Video e fabrikuar që paraqet rrejshëm një sulm ndaj Edi Ramës
Deklarata
Video në të cilën shihet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama teksa sulmohet derisa ishte duke e mbajtur një fjalim
Vlerësimi
Rrenë
Video në të cilën shihet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama teksa sulmohet derisa ishte duke e mbajtur një fjalim është e fabrikuar. Video është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, pasi në realitet Kryeministri Rama nuk ishte sulmuar gjatë fjalës se tij në një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Arben Xhaferit. Në videon e plotë të këtij aktiviteti, Rama nuk ishte sulmuar dhe policia nuk kishte ndërhyrë.
Artikulli
Më 26.12.2024, një profil në Facebook publikoi një video (arkiva & arkiva) në të cilën shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa sulmohet derisa ishte duke mbajtur një fjalim.
Kjo video ka marrë 1.1 milionë shikime, 2.800 reagime dhe mbi 400 komente.
Për të verifikuar këtë video, Krypometër fillimisht ka analizuar pamjet e paraqitura në këtë video dhe vërehet se fytyra e kryeministrit Rama deformohet gjatë lëvizjes së videos – një nga gabimet që bëhen gjatë realizimit të videove të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI).
Përveç kësaj, Krypometër ka gjetur se pamja e Edi Ramës në foltore është marrë nga një paraqitje e tij, më 10.12.2024, në natën përkujtimore në nder të mendimtarit dhe politikanit Arbën Xhaferi, i cili frymëzoi breza me vizionin e tij për një Shqipëri të vetëdijshme dhe institucionale.
Pjesëmarrjen e Edi Ramës në këtë event e kishte publikuar edhe faqja zyrtare e Qeverisë së Shiqpërisë dhe profili i Ramës në Facebook. Në videon e plotë nga kjo ngjarje nuk shihet asnjë sulm ndaj Ramës dhe nuk kishte as intervenim të Policisë.
“Kryeministri Edi Rama mori pjesë sonte në një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Arben Xhaferit, vizionarit dhe politikanit të shquar shqiptar. I organizuar nga të rinjtë e Fondacionit që mban emrin e tij, ky tubim mblodhi përfaqësues politikë nga të gjitha trojet shqiptare.” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Rama gjatë pjesëmarrjes në këtë Akademi përkujtimore në fjalimin e tij nga foltorja ishte shprehur se është i lumtur që dëshira e të rinjve dhe të rejave të Fondacionit “Arben Xhaferi” është bërë realitet.
“Ata ishin të etur për të organizuar këtë aktivitet, i cili, nga sa di unë, fillon sonte me këtë mbrëmje përkujtimore dhe më pas vazhdon me disa faza të tjera.” – kishte thënë Rama.
Krypometër, po ashtu, ka kontrolluar edhe lajmet e publikuara më 10.12.2024, nëse ka pasur raportim për sulm të tillë ndaj Kryeministrit të Shqipërisë dhe nuk është gjetur diçka e kësaj natyre.