Shpërndarja e alarmit për pensionistë me video të rreme
Deklarata
LAJM I Tmerrshëm! Ajo që ndodhi në Kosovë do të ndodhë në mbarë vendin! Kjo do të prekë çdo të dytin pensionist
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “LAJM I Tmerrshëm! Ajo që ndodhi në Kosovë do të ndodhë në mbarë vendin! Kjo do të prekë çdo të dytin pensionist”- është e rreme. Video e publikuar me mbishkrim në gjuhën shqipe është marrë nga faqet e internetit dhe në videon reale gruaja flet në gjuhën ruse. Qeveria e Kosovës nuk e ka ndryshuar skemën e pensioneve.
Artikulli
Më 30.07.2024 faqja në Facebook, Soto Barcena (arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet një grua duke qarë para kamerës. E njëjta video është publikuar edhe në faqen ‘Losko Mirka’.
Postimi në faqen ‘Losko Mirka’ është shpërndarë me mbishkrimin “LAJM I Tmerrshëm! Ajo që ndodhi në Kosovë do të ndodhë në mbarë vendin! Kjo do të prekë çdo të dytin pensionist”.
Kur klikohen postimet e bëra në faqen ‘Losko Mirka’ të hapet faqja e internetit ‘kel-so.click’ (arkiva). Kjo faqe në dukje të parë duket si një biznes, por të dhënat në Whois.com thonë se e njëjta është regjistruar më 19.07.2024, pra 11 ditë para publikimit të postimit.
Kurse në faqen Soto Barcena (arkiva) video është shpërndarë me përshkrimin “Lехоni të vërtеtën…. Çdо реnsiоnist që kа lехuаr këtë lаjm, kа qаrë! Кjо dо të рrеkë 80% të реnsiоnistëvе në Коsоvë në të аrdhmеn е аfërt. Çfаrë ndоdhi mе Dаut Gоrаni?”.
Kur klikon në postimin e bërë në faqen Soto Barcena të dërgon tek një faqe e internetit ‘tej-co.com’ që nuk ka lidhje me përmbajtjen e videos dhe përshkrimin. Kjo faqe e internetit, bazuar në të dhënat në Whois.com, është regjistruar më 25.06.2024.
Krypometër përmes kërkimit në ‘Yandex’, ka gjetur videon e gruas që qanë para kamerës dhe rezulton se e njëjta është publikuar në disa faqe të tjera të internetit dhe ajo flet gjuhën ruse në këto video.
Ndonëse në këtë video Soto Barcena,(arkiva), është publikuar në gjuhën shqipe, një video me të njëjtën grua është publikuar në gjuhën bullgare me përshkrimin “Kjo nuk ka ndodhur në Bullgari për 16 vjet! Kjo që po ndodh në qytet, ndez pothuajse çdo pensionist! Çfarë sekreti po përpiqen të mbajnë nga të gjithë?”
Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transfereve, i ka thënë Krypometrit se çdo vendim i ri për ndryshimet në skemat pensionale publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë.
Krypometër ka kontrolluar faqen zyrtare të kësaj ministrie dhe profilin e tyre në Facebook, por aty nuk është publikuar asnjë njoftim për politikë të re të pensioneve.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se ka fushata dezinformuese për çështjen e pensioneve.
“I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve”- tha Kryeziu për Krypometër.
Bazuar në Ligjin për Fondet Pensionale në Kosovë, sistemi pensional në Kosovë është i ndarë në tri shtylla. Shtylla e parë është pensioni bazik, pension që Administrata Pensionale (në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve) ua paguan të gjithë banorëve të përhershëm të Kosovës që e kanë arritur moshën e pensionimit.
Në shtyllën e dytë janë pensionet individuale të kursimeve që i siguron Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës- FKPK është themeluar me qëllimin e vetëm dhe ekskluziv, atë të administrimit dhe menaxhimit të llogarive individuale për pensionet e bazuara në kursime. Bazuar në Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, çdo punëdhënës është i obliguar që të kontribojë në emër të punonjësve të vet në FKPK, si dhe punonjësi obligohet të kontribuojë në emrin e vet.
Shtylla e tretë janë Fondet plotësuese pensionale të punëdhënësit, Fondet Plotësuese Individuale.
Bazuar në Ligjin për Fondet Pensionale në Kosovë, dy shtyllat e para janë pensione obligative, pensionet bazë që i siguron Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe pensionet individuale të kursimeve i siguron Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Shtylla e tretë, Fondet Plotësuese Pensionale të Punëdhënësit dhe Pensionet Plotësuese Individuale, janë fonde vullnetare dhe punëdhënësit mund të sigurojnë për punonjësit e tyre pensione plotësuese, por edhe individët mund të sigurojnë pensione plotësuese individuale përmes pensioneve plotësuese individuale.
Mjetet nuk mund të tërhiqen deri në moshën e pensionimit, e mosha e pensionimit është 65 vjeç.