array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Targat, ‘nyja’ tjetër e dialogut – çfarë parasheh ujdia e vitit 2011?

Deklarata

Afat 2-mujor për konvertimin e veturave me targa KM, GL, PZ, PR, etj, në RKS

Qeveria e Kosovës

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia kanë provuar të gjejnë zgjidhje për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve por marrëveshjet e arritura janë zvarritur apo nuk janë zbatuar plotësisht. 11 vjet që nga arritja e marrëveshjes së parë për lëvizjen e lirë, Kosova dhe Serbia ende po dialogojnë për një zgjidhje për çështjen e targave. Kosova i ka dhënë afat 2-mujor, nga 1 shtatori deri më 31 tetor qytetarëve serbë, që të konvertojnë veturat e tyre nga targat KM, PZ, PR, GL, etj, në RKS. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje-dalje por ende nuk kanë arritur dakordim për çështjen e targave.

Artikulli

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Por, zbatimi i tyre ka ngecur në shumicën prej tyre.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, dy vendet nënshkruajtën një ujdi mbi lëvizjen e lirë, e cila parashihte edhe një zgjidhje për targat e automjeteve të cilat kalojnë nëpër dy vendet.

Bëhej fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) etj,.

Targat e tilla janë hequr në zonat e populluara me shumicë serbe në jug të vendit në vitin 2011, pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Serbia nuk njihte targat e automjeteve me mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës) por, ajo ishte pajtuar që targat vetëm në KS, si status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, të mund të kalonin nëpër territorin e Serbisë.

Por, në katër komunat në veri të vendit, territore të banuara me shumicë serbe, ka vazhduar ngasja e veturave me targa KM, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Kjo ishte konsideruar në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 2 korrik të vitit 2011.

Tri vjet më vonë, më 14 shtator 2016, Kosova dhe Serbia provuan edhe një herë gjetjen e një zgjidhjeje për targat.

Siç parashihte marrëveshja, përdoruesit e targave “RKS” do të mund të udhëtonin në Serbi pa targa “prova”, por stema “Republika e Kosovës” do të mbulohej me një ngjitëse të bardhë. E njëjta gjë do të vlente për ata që hyjnë në Kosovë me targa “SRB”. Zbatimi i marrëveshjes u zvarrit.

Në shtator të vitit të 2021, Qeveria e Kosovës vendosi që të ketë reciprocitet ndaj veturave me targa të Serbisë, të cilat hynin në Kosovë, duke u kërkuar të vendosin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në territorin e Kosovës.

Atë kohë, vendimi i ekzekutivit kosovar kishte ngjallur pakënaqësi tek serbët lokalë. Për disa javë me radhë, ata bllokuan me barrikada dy pikë-kalimet kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në përgjigje të situatës, dy ekipet negociatore u takuan në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja ishte sikur ajo e vitit 2016, mbulimi i shenjave identifikuese të shtetësisë në targat e veturave që hynin nga të dyja vendet, Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht, po zbatohet kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha veturat që hyjnë në Kosovë, me regjistrim të Serbisë, u mbulohen shenjat identifikuese të shtetësisë me letra ngjitëse. Njëjtë ndodh edhe me veturat që hyjnë në territorin e Serbisë nga Kosova.

Qeveria të cilës i prin Albin Kurti premtoi se do të zbatojë reciprocitet ndaj Serbisë në secilën fushë. Në deklaratën e ekzekutivit kosovar, të lëshuar më 29 qershor, thuhej se regjistrimi i veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Ky vendim u shty për 30 ditë pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.

Që nga 1 shtatori e deri më 31 tetor, qytetarët serbë që kanë në pronësi vetura me targa, KM, GL, PR, etj, mund t’i konvertojnë ato në RKS në një procedurë që nuk zgjat më shumë se dy minuta. Po ashtu, atyre u është premtuar edhe se do të kenë lehtësira në tatime. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur.

“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë” –  tha ai.

Vuçiq, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.

“Pala tjetër nuk dëshiron zgjidhje kompromisi, por vetëm do që ne të pajtohemi me atë që ajo vendos” – tha Vuçiq, duke shtuar se Kosova e ka mbështetjen e Perëndimit për veprimet e saj.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “Albin Kurti po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe – pas datës 30 shtator – për të hequr vlefshmërinë e targave me emrat e qyteteve serbe: KM, GL, PR, UR e të tjera, me paralajmërimin se pas këtij afati, këto automjete do të konfiskohen, është një goditje e drejtpërdrejtë mbi të gjithë serbët, si në jug, e sidomos në veri të Ibrit” – thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në anën tjetër, shefi i qeverisë kosovare, Albin Kurti, ripërsëriti së fundmi se nuk do të lejojë targa neutrale në territorin e Kosovës dhe reciprociteti do të zbatohet siç është parashikuar.

“Opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale për veten nuk vijnë në konsiderim, me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike” – tha Kurti gjatë një konference për media.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë deklaruar se çështja e targave do të jetë më e vështirë për tu zgjidhur, sesa marrëveshja për dokumente, e cila gjeti një gatishmëri të palës serbe që t’i pranojë dokumentet e Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se po punohet që të gjendet një zgjidhje të cilën do ta pranonin të dyja palët, Kosova dhe Serbia.

“Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur, sepse nuk është vetëm dikush që lëviz, është një pronë që mund të shitet dhe të blihet. Por, unë jam optimist” – tha Borrell për Radion Evropa e Lirë.

“Kemi një periudhë dymujore [për ndërrimin e targave]. Nuk është diçka që do të ndodhë nesër. Kurti ka pranuar procesin rreth dymujor, për të shmangur çdo situatë që mund të krijojë më shumë rrezik” – ka thënë tutje ai.