Video e manipuluar për Faton Hajrizin
Deklarata
Sapo na erdhi kjo video, Faton Hajrizi thotë se është gjallë. Ne nuk kemi arritur të verifikojmë gjë më shumê vetëm po e plasojmë si na ka ardhë
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Videoja e Faton Hajrizit e shpërndarë me mbishkrimin ‘Sapo na erdhi kjo video, Faton Hajrizi thotë se është gjallë. Ne nuk kemi arritur të verifikojmë gjë më shumê vetëm po e plasojmë si na ka ardhë”- është e manipuluar. Videoja reale është gjetur përmes analizimit të disa elemente në video, siç janë: mbulimi i pjesës së hundës, maska, prapavija që shihet mbrapa, forma e flokëve dhe ndriçimi. Videoja e rreme, e cila është publiku me 31.07.2024, në të vërtetë është shkëputur nga videoja origjinale e publikuar më 08.07.2024 dhe është ndryshuar e maskuar në atë mënyrë që të dukej si video e re. Videoja që është paraqitur se video e re dhe që e dëshmon se Faton Hajrizi është gjallë është xhiruar më 08.07.2024 kur Hajrizi ishte në arrati dhe ishte gjallë. Më 19.07.2024, autoritetet serbe kanë thënë se e kanë vrarë një person i cili dyshohet se është Faton Hajrizi.
Artikulli
Më 31.07.2024 faqja në Facebook ‘Gjilani’ (arkiva 1 dhe 2) e ka publikuar një video me mbishkrimin ‘Sapo na erdhi kjo video, Faton Hajrizi thotë se është gjallë. Ne nuk kemi arritur të verifikojmë gjë më shumê vetëm po e plasojmë si na ka ardhë”.
Në video pretendohet se është duke folur Faton Hajrizi, i cili thotë se ‘është gjallë’.
“Përshendetje shqipet e mija, ju kërkoj ndjesë për maskën se edhe që s’kam mujtë me u lajmëru më herët po deri jam drejtu. Shumë shpejt kam me hi edhe live edhe ua shpjegoj krejt këtë rrugëtim çka ka ndodh këto ditë, veç dine që Faton Hajrizi është mirë e gjallë e që ua prishi qefin do llaskucëve të mediave, shihemi shpejt”- thuhet në videon, në të cilën shihen vetëm balli dhe flokët e një personi.
Kjo video është shikuar rreth 2 milionë herë, prandaj Krypometër e ka analizuar atë për të parë nëse e njëjta është reale.
Fillimisht e kemi analizu videon dhe kemi veçuar disa elemente, siç janë: mbulimi i pjesës së hundës, maska, prapavija që shihet mbrapa, forma e flokëve dhe ndriçimi.
Përmes këtyre kemi arritur të gjejmë videon reale dhe të plotë që është e gjatë 15 minuta, e cila është publikuar (arkiva) më 08.07.2024.
Ne e kemi shiku nga afër në mënyrë që ta gjejmë pjesën e shkëputur për me e krahasuar me videon e manipuluar.
Me qenë se në video është shfaqur vetëm balli i personit që flet, ne kemi arritur me u fokusu në momentin kur personit i shfaqen vetullat dhe sytë, si dhe i kemi shikuar lëvizjet e kokës dhe kamerës.
Duke i analizu këto elemente kemi arritur të gjejmë pjesën nga videoja origjinale që është shkëputur për të prodhuar videon e rreme.
Për t`u siguru që videoja është e manipuluar, ne e kemi mbivendosur videon e manipuluar mbi videon origjinale. Pra, siç mund t`i shihni lëvizjet e vetullave, kokës dhe ndriçimi janë identike. Pra, videoja reale dhe ajo e manipuluara janë të sinkronizuara në tërësi.
Videoja e rreme, e cila është publikuar më 31.07.2024, në të vërtetë është shkëputur nga videoja origjinale e publikuar më 08.07.2024 është ndryshu dhe është maskuar në atë mënyrë që të duket ndryshe, pra si video e re.
Pra, videoja që është paraqitur se video e re dhe që e ‘dëshmon se Faton Hajrizi është gjallë’ është xhiruar më 08.07.2024 kur Hajrizi ishte në arrati dhe ishte gjallë.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024, apo një javë para se të publikohej videoja në TikTok.
Hajrizi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, më 06.07.2024. Hajrizi ishte paraqitur disa herë në lidhjet Live në TikTok, mirëpo nuk është ditur vendndodhja e tij.
Më 18.07.2024 autoritetet e Serbisë kishin njoftuar se është vrarë polici Nikolla Krsmanoviq, e një tjetër ishte plagosur dhe se në vendin e ngjarjes ishte gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.
Në të njëjtën ditë, Artan Hajrizi kishte dhënë disa intervista për mediat në Kosovë duke pretenduar se është në Gjermani dhe se nuk ka qenë në Serbi në momentin e vrasjes së policit.
Më 19.07.2024, autoritetet në Serbi kanë thënë se e kanë vrarë një person për të cilin dyshojnë se është Faton Hajrizi, i cili kërkohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri. Ky person është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Më 19.07.2024, mediumi serb, N1info ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili Hajrizi kishte kërkuar ujë. Sipas Daçiqit, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.
Ndërkaq, më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.
“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar sii vrarë, Faton Hajrizi”- thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona për të cilët dyshohet se e kishin ndihmuar Hajrizin të arratisej nga burgu.