë të rreme pretendimet e bëra në një video të publikuar në Facebook se “Dhimbjet e kyçeve do të zhduken për tre ditë dhe përgjithmonë. Një intervistë të sinqertë me një reumatologe të njohur, zbuloni se çfarë hapash të thjesht, mund të ndërmerrni për të rifituar lirinë tuaj të lëvizjes”. Në video nuk është ofruar asnjë fakt apo intervistë me profesionistë që thonë se të gjitha llojet e sëmundjeve të nyjeve mund të shërohen duke përdorur një suplement. Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se sëmundjet e kyçeve nuk mund të shërohen me suplemente. Ai ka alarmuar se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve. Reumatologia, Arbnora Shabani Berisha thot se është esenciale që secili ilaç apo suplement të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin etj., pasi ka parë postime të rreme, të cilat u japin shpresa qytetarëve për shërim të sëmundjeve.
Artikulli
Më 02.01.2025, faqja në Facebook Violeet (arkiva) ka publikuar një video përmes së cilës pretendohet se ka recetën për shërimin e kyçeve.
“Ju shqetësojnë kyçet tuaja? Zbuloni një mënyrë të thjeshtë për t’i mbajtur ata të shëndetshëm dhe të ndihen të lehtë! Ndiqni lidhjen dhe lexoni informacione që mund të përmirësojnë cilësinë e jetës suaj. Mbështetja për solidaritet është e disponueshme për të gjithë!”- shkruan mbi këtë video.
Tutje thuhet se dhimbjet e kyçeve do të zhduken brenda 3 ditëve.
“Dhimbjet e kyçeve do të zhduken për tre ditë dhe përgjithmonë. Një intervistë të sinqertë me një reumatologe të njohur, zbuloni se çfarë hapash të thjeshtë mund të ndërmerrni për të rifituar lirinë tuaj të lëvizjes.”- thuhet në këtë video, por nuk tregon se cilët janë këta hapa për shërimin e kyçeve.
Kur klikon në këtë video, linku të dërgon tek uebfaqja qkt.goksner.com (arkiva), informacionet e së cilës nuk kanë të bëjnë fare me ato të faqes në Facebook Violeet (arkiva).
Për të kuptuar më shumë rreth trajtimit, shërimit të kyçeve, Krypometër ka kontaktuar ortopedë e reumatologë.
Ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra-artikulare, fizioterapisë e deri në intervenimin kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- tha Xani për Krypometër.
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje, pra çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat.”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka shpjeguar se secili ilaç që konsumohet ka efekte anësore, prandaj është e nevojshme që çdo profesionist shëndetësor të bëjë përshkrimin e tyre, në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet e tjera përcjellëse që mund të ketë ai.
Trajtimi i këtyre sëmundjeve, sipas tij, bazohet në tri fusha kryesore. Tutje ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave, si dhimbjes e inflamacionit. Në grupin e dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhjes së sëmundjes ose e ndal avancimin e saj. Kurse, në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
“Diagnostifikimi kalon në disa drejtime: analizat, serologjia, rezonanca, ultrazëri etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokoleve të cilat nuk i kemi shpikur ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës. Tash, disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze, e pastaj fizioterapi. E një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia.”- thot Kryeziu.
Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thot se është esenciale që secili ilaç apo suplement të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin, etj., pasi ka parë postime të rreme, të cilat u japin shpresa qytetarëve për shërim të sëmundjeve.
Shabani Berisha ka dhënë sqarime për këtë sëmundje, në një postim në profilin (arkiva) në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet, si dhe në prekje të organeve të trupit.