Të dhënat demantojnë postimet promovuese të Ministrisë së Shëndetësisë, në komuna ka ende mungesë të Insulinave
Deklarata
Me kapërcimin e kësaj date Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat dhe shpresoj që deri në fund të këtij muaji do të konkretizohet me një kontratë e cila do të sigurojë doza të mjaftueshme të insulinave për qytetarët insulinë varësit.
Vlerësimi
Me kos
Të dhënat e grumbulluara nga Drejtoritë e Shëndetësisë në Komuna tregojnë që furnizimi me insulina nuk është plotësuar 100%. Ata kanë deklaruar se janë furnizuar vetëm me dy lloje të insulinave Novomix dhe Novorapid dhe se për llojet e insulinave të tjera përsëri po kanë mungesa.
Artikulli
Pas një periudhe disa mujore që qytetarët u përballën me mungesë të insulinave, Ministria e Shëndetësisë më 16 korrik, ka filluar shpërndarjen e insulinave në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të Kosovës.
Sipas ministrisë, do të bëhej shpërndarja e insulinave për pacientët me diabet nëpër gjitha qytetet e Kosovës.
“Njoftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se pas hapjes së rrugëve ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar të gjitha procedurat për furnizimin e insulinave”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, para më shumë se një muaji kishte deklaruar se deri në fund të muajit qershor do të siguroheshin insulinat për nevojat e qytetarëve të Kosovës.
“Ashtu siç e kam përmendur disa herë deri më datën 12 maj nuk ka pasur asnjë mundësi që të iniciohet asnjë procedurë për insulina për arsye të disa problemeve të procedurës paraprake që ka filluar në tetorin e vitit të kaluar. Me kapërcimin e kësaj date Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat dhe shpresoj që deri në fund të këtij muaji do të konkretizohet me një kontratë e cila do të sigurojë doza të mjaftueshme të insulinave për qytetarët insulinë varësit”, tha Vitia në konferencën për mediave në sallën “1 Tetori” të mbajtur me 15 qershor.
Por, ky furnizim nga ana e ministrisë sa ka plotësuar nevojat e komunave.
KALLXO.com ka kontaktuar drejtorët komunalë të shëndetësisë në komunat e Kosovës, të cilët kanë pohuar se kanë marrë furnizim vetëm për një muaj, ndërsa sipas tyre edhe kjo sasi që e kanë marrë nuk ka qenë e mjaftueshme.
Siç kanë deklaruar, ata nuk kanë marrë njoftim zyrtar se si do të vazhdojë furnizimi me insulina për muajin gusht e për muajt e tjerë në vazhdim.
Tutje ata kanë deklaruar se janë furnizuar vetëm me dy lloje të insulinave Novomix dhe Novorapid dhe se për llojet e insulinave të tjera përsëri po kanë mungesa.
“Po jemi furnizuar vetëm për muajin korrik, për muajin gusht nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar. Nga barnatorja më kanë thënë se tash do të furnizohemi përmes tenderit që është në procedurë të rregullt”, ka thënë Aferdita Spahiu, drejtoreshë komunale e Shëndetësisë në Gjakovë.
Edhe Petrit Loci, drejtor komunal i Shëndetësisë në Pejë ka thënë që janë vetëm për një muaj, ndërsa ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar a do të furnizohen në muajt në vazhdim.
“Jemi furnizuar me 80% të sasisë që na duhet për një muaj, për muajt në vazhdim nuk kemi marrë ndonjë njoftim. Zakonisht furnizimet bëhet në baza mujore, me 16 korrik jemi furnizuar e tash presim që me pas furnizim edhe për muajt e tjerë”, ka deklaruar ai.
Drejtori komunal i Shëndetësisë në Dragash, Behar Brenoli ka thënë për KALLXO.com se janë furnizuar me një sasi minimale.
“Po ne jemi furnizuar me Novomix 665 copë dhe Novorapid me 85 copë. Kjo nuk është sasi sipas kërkesave tona për shkak se ka pacientë që endokrinologu iu përshkruan sasi më të madhe për përdorim. Ne të gjithë pacientëve ju kemi dhënë nga tri dhe në stoqe kemi vetëm edhe për dy-tre ditë. Në bazë të numrit të pacientëve me diabet, komuna ka nevojë përafërsisht për 2,000 insulina. Nuk e di a do ta marrim këtë sasi prej datës 1 gusht. Nuk jemi njoftuar”, ka thënë Brenoli.
Po ashtu edhe Medina Imishti, drejtoreshë e komunës së Hanit të Elezit ka thënë se kanë ende mungesë të insulinave, ndërsa janë furnizuar vetëm për muajin korrik.
“Për muajin korrik jemi furnizuar me 220 copë për 43 pacientë kurse me Novorapid me 60 copë për 24 pacientë. Me Levemir për 11 pacientë jemi furnizuar me 40 copë. Me levemir jemi furnizuar në Qershor kurse për korrik ende nuk kemi marrë furnizim. Mungese është insulina Human ose comb, Bazal edhe Rapid”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se pas mungesës disa mujore të insulinave, Komuna e Prishtinës ishte kujdesur vet të kryente furnizim për qytetarët.
Përmes një procedure emergjente kjo komunë ishte furnizuar me insulina për pesë muajt e ardhshëm.
Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunë e Prishtinës ka thënë se janë marrë vesh me Ministrinë e Shëndetësisë që të furnizohen komunat e tjera pasi kjo kjo komunë veçse ka kryer një blerje dhe ka në stoqe insulina të të dyja llojeve.
“Ne jemi marrë vesh me Ministrinë e Shëndetësisë që përderisa ne kemi një tender për furnizim ata t’i furnizojnë komunat tjera. Me dy llojet që i kemi ne, nuk furnizohemi ndërsa me llojet që s’kemi kryer blerje normalisht furnizohemi. Ne e kemi planifikuar furnizimin për periudhë 5 mujore, por tash varet prej kërkesave, mund të rriten”, ka deklaruar Gashi për KALLXO.com.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka bërë të ditur se për pesë muajt e ardhshëm Ministria ka siguruar insulinat për nevojat e diabetikëve.
Sipas ministrit Vitia, sasia e blerë do të mbulojë nevojat e të gjitha komunave.
“Nuk e di më kë keni pasur komunikim mirëpo kjo nuk qëndron. Kemi sasi të mjaftueshme për insulinave për pesë muajt e ardhshëm dhe për secilën komunë dhe ajo që duhet është vetëm që komunat të dërgojnë listat”, ka thënë Vitia.
KALLXO.com ka raportuar për mungesën e insulinave në të gjitha qytetet e Kosovës dhe ballafaqimin e qytetarëve të prekur nga diabeti me mungesën e tyre.
Ministria e Shëndetësisë kishte filluar procedurat e prokurimit qysh në muajin dhjetor, por tenderi ishte bllokuar në OSHP.Insulinat është siguruar tash pas më shumë se gjashtë muaj. Siç kishte deklaruar Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com, zgjidhjen është bërë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) të Bankës Botërore.
“MSh ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) -Banka Botërore për një proces të përshpejtuar sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me qëllim të eliminimit të mungesave aktuale, deri në stabilizimin e këtij procesi”, thuhej në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.