Sëmundjet e tiroides nuk mund të shërohen nga recetat që janë në internet
Deklarata
“Shërimi i sëmundjes së tiroidë’s”
Vlerësimi
Me kos
Në postimin me titull “Shërimi i sëmundjes së tiroidë’s”- janë dhënë konstatime të rreme. Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK, Merita Emini, ka shpjeguar se pacientët duhet të konsultohen me profesionistë për të përcaktuar mënyrën e trajtimit të sëmundjeve të gjëndrës tiroide, sepse ka raste kur mund të aplikohen vetëm ilaçe e ka raste kur duhet të operohen. Endokrinologu Amir Rexhepi thot se marrja e barnave për gjëndrën tiroide pa u monitoruar nga një mjek endokrinolog mund të jetë shumë e rrezikshme, veçanërisht nëse pacienti ka sëmundje të fshehura të zemrës.
Artikulli
Më 17.05.2024 faqja në rrjetin social Threads ‘nita_aloeveraa’ (arkiva) ka publikuar një informacion, në të cilin pretendohet se është gjetur ilaçi natyral për shërimin e gjëndrës tiroide.
“Shërimi i sëmundjes së tiroidë’s”- shkruan në titull të kësaj.
Në këtë postim është publikuar rrëfimi nga një paciente, e cila pretendon se është shëruar plotësisht nga gjendra tiroide, mirëpo emri i pacientes nuk tregohet.
“Arsyeja pse unë jam këtu është se unë fillova të përdorë produktet e tiroideve nga një kompani. Isha me diagnozë hipohashimoto (sëmundje autoimune me mungesë të jodit), isha nën terapinë mjekësore me eutiroks nga 75 dhe 10 mg. Pasi ngela shtatzënë me vajzën e vogël gjendja ime filloj të përkeqësohet dhe unë 2 vite radhazi kam qenë shumë keq, me dhimbje të tmerrshme të muskujve dhe nyjeve, 0 forcë dhe energji, harroja aq shumë sa kisha mundësi para 2 min flisja një fjalë më vonë harroja ckam thënë…….kam provuar shumë gjëra natyrale cka kam ndëgju por pa efekt, kur Gili mi propozoi kto produkte un pa hezitim pranova dhe pa shiku çmimin isha në gjendje edhe nqoftëse skam ti gjej diku se më sduroheshte ajo gjendje, me ditët e para të përdorimit unë e shihja ndryshimin por të them të drejtën disi smund ta pranoja thoja sësht e mundur truri me ben cdo ditë që kalonte forca me kthehej, cdo dit e me tepër ndjehesha me mirë…….”- shkruan ndër të tjera në disa foto të kopjuara që lë të nënkuptohet se dikush e ka dërguar këtë porosi te kjo faqe.
Në këtë shkrim të gjatë, ‘klientja’ nuk përmend askund emrin e produktit që ka përdorur dhe që pretendohet se i ka shëruar gjëndrën tiroide.
Krypometër i ka shkruar kësaj faqe për të kuptuar se për çfarë produkti bëhet fjalë.
“Janë produkte bio nga kompania aloe vera, produkti quhet barbadisismiler. Jane produkte që duhet të përdoren një kohë më të gjatë, 3 muaj”- thuhet në përgjigjen e kësaj faqe në rrjetin social Instagram.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) në Kosovë rezulton se produkti ‘barbadisismiler’ nuk është në listën e produkteve me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së autorizimit për marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM)”.
Gjithashtu, Krypometër ka folur me endokrinologun Amir Rexhepi për të kuptuar më shumë rreth shërimit të gjëndrës tiroide dhe trajtimit të saj.
“Ne këshillojmë që të mos merret asnjë ilaç pa recetë të mjekut dhe pa udhëzimet e duhura nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. Sepse vetë-mjekimi mund të jetë i rrezikshëm pasi mund të çojë në marrjen e dozave të pasakta, në efekte anësore ose ndërveprime me medikamente të tjera që mund të marrin pacientët në të njëjtën kohë. Prandaj, është gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek i cili mund të vlerësojë gjendjen tuaj specifike dhe të përshkruajë mjekimin e duhur për problemet e caktuara”- ka thënë Rexhepi për KALLXO.com.
Ai tutje ka shtuar se marrja e barnave të tiroides pa u monitoruar nga një mjek endokrinolog mund të jetë shumë e rrezikshme, veçanërisht nëse pacienti ka sëmundje të fshehura të zemrës.
“Prandaj, i këshillojmë pacientët që kanë simptoma që ndërlidhen me problemet e gjëndrës tiroide të lajmërohen te endokrinologu, i cili do të bëjë ekzaminimin e plotë, përfshirë edhe ultrazërin e gjëndrës tiroide që është tejet me rëndësi”– ka theksuar Rexhepi.
Endokrinologia Rreze Serhati Morina në një intervistë të dhënë për KALLXO.com kishte thënë se diagnostikimi i hershëm mund të ndihmojë në trajtimin e tyre.
“Problemet më të shpeshta të tiroides janë hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi, funksioni i zvogëluar i gjëndres tiroide është kur gjëndra nuk prodhon hormone të mjaftueshme për të kryer funksionin e saj. Hipertiroidizmi është kur gjendra prodhon hormone më shumë se që është e nevojshme”- ka shpjeguar Serhati Morina.
Doktoresha thotë se simptomat janë të ndryshme varësisht se çfarë lloji të çrregullimit ka pacienti.
“Shenjat dhe simptomat e hipotiroidizmit janë shumë të shprehura edhe pacienti mund t’i vërejë ato, shenjat e hipotiroidizmit janë lodhja, ndjenja e të ftohtit, lëkura e thatë, thonjtë janë të thatë dhe thyhen, flokët e thatë që bien, gjendja depresive, zbrazja e zorrëve është e ngadalësuar apo ka konstipacion, është e rëndësishme të themi që ka ç’rregullime të ciklit menstrual dhe probleme me mbetjen shtatëzanë”- thotë ajo.
Ndërsa për çrregullimin tjetër të njohur si prodhim i tepruar i hormoneve, Serhati Morina thotë se simptomat janë krejtësisht të tjera.
“Shenjat e hipertiroidizmit janë kur pacientja ka ndjenjë të të nxehtit edhe në ambiente të ftohta, ka djersitje të theksuar, mund të ketë edhe barkëqitje, është i shqetësuar vazhdimisht, ka të rrahura të shpeshta të zemrës”- thot ajo.
Sipas saj, hipertiroidizmi trajtohet ndryshe prandaj duhet që pacienti/ja të jetë në kontakt të vazhdueshëm me mjekun endokrinolog.
“Hipertiroidizmi trajtohet në disa mënyra, janë barnat që meren dhe e frenojnë sekretimin e hormonit nga gjëndra tiroide. Mënyra e dytë është përdorimi i jodit dhe mënyra e tretë është heqja e tiroides”- këshilon ajo.
Ndërsa drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK, Merita Emini, ka shpjeguar se kur duhet të trajtohet me terapi dhe kur duhet të operohet gjëndra tiroide.
“Gjëndrat tiroide është prezente tek secili njeri, pa të nuk jetohet, por shumë persona munden me pasë sëmundje të ndryshme të kësaj gjëndre. Trajtimi i sëmundjeve të ndryshme bëhet me barëra, ndërsa me sëmundje më të rënda duhet t’i nënshtrohet operimit. Mund të ketë persona psh. me kancer në gjëndër. Nuk mund të themi që duhet të trajtohen gjithmonë apo që duhet të operohen gjithmonë, varet nga gjendja. Kancerët e tiroideve duhet të operohen, duhet me u përcjellë, duhet me u trajtu sepse hiqet gjëndra”- ka thënë drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini.