Vështirësia në ngjitje në shkallë nuk tregon vetëm problemet me zemër
Deklarata
Disa nga testet qe mund te beni ne shtepi per te kuptuar nese keni apo jo probleme me zemren
Vlerësimi
Me kos
Në artikullin me titull “Disa nga testet qe mund te beni ne shtepi per te kuptuar nese keni apo jo probleme me zemren”- janë dhënë përfundime të pasakta. Në këtë artikull nuk është treguar kardiologu që ka dhënë një konstatim të tillë dhe as nuk është mbështetur me fakte shkencore konstatimi i bërë në titull se problemet që kanë vështirësi për t`u ngjitur shkallëve kanë problem me zemër. Kardiokirurgu Fisnik Hima thotë se “nëse dikush e ka të vështirë për të ngjitur shkallët atëherë mund të jetë një tregues për probleme me zemer por gjithashtu mund të jetë edhe mungesë kondicioni, andaj varet prej shumë faktorëve”.
Artikulli
Më 12.07.2024 faqja në Facebook ‘Gazeta Diaspora’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Disa nga testet qe mund te beni ne shtepi per te kuptuar nese keni apo jo probleme me zemren”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në faqen e internetit ‘gazetadiaspores.com’ (arkiva), me të njëjtin titull.
Në këtë artikull pretendohet se të gjithë njerëzit mund të kontrollojnë shëndetin e zemrës me anë të ngjitjes së shkallëve.
“Ju mund ta kontrolloni vetë shëndetin tuaj të zemrës me anë të një truku të thjeshtë që mund ta bëni në shtëpi. Ajo që duhet të bëni është një test teksa ngjisni shkallët. Njerëzit nën moshën 40 vjeç duhet të jenë në gjendje të ngjiten tre kate pa asnjë problem, sipas kardiologëve. Megjithatë, nëse mendoni se duhet të ndaloni, nëse po gulçoni shumë dhe e kuptoni se ju merr fryma teksa po ngjisni shkallët, është koha të kujdeseni për shëndetin tuaj”- thuhet në këtë tekst.
Në tekst nuk tregohet emri i kardilogut që e ka thënë një gjë të tillë, por as nuk konstatohet e njëjta gjë sikurse në titull.
Krypometër ka folur me kardiokirurgun Fisnik Hima për të verifikuar nëse ngjitja e shkallëve mjafton për të ditur që dikush ka problem me zemër.
Hima ka thënë se ka shumë persona që kanë problem ngjitjen në shkallë, por që mund të jetë tregues i problemeve tjera duke përfshirë edhe kondicionin.
“Në mjekësi 2 plus 2 nuk bëjnë 4, andaj edhe nëse dikush e ka të vështirë për të ngjitur shkallët atëherë mund të jetë një tregues për probleme me zemer por gjithashtu mund të jetë edhe mungesë kondicioni, andaj varet prej shumë faktorëve”- ka thënë Hima për Krypometër.
Ndërsa kardiokirurgu, njëherësh edhe drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi i ka thënë Krypometrit se kjo, ngjitja e shkallëve, s’mund të jetë indikator për probleme me zemër.
Ai tha se nëse dikush lodhet përderisa ngjet shkallët, mund të jetë edhe për shkak të moshës, mungesë e kondicionit apo edhe nga lodhja.
“Problemet që mund të vërehet tek njerëzit me probleme me zemër mund të jenë lodhja, frymëzënja gjatë ecjes në distanca pak më të gjata, ënjtja e këmbëve, këto janë bazike por edhe dhimbje të gjoksit gjatë aktivitetit fizik. Nëse prej këtyre simptomave mund të ketë dyshime rekomandohet të bëhet një kontrollë tek mjeku familjar edhe tek kardiologu sipas nevojës me ç`rast nga mjekët kërkohet ekzaminim shtesë të nevojshme siç janë EKG, Ultrazëri i zemrës, Hollter EKG, Ergometria apo edhe sipas indikacionit edhe koronarografia. Mirëpo ngjitja e shkallëve mund të jetë njëra prej treguseve por mund të jenë edhe probleme me mushkri, mungesë kondicioni, apo edhe probleme me organe të tjera, psh mëlçia”- tha Shurdhiqi.