Video e fabrikuar e Ramush Haradinajt
Deklarata
O Albin o djali jonë Vetëvendosja qysh po të shkon
Vlerësimi
Rrenë
Është e fabrikuar video në të cilën shihet kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj duke kënduar “O Albin o djali jonë Vetëvendosja qysh po të shkon”. Kjo video është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale duke përdorë një fotografi të kryetarit të AAK-së dhe kandidatit për Kryeministër, Ramush Haradinaj, të realizuar pas votimit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Haradinaj është kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit të udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Artikulli
Më 28.12.2024, një faqe në Facebook (arkiva & arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Faqja pretendon se Haradinaj thot “O Albin o djali jonë Vetëvendosja qysh po të shkon”.
Për të verifikuar këtë video, Krypometër ka analizuar materialin në fjalë dhe ka vërejtur se zëri është shkëputur nga një video me përmbajtje satirike nga grupi humoristik Stupcat, me emër “Stupcat – Gëzuar Pavarësia 2006”.
Krypometër ka kontrolluar vërtetësinë e videos duke gjetur se është përdorë një fotografi e Ramush Haradinaj e publikuar fillimisht në BBC në autorsinë e Reuters, e cila pas përdorimit të AI (Inteligjencës Artificiale) është kthyer në video material.
Sipas të dhënave në internet, kjo fotografi është shkrepur më 11.06.2017, derisa Haradinaj ishte duke votuar në Zgjedhjet parlamentare të mbajtura atë ditë në Kosovë.
Krypometër, po ashtu, ka gjetur një fotografi tjetër të ngjashme në profilin e tij zyrtar në rrjetin e tij social “X”, të publikuar më 11.06.2024.
Krypometër ka kontrolluar edhe kronika të publikuara në media.
Në kronikën e Radio Televizionit të Kosovës, të publikuar më 11.06.2017, shihet Haradinaj duke votuar, por nuk dëgjohet duke deklaruar atë që pretendohet në videon e montuar.
Ndërsa në videon e publikuar në Indeksonline, jashtë qendrës së votimit Haradinaj ka deklaruar “Sapo votova, unë edhe Anita. I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë. Vota juaj ka rëndësi, ky votim i sotëm e ka peshën katër vite”.
Kjo deklaratë që i mvishet Haradinajt është publikuar pak ditë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet parlamentare, që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Ramush Haradinaj është kandidat për kryeministër të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Si kandidat për kryemintër, Haradinaj ka dhënë disa premtime për raportet me aleatët e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve e rritjen e pagave. Ai tha se në qeverisjen e tij nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30 kanë lidhur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.