array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

“Të vërtetat” e LVV-së për emërimet politike nëpër bordet e ndërmarrjeve publike 

Deklarata

“Çka ka çka s’ka këto 2 vite?: “Nuk ka më emërime partiake e familjare në borde të ndërmarrjeve publike”

Lëvizja Vetëvendosje

Vlerësimi

Rrenë

Deklarata e bërë në videon e publikuar nga Lëvizjes Vetëvendosje se “nuk ka më emërime partiake e familjare në borde të ndërmarrjeve publike” gjatë dy viteve të fundit është e rreme. Gjatë këtyre dy viteve sa LVV është në pushtet, është raportuar për emërime të njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër borde të ndërmarrjeve të ndryshme publike. Sajmie Thaçi, e emëruar në bordin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” nga Qeveria Kurti kishte dhënë 20 euro donacion për Vetëvendosjen, më 10 shkurt të vitit 2021. Në bordin e ndërmarrjes tjetër, Posta e Kosovës ishte emëruar Fadil Bejtës, i cili figuron në listën e donatorëve të Vetëvendosjes në dy vende, më 12 shkurt 2021 kishte dhënë 1 mijë euro dhe me 2 shkurt 2021 kishte dhënë 50 euro. Naim Haliti, donator i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovë; Bujar Bilalli, ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble të Mitrovicës u emërua në bordin e Trepçës; Jeton Haxhijaha, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua anëtar i bordit të KRU “Gjakova”. 

Artikulli

Më 10 janar 2023, Lëvizja Vetëvedosje ka publikuar një video me titull: “Çka ka çka s’ka këto 2 vite”

Në këtë video që kishin treguar se cfarë veprime janë bërë gjatë dy viteve të qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje, përpos tjerave është thënë se gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur emërime partiake e familjare në borde të ndërmarrjeve publike.

“Nuk ka më emërime partiake e familjare në borde të ndërmarrjeve publike”- thuhet në video.

Por gjatë dy viteve të qeverisjes nga Vetëvendosja, KALLXO.com ka raportuar për disa persona të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje që janë emëruar nëpër borde të ndërmarrjeve të ndryshme publike nga Qeveria Kurti.

Në maj të vitit 2021, dy muaj pasi mori Kurti pushtetin për herë të dytë, Qeveria emëroi katër drejtorë të bordit të përkohshëm në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”, në mesin e të cilëve edhe donatorin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Haliti.

Naim Haliti në janar 2021 i kishte dhuruar 100 euro donacion për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila po garonte në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur me 14 shkurtit të vitit 2021. Emri i Halilit figuron në listën e donatorëve të Vetëvendosjes, i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Përkundër faktit që ka dhënë donacion, ai kishte thënë se nuk është pjesë e partisë së Albin Kurtit.

“Jo, nuk jam pjesë e Vetëvendosjes, nuk i përkas strukturave partiake, unë jam vëllai i dëshmorit nuk merrem me politikë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Më 20 korrik të vitit 2022, Jeton Haxhijaha u emërua nga Qeveria anëtar i bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. KALLXO.com kishte raportuar se si Qeveria e Kosovës ka injoruar tetë kandidatë që janë vlerësuar me më shumë pikë dhe ka emëruar Jeton Haxhijahën, në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. Haxhijaha, i cili ishte renditur i 12-ti në listën prej 15 kandidatëve të rekomanduar, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Haxhijaha në Facebook kishte të publikuar edhe fotografi me deputetin e LVV-së nga Rahoveci, Visar Korenica. Edhe vetë Haxhijaha është nga komuna e Rahovecit. Pas hulumtimit të KALLXO.com, në shtator 2022, Haxhijaha ka dhënë dorëheqje nga pozita në të cilën është emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Në shkurt të vitit 2022, në bordin e ndërmarrjes publike “Trepça”, Qeveria e Kosovës, emëroi ish-kandidatin e LVV-së për Kuvend Komunal të Mitrovicës, Bujar Bilallin. 

Ai ka qenë pjesë e listës për Asamble të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të vitit 2013. 

Asokohe, ai për 81 vota nuk kishte arritur që të fitojë ulëse në Asamblenë e Mitrovicës. Bilalli i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nga ai kandidim nuk ka marrë më pjesë në asnjë aktivitet politik, prandaj sipas tij kanë kaluar mbi 8 vjet që kur ka qenë kandidat për Asamble.

Në konkursin për “Trepçën”, Bilalli, ishte i trembëdhjeti në listën e 19 kandidatëve të rekomanduar, duke mbledhur vetëm 138 pikë apo 58%. Nëntë kandidatë të tjerë që kishin marrë më shumë pikë se Bilalli nuk janë emëruar nga Qeveria Kurti në bordin e “Trepçës”.

Edhe në bordin e Telekomit të Kosovës është emëruar një person i lidhur me Vetëvendosjen. Sajmie Thaçi, anëtarja e bordit të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” kishte dhënë 20 euro donacion për partinë e Albin Kurtit më 10 shkurt të vitit 2021

Këtë donacion për partinë e Kurtit, ajo e kishte bërë pak ditë pa u bërë një muaj që kur ishte intervistuar për anëtare të bordit të Telekomit të Kosovës.

“Është i vetmi donacion. I kam dhënë në mënyrë vullnetare, jo nuk jam favorizuar. Unë jam zgjedhur me konkurs të rregullt, kur ka qenë qeveria Hoti”, kishtë thënë Thaci për KALLXO.com disa ditë pas emërimit në këtë pozitë.

Ajo kishte garuar dhe ishte intervistuar në kohën kur qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti, ndërsa ishte emëruar nga Qeveria Kurti në bordin e Telekomit të Kosovës.

Edhe në bordin e ndërmarrjes tjetër, Posta e Kosovës ishte emëruar një persona emri i të cilit figuron në listën e donatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në listën e donacioneve të publikuara për Vetëvendosjen për zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, emri i kryesuesit të bordit të Postës figuron dy herë. Në emër të Fadil Bejtës, dy ditë para zgjedhjeve, më 12 shkurt 2021, janë dhënë 1 mijë euro. Në emër të tij figuron edhe një donacion prej 50 eurove i dhënë më 2 shkurt, dy javë para zgjedhjeve qendrore.

”Emërimi im ka qenë një proces i konkurrimit, d.m.th. nuk jam emëruar por jam zgjedh prej 120 kandidatëve që kanë konkurruar në bord, jemi intervistuar 60 veta dhe konsideroj se për shkak përgatitjes, punës dhe kjo ka qenë arsyeja pse jam përzgjedh.  Donacioni që unë kam dhënë ka qenë 50 euro, shuma prej 1000 që konfiguron në emrin tim ka qenë që një familjar i imi nga perëndimi e ka dhënë, por që s’ka pas llogari financiare dhe ia km bë këtë mirë dhe e kam sqaruar këtë”, kishte thënë Bejta në debatin KALLXOPernime.

Emërimet në pozita të tjera

Përveç emërimeve në bordet e ndërmarrjeve publike, është në pozita të tjera të rëndësishme janë vendosur persona të lidhur me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Më 6 gusht 2021, Nazmi Mikollovcin dhe Mentor Hysenin, janë emëruar në bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Mikullovci ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje. Mikullovci për KALLXO.com e kishte pranuar se ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. 

“S’po di çka me të thënë, është pak e pa definuar. Unë kam qenë vetëm nga aspekti i ekonomisë, kam qenë anëtar i thjeshtë, madje një kohë as anëtar. Unë jam marrë vetëm me çështje ekonomike, në atë formë kam marrë pjesë nëpër mbledhje, kam përfaqësuar Vetëvendosjen në këto bisedat nëpër emisione. Unë jam ekonomist, gjithë jetën jam marrë me ekonominë dhe ata më kanë pranuar si të tillë”, deklaroi Mikullovci, pa dashur të zgjatet më shumë.

Ndërkaq, Hyseni ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019. Ndërsa, gjatë Qeverisë Kurti I, ai ishte emëruar përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit “Prishtina”.

Dy muaj më vonë, ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Vetëvendosje, Nagip Krasniqi u zgjodh kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ai në krye të ndërmarrjes më të madhe publike u zgjedh nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin kishin konkurruar 38 kandidatë. Bordi i përbërë nga drejtoret Rrezarta Pllana, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezad Halilaj e kanë vlerësuar me 37 pikë nga 40 të mundshme Nagip Krasniqin.

Krasniqi për disa vite ka qenë drejtues i Komitetit për Energji në Vetëvendosje. Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organë këshillues i partisë. Ai shihet në disa takime me drejtues të lartë të kësaj partie politike që nga koha e Visar Ymerit e deri në takimet së bashku me tashmë zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi.

KEK-u gjatë vitit të kaluar e kishte hapur një konkurs për 127 vende pune, por e kishte anuluar më pas pasi ishin konstatuar shkelje në konkurs që kishte rezultuar me punësimin e personave të lidhur me njerëz të Vetëvendosjes

Në janar të vitit 2022, Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës, Hasan Krasniqi, ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. Ai qe zgjedhur kryeshef përkundër faktit që i njëjti ishte kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021, apo rreth 3 muaj më përpara emërimit.

Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa nga viti 2014 deri në vitin 2017. I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej. 

Në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.

Në pozitë të kryeshefit, është zgjedhur edhe Faruk Mujkën, Ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.

Më 1 dhjetor 2022, Faruk Mujka, ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë u zgjodh kryeshef i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”. Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në atë interpretim, ZKM-ja kishte thënë se edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike duhet të jetë i pavarur, pra nuk duhet të ketë poste politike dhe të jetë pjesë e organeve vendimmarrëse të partive politike në 36 muajt e fundit.

Faruk Mujka e ka drejtuar degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 duke marrë 8,647 vota në garën për asamblist të Komunës së Mitrovicës Jugore. Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore deri në fund të vitit 2021.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Mujka ka thënë se Lëvizja Vetëvendsoje nuk e ka ndihmuar që të zgjidhet kryeshef në “Ibër-Lepenc”. Ai kishte deklaruar për KALLXO.com se bordi nuk e ka favorizuar atë, anise Mujka kishte pozita të larta në partinë e cila aktualisht drejton Qeverinë e Kosovës.

Partia e Faruk Mujkës, Lëvizja Vetëvendsoje, në vazhdimësi ka kritikuar emërimet e njerëzve me prapavijë politike nëpër institucione publike.

Depolitizimin e ndërmarrjeve publike e premtonte edhe kryetari I Vetëvendsojes, tani kryeministër vendi, Albin Kurti.

“Ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal e të cilët e kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin” – thoshte kryeministri Albin Kurti, në një video-mesazh më 12 shtator 2021  drejtuar qytetarëve kur u bënte thirrje profesionistëve që të aplikojnë në konkurset në ndërmarrjet publike.

“Me qeverisjen tonë kemi siguruar meritokraci e transparencë të plotë në proceset e rekrutimit në sektorin publik…” – vazhdonte Kurti.