array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Flamuj të Serbisë në Mitrovicën e Veriut - Foto: REL/Reuters

‘Toka e askujt’, dora e shtetit nuk mbërrin në veri të Kosovës

Deklarata

Kushtetuta: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës… mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.

 

Kushtetuta e Republikës se Kosovës

Vlerësimi

Rrenë

Në kohë kur qeveria kishte vendosur taksën doganore ndaj mallrave serbe, emisioni Drejtësia në Kosovë kishte gjetur se nëpër dyqane të katër komunave veriore kishte mallra të prodhuara pas datës së vendosjes së taksës prej 100%. KALLXO.com ka gjetur se në katër komunat me shumicë serbe shumë ligje shkelen. Shkollat përdorin libra dhe korikula të Serbisë. Ambulantat  dhe Spitali nuk furnizohet me produkte mjekësore. Bizneset nuk regjistrohen, e ato që regjistrohen nuk kanë arka fiskale. Atje madje funksionojnë edhe tri pika të shitjes së karburanteve “Nis Petrol”, në kundërshtim me vendimin e qeverisë për vendosjen embargos ndaj Rusisë dhe kompanive ruse. Qytetarët e asaj ane tash e 20 vjet nuk kanë paguar energjinë elektrike që e kanë shpenzuar tek ndërmarrjet që funksionojnë në bazë të ligjit, KEK-u dhe KEDS-i. Por, në këtë pjesë është bërë përparim krahasuar me vite më parë sa i përket funksionimit të Policisë së Kosovës dhe Gjykatës e Prokurorisë.

Artikulli

Nga: Doruntina Baliu, Dorentina Kastrati, Paulina Nushi, Bahrie Sadiku, Rrahman Rama

Duke vozitur një veturë në tabelat e të cilës nuk shkruhet RKS, një qytetar i njërës nga katër komunat veriore të Kosovës mund t’i dërgojë fëmijët në një shkollë që funksionon me planprogram serb.

Rrugës së kthimit ky qytetar nuk ka nevojë të ndalet për të bërë pagesën e energjisë elektrike apo tatimit në pronë.

Por gjithsesi, veturën mund ta furnizojë me gaz në një nga pompat ‘Nis Petrol’ që është në pronësi të një kompanie ruse, operimi i së cilës është i ndaluar në Kosovë.

Qytetari më pas kthehet në ndërtesën ku jeton për të cilën nuk i është dashur të marrë apo të paguajë leje ndërtimi.

Nëse ky qytetar përfundon studimet në Universitetin e Mitrovicës që nuk përfill standardet e akreditimit të Kosovës, ai duhet ta verifikojë këtë diplomë dhe mund të aplikojë për punësim kudo në Kosovë.

Në zyrat e komunës së Mitrovicës së Veriut, Zveqanit, Zubin Potokut apo Leposaviqit nuk ka kryetarë, por procedohen paga për këto pozita.

Katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe funksionojnë në mënyrë të veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveqanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit gëzojnë thuajse të gjitha benefitet shtetërore por nuk paguajnë taksa, tatime në pronë apo energji elektrike.

Arsimi, Shëndetësia, Tregtia janë vetëm disa nga fushat për të cilat këto komuna shpërfillin ligjet e Kosovës.

Përpjekjet e Republikës së Kosovës për të futur nën kontroll këtë pjesë nuk kanë qenë të suksesshme, në të gjitha fushat. Integrimi i sistemit gjyqësor dhe policisë së shtrirë në atë pjesë mund të jetë një prej fushave të suksesshme.

Të qenurit në mes të luftës politike në mes të Serbisë dhe Kosovës, këto komuna kanë mbetur në një zonë neutral, me premtime për zhvillim nga të dy shtetet.

Numri i bizneseve të regjistruara në veri

Numri i bizneseve të regjistruara në ARBK në katër komuna e veriut të Kosovës, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan është 3,446.

Ndërsa sa i përket pikave të shitjeve të karburanteve që operojnë në pjesën veriore, Vedat Maçastena, administrator i databazës në ARBK ka thënë se janë të regjistruara 19 biznese.

Kallxo.com ka pyetur MTI-në edhe për bizneset dhe pikat e shitjes së karburanteve që operojnë ilegalisht në pjesën veriore të Kosovës. Por në përgjigjen e Maçastenës thuhet se ARBK ka informata vetëm për bizneset që regjistrohen vullnetarisht.

“Nëse ndonjë biznes operon i pa regjistruar, kjo nuk është përgjegjësi e ARBK-së”, ka thënë ai.

Në fund të vitit 2016, Kallxo.com kishte shkruar për operimin e kompanisë “Nis Petrol” në veri të Kosovës e cila përbënte shkelje të embargos së Kosovës ndaj Federatës Ruse. ‘Nis Petrol’ është në pronësi të kompanisë ruse ‘Gazprom Neft’, e cila është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse me 17 shtator 2014. Në vendimin e qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë apo u janë bllokuar asetet. Në mesin e kompanive ndaj të cilave janë vendosur sanksionet është edhe kompania “Gazprom Neft”.

Kompania ruse “Gazprom Neft”, që është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë, ka një rrjet të madh të pikave të shitjes së karburanteve në Serbi.

“Nis Petrol”, gjatë muajit dhjetor të vitit 2016, ka inauguruar edhe tri pika të shitjes së karburanteve në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveqanit. Hapja e tyre ka shkaktuar reagime të Qeverisë së Kosovës, të cilët kishin kërkuar ndihmën e Brukselit për mbylljen e tyre në pamundësi për të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian për të parandaluar veprimtarinë e kompanisë serbe të naftës, “Nis Petrol”.

Shefi i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në përurimin e pikave të karburantit në veri më 15 dhjetor 2016. Foto: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin.  Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, citohet ministrja Tahiri, në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Dialogut.

1 për qind e bizneseve në veri të Kosovës janë të fiskalizuara

Qytetarët e komunave të veriut nuk e paguajnë tatimin në pronë, gjithashtu ata mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë të paguajnë për leje ndërtimore, pasi krerët e këtyre komunave ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Mos-zbatimin e këtyre ligjeve nga ana e këtyre komunave e ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit me rastin e auditimit të raporteve financiare për vitin 2016. Kjo e gjetur ishte prezente te komuna e Mitrovicës së Veriut, ajo e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Në raportin e Auditorit thuhet se këto komuna kanë realizuar vetëm 50 mijë e 550 euro të hyra vetjake të realizuara vitin e kaluar, ndërsa së bashku kanë një buxhet prej 11 milionë euro. Mitrovica e Veriut kishte të hyra prej 44,055 euro, Zubin Potok kishte vetëm 2,495 euro, Leposaviq kishte 2,078 euro dhe të hyrat e Komunës së Zveçanit ishin vetëm 1,972 euro. (Këto të hyra janë pa gjobat e gjykatave dhe policisë).

Këto të hyra, komunat i realizuan nga taksat administrative dhe taksat për çertifikatat e lindjes, të kurorëzimeve dhe të vdekjeve përderisa nuk përfillën fare Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Lejet e Ndërtimit duke mos vjelë të hyra nga këto fusha. Madje Komuna e Mitrovicës Veriore dhe ajo e Leposaviqit arkëtojnë të hyra me rregullore të UNMIK-ut e cili nuk parasheh mbledhjen e të hyrave.

Shmangia e komunave veriore nga zbatimi i Ligjit të Tatimit në Pronë dhe Lejet e ndërtimit auditori i përgjithshëm e konsideron si qasje injoruese dhe jo serioze të menaxhmenteve të komunave veriore për të përfituar nga shërbimet e tyre, për rritjen e të hyrave edhe të sigurisë dhe mirëqenies shoqërore. Kjo sipas auditorit rritë rrezikun për mospajtueshmëri të ligjeve të aplikueshme, redukton të hyrat vetjake dhe financimin e projekteve nga ky burim.

Injorimi i ligjeve të Kosovës nga këto komuna ka vazhduar edhe në vitin pasues.

Në komunat veriore janë evidentuar 1 mijë e 657 biznese të regjistruara  në ATK. Sipas ATK-së, prej tyre vetëm 896 janë biznese aktive, pasi 752 tjera janë biznese pasive dhe 9 të tjera janë mbyllur.

Sipas të dhënave të ATK-së, i bie që rreth 48.2 për qind e numrit të përgjithshëm të bizneseve janë evidentuar në Mitrovicën Veriore, 24.8 për qind në Leposaviq, Zubin Potok 16.1 për qind dhe Zveçan 10.9 për qind.

Në anën tjetër, vetëm 20 biznese janë të fiskalizuar me gjithsej 28 pajisje fiskale. Në Mitrovicën Veriore 15 biznese, 3 biznese në Zubin Potok, 2 biznese në Zveçan dhe asnjë në Leposaviq.

Komunat veriore paguajnë rreth 8.08 milionë euro tatime, komuna e Mitrovicës Veriore paguan rreth 3.5 milionë euro, pastaj renditet komuna e Zveçanit 2.01 milionë dhe komunat Leposaviq dhe Zubin Potok me nga në mes 1.02 e 1.5 milionë euro.

ATK tregon se janë lëshuar 94 gjoba ku vlera e përgjithshme e gjobave është 63 mijë e 649.9 euro.

Shëndetësia ‘e amputuar’ 

 Komunat nga veriu i Kosovës nuk  furnizohen me barna nga Lista e barnave Esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë për shkak se të njëjtat nuk bëjnë kërkesë.

“Nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk paguhen mjekët në asnjë komunë të Kosovës, që menaxhohet nga serbët”,  konfirmon MSh.

Me Planin e  Ahtisaarit, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë sekondare, pra ka të drejtë të organizojë shërbimet shëndetësore në nivel të Spitalit të Përgjithshëm, rrjedhimisht nuk janë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë thotë se  ka ndihmuar tre komunat në veri në ndërtimin e qendrave mjekësore dhe disa projekte tjera në vlerë prej 1 milionë eurove, dhe inkuadrimin në sistem të 22 nëpunësve nga nacionaliteti serb.

“Sa i përket furnizimit, nga MSH-ja me barna të Listës së Barnave Esenciale furnizohen rregullisht të gjitha komunat, përveç atyre të cilat nuk bëjnë kërkesa për furnizime. Edhe komunat me shumicë serbe si Graçanica, Ranilluku, Parteshi, Drejkoci (në Shtërpcë) furnizohen rregullisht. Po të kishte kërkesa për furnizime nga veriu, do të furnizoheshin edhe ato komuna. Funksionimi i QKMF-ve është në kompetencë të komunave dhe për funksionimin e mirë të tyre janë përgjegjës Drejtoritë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”, thotë MSh.

Kjo storje nga Klan Kosova e vitit 2017 tregon se drejtori i spitalit të Mitrovicës Veriore tha se nuk mundet të pranojë në vizitë Kryeministrin e Kosovës.

Drejtori i spitalit Milan Ivanoviq pati thënë se “Është mision i pamundur në këtë moment për shkak se ne jemi me Sistemin e Serbisë dhe një vizitë e tillë do të rriste tensionet te mjekët dhe pacientët”, njofton Klan Kosova.

Drejtori i këtij spitali në vitin 2017  është deklaruar se nga Beogradi i marrin pagat dhe funksionojnë me sistemin e shëndetësisë serbe, gjithashtu ai thotë se barnat e materialet shpenzuese vijnë nga Serbia.

Në këtë institucion punojnë rreth 1 mijë persona, të gjithë serbë.

Në pranverën e viti 2016 spitalin në veri të Mitrovicës e kishte vizituar kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandër Vuqiq.

Arsimi në veri jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare

Komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe nuk e përfillin legjislacionin kosovar as sa i përket rregullimit të arsimit.

Nxënësit atje vijojnë shkollat që funksionojnë me planprograme të Serbisë.

Këto shkolla funksionojnë tërësisht të pavarura dhe nuk i raportojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Këtë fakt e ka konfirmuar edhe vetë kjo ministri, duke ‘u dorëzuar’ para refuzimit të këtyre komunave për raportin në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim(SMIA)

“Arsimi parauniversitar në veri funksionon me planprograme të Serbisë dhe në gjuhën serbe. Gjithashtu, pavarësisht kërkesave për raportim këta nuk raportojnë në SMIA-MAShT”, tha Valmir Gashi, Këshilltar i Ministrit.

Arsimi i Lartë

Ngjashëm me arsimin parauniversitar, edhe universiteti i vetëm në Mitrovicën Veriore funksionon në mënyrë paralele.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut që funksionon paralel me Universitetin e Prishtinës dhe e prezanton historinë e njëjtë të formimit me UP-në.

Sipas MAShT-it “Praktika e arsimimit paralel në Kosovë daton që nga periudha e pasluftës në Kosovë (1999) dhe vendosjes së administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), rrjeti arsimor në gjuhën serbe është reduktuar në statusin e rrjetit paralel, jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, dhe përkrahet nga Serbia”.

Kjo ministri sqaron se UMV vazhdon të veprojë brenda kornizës ligjore të Republikës së Serbisë, me emrin ‘Universiteti i Prishtinës i vendosur përkohësisht në Mitrovicën e Kosovës’.

Ndër të tjera, MASHT konfirmon se duke filluar nga maji i vitit 2009, Universiteti i Mitrovicës Veriore është akredituar plotësisht nga Komisioni për Akreditim dhe Sigurim të Kualitetit i Republikës së Serbisë.

Megjithatë, njohja e diplomave të këtij universiteti bëhet nga institucionet kosovare të cilat bëjnë edhe verifikimin e tyre për qëllim të punësimit në Kosovë.

“Po ashtu, edhe sa i përket arsimit të lartë, ata nuk punojnë konform legjislacionit tonë që kanë të bëjnë me arsimin e lartë. Por, njohja e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës Veriore bëhet përmes komisionit që përbëhet nga përfaqësues të Qeverisë dhe MAShT-it”.

Humbjet milionëshe nga energjia në veri

Që viti 2009 e deri në vitin 2018 në pjesën veriore të vendit janë shpenzuar 2,399.94 gigavat për orë ose 2.4 miliardë kilovat për orë energji elektrike. Për shkak se sipas strukturës tarifore kanë qenë disa çmime për kilovat për orë, dhe njehsorët nuk janë lexuar në atë pjesë, vlera monetare e saktë nuk dihet por mund të llogaritet përafërsisht duke u bazuar në çmimin mesatar të energjisë elektrike që ka qenë në secilin vit.

Operatori i Distribucionit dhe Furnizimit, KEDS dhe KESCO nuk kanë qasje në këtë pjesë të vendit.

“Pengesë ka qenë mungesa e sigurisë për stafin e kompanive që të shkojnë dhe të lexojnë orët e konsumatorëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike.

Sipas informatave që ka ZRrE , në veri të vendit operon një operator i cili nuk është i licencuar. ZRrE ka pasur informata se janë lëshuar fatura nga kjo kompani, por në lidhje me inkasimin nuk ka ndonjë të dhënë.

Po ashtu, ZRrE ka thënë se pasi që nuk lexohen orët e konsumatorëve, nuk mund të dihet se a ka vjedhje apo energjia lexohet nga njehsorët.

“Nuk mund të themi se energjia vjedhjet përderisa operatorët nuk kanë qasje që të lexojnë njehsorët e konsumatorëve dhe nuk dihet se a po paguajnë për këtë energji konsumatorët tek ndonjë subjekt ilegal”, potencohet në përgjigjen e ZRrE-së.

Nga përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës, përkatësisht konsumatorët e komunave Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveqan, nuk i kanë paguar faturat e energjisë së shpenzuar dhe se këto borxhe u janë faturuar qytetarëve nga pjesët e tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës.

Në prill të vitit 2017, Zyra e Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare kishte iniciuar hetimet lidhur me faturimin e paligjshëm të energjisë elektrike të shpenzuar në veri qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës.

Avokati i Popullit kishte gjetur se rreth 5.24 për qind e kërkesës për energji, apo rreth 8 milionë euro ishin shpenzuar nga komunat në veri të Kosovës kryesisht të banuara me shumicë serbe, ndërsa shpenzimet e kësaj energjie i ishin faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës.

Në shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRrE-së sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të pjesëve të tjera të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka gjetur se vazhdimi i ekzekutimit të vendimit të Bordit të ZRrE-së do të shkaktonte një dëm që do të ishte i pariparueshëm, andaj duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Konflikt Administrativ ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi.

Në muajin nëntor, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë. Gjykata kishte vendosur për pezullim të vendimit të ZRrE-së të datës 6 shkurt të vitit 2012, me të cilin përcaktohet niveli i reduktimit të humbjeve në shpërndarje.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, në muajin mars të vitit 2018, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë ndarë 1 milion euro për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike për katër komunat veriore serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij para kabinetit qeveritar tha se KOSTT rrezikon të përjashtohet nga organizatat evropiane.

“Jemi në pritje të përmbylljes së marrëveshjes për konektivitetin edhe për regjistrimin e operatoreve në veri edhe për fillimin e pagesave të qytetarëve në veri, mirëpo kanë ndodhur devijime të shumta, pra mungesa në rrjet edhe KOSTT-i është i rrezikuar me përjashtim. Në mënyrë ta sanojmë një proces të tillë jemi të detyruar të ndërhyjmë, është një vendim i përkohshëm por si i tillë e ruan funksionalitetin tonë të rrjetit tonë dhe na mundëson të mbetemi në tavolinë për të fituar të drejtën tonë si operator në rrjetin e operatorëve në transmisionit në Evropë”, tha Haradinaj.

Funksionimi i Drejtësisë në veri

Gjykata Themelore e Mitrovicës funksionon me degët e saj në Vushtrri, Skenderaj, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Po ashtu në veri gjendet edhe divizioni i gjykatës se shkallës së dytë asaj të Apelit.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ( pa përfshirë degët e saj ) është e ndarë në veri dhe në jug të qytetit.

Në Mitrovicën e Jugut, përkatësisht në objektin e ish ‘Jugobankës’ gjendet Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, divizioni i Kundërvajtjes dhe ai për të Mitur, ndërsa në Mitrovicën e Veriut të qytetit trajtohen lëndët në Departamentin për Krime të Rënda.

Gjykata në Mitrovicë ne e Veriut nuk ka një emër të vendosur siç i kanë Gjykatat tjera Themelore në Republikën e Kosovës.

Ndërsa në objektin i cili gjendet në jug, disa muaj pas zhvendosjes në këtë objekt të njejtit i është vendosur emri.

Vazhdon greva në Gjykatën e Mitrovicës. Foto: Kallxo.com

Sipas Raportit të Progresit për vitin 2017 “në përputhje me marrëveshjen e drejtësisë në mes të Beogradit dhe Prishtinës për vitin 2015, Presidenti emëroi 40 gjykatës serbë, 13 prokurorë dhe stafin mbështetës të tyre me dekret në tetor 2017. Ata filluan të punojnë pak pas kësaj. Prokurorët u caktuan në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, si dhe në ndarjen e Gjykatës së Apelit”.

Sipas këtij raporti “Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës dhe stafit mbështetës të tyre nëpër Kosovë në sistemin gjyqësor të Kosovës ishte një arritje e madhe e vitit 2017”

Prokuroria

Prokuroria Themelore në Mitrovicë funksionon me Departamentin e Përgjithshëm, Departamentin për të Mitur dhe Departamenti për Krime të Rënda.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë përfshin territorin e Mitrovicës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Objekti i Prokurorisë gjendet në Lagjen e Boshnjakve në Mitrovicë.