array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Ilustrim, Foto: Pixabay

Udhërrëfyesi për energjinë, 106 ditë pa zbatim të tij

Deklarata

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji:

  1. ZRRE do t’ia lëshojë licencën e furnizimit Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
  2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së…

Udhërrëfyesin me të gjitha pikat i gjeni KËTU.

Kalendari për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

Kalendari për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është 100-ditor. Por edhe pse kanë kaluar 106 ditë që nga nënshkrimi i saj më 21 qershor në Bruksel, ende vetëm një pikë e këtij kalendari është zbatuar nga palët. KRYPOMETRI do të monitorojë se çfarë do të ndodh me udhërrëfyesin në ditët dhe muajt në vazhdim dhe nëse do të implementohen pikat e dakorduara në këtë udhërrëfyes.

Artikulli

Kanë kaluar 106 ditë që nga dakordimi për Udhërrëfyesin për energjinë, i cili do të shërbente si kalendar 100-ditor për zbatimin e marrëveshjes për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, me vetëm një pikë të zbatuar nga nëntë sa janë gjithsej.  

Pika e vetme e zbatuar deri më tani, edhe pse tashmë kanë kaluar 100 ditë, është ajo për dhënien e licencës së operimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për kompaninë ‘Elektrosever’.

Mirëpo kjo licencë pritet të shqyrtohet nga ZRRE në 10 ditët në vijim, pasi që pikën 8-të të udhërrëfyesit parashihet që “ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën për furnizim dhënë Elektroseverit, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”.

KALLXO.com ka kontaktuar kryesuesin e bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili ka konfirmuar se janë duke shqyrtuar mundësinë për revokim të licencës për ‘Elektrosever’.

“Ne jemi në kuadër të 15-ditëshit të konsultimeve dhe siç e parasheh edhe afati, bordi i ZRrE-së do ta marrë një vendim. Me qenë se bordi nuk ka marrë vendim mundem me konfirmu që bordi do ta shqyrtojë brenda kësaj periudhe” – ka thënë ai.

“Dështimin” e udhërrëfyesit e ka pranuar edhe zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi.

“Deri më tani ka pasur lëvizje vetëm në obligimet që i ka marrë ZRRE, por pikat e tjera nuk janë përmbushur. Ne i kemi dërguar një letër BE-së se ka kaluar afati dhe tani mund të rrjedhë afati shtesë dhe kjo nënkupton që mund të ketë edhe pasoja për licencën” – tha ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.

“Ajo që ne dimë është se ka mospërmbushje të obligimeve nga Elektroseveri dhe ka edhe hezitime nga ana e KEDS-it, kështu që të gjitha këto do të qartësohen brenda dhjetë ditëve të ardhshme” – ka shtuar ai.

Ndonëse kanë kaluar 106 me vetëm një pikë të zbatuar, Bashkimi Evropian edhe një herë ka thënë se vonesat për zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndodhur për shkak të aspekteve teknike, por pa dhënë detaje se cilat janë ato.

“Vonesat në zbatimin e Udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë. BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura” – ka thënë për KALLXO.com, Peter Stano, Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Stano po ashtu ka theksuar se BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve në Udhërrëfyesin e energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut.

“KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt. Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA. BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve; nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të energjisë dhe Udhërrëfyesit i takon palëve” – ka thënë ai.

Pika e dytë e këtij udhërrëfyesi sipas të cilës kompania ‘Elektrosever’ do të duhej t’ia jepte Operatorit e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), të dhënat për konsumatorët në veri, po ashtu nuk është zbatuar.

Zana Bajrami-Rama, menaxhere e Zyrës për Komunikim në KOSTT për KALLXO.com ka konfirmuar se ende nuk i kanë të dhënat për konsumatorët në veri.

“Kompania Elektrosever deri më tani ende nuk i ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike në veri të vendit siç parashihet me Udhërrëfyesin përzbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë” – ka thënë ajo.

ZRRE e ka lëshuar licencën më 24 qershor, e brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës, sipas udhërrëfyesit, “Elektroseveri” do të duhej të nënshkruante teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është paraparë në pikën 3 të udhërrëfyesit 100-ditor, i cili do të shërbejë për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar që nga viti 2013.

KALLXO.com ka siguruar marrëveshjen për aderim në rregullat e tregut si dhe marrëveshjen mbi detyrimet e balancimit, mirëpo në të dy këto marrëveshje kompania në fjalë ka larguar mbishkrimin ‘Republic of Kosovo’ duke paraqitur Kosovën me fusnotë – Kosovo*.

Sabri Musiqi, u.d. drejtor i KOSTT-it, në një intervistë në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se ‘Elektrosever’, i janë drejtuar edhe njëherë ‘Elektroseverit’, mirëpo të njëjtit kanë thënë që kjo është punë e kryer.

“Ata e kanë nënshkruar pjesën e tyre, dhe kanë thënë që për ta kjo është punë e kryer sepse është në përputhje me marrëveshjet politike. Sipas vlerësimit të legalistëve jemi informuar se ajo çka ata kanë pretenduar nuk vlejnë në rastin konkret sepse ‘Elektrosever’ tani është kompani e regjistruar në Kosovë e cila i nënshtrohet ligjeve të Kosovës” – theksoi Musiqi.

Peng e mosbatimit të pikave 2 dhe 3 kanë mbetur edhe pikat nga 4-7 sepse të gjitha këto pika kanë afate ditore të zbatimit të tyre, të cilat nuk mund të bëhen për shkak të ngecjes.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Muaj më parë, Qeveria e Kosovës ndau edhe 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.

Shënim: Më 07.10.2022, në ora 10:25, është shtuar përgjigja e BE-së në lidhje me Udhërrëfyesin për energji.