Rrena se MASHTI ofron kurse e çertifikata falas për fëmijërinë e hershme
Deklarata
“Duke filluar nga qershori, Ministria e Arsimit do të ofrojë kurse falas për edukimin e fëmijërisë së hershme dhe do të lëshojë certifikata arsimore”
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Postimi “Duke filluar nga qershori, Ministria e Arsimit do të ofrojë kurse falas për edukimin e fëmijërisë së hershme dhe do të lëshojë certifikata arsimore”- është i rremë. Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë thënë se nuk ofrojnë kurse të tilla. Ata kanë thënë se postimi është i rremë dhe i njëjti nuk ka të bëjë asgjë me këtë ministri. Faqja që e ka publikuar këtë njoftim e ka përdorë pa autorizim llogon e institucioneve të Kosovës, dhe nëse klikohet në këtë postim të dërgon në një faqe të internetit që nuk menaxhohet nga MASHTI.
Artikulli
Më 19.06.2024 faqja në Facebook ‘Factory outlet’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull: Kurse falas të edukimit në fëmijërinë e hershme (e disponueshme certifikata e studimit).
“Duke filluar nga qershori, Ministria e Arsimit do të ofrojë kurse falas për edukimin e fëmijërisë së hershme dhe do të lëshojë certifikata arsimore”- shkruan në këtë artikull të ilustruar me një grafikë.
Kur klikon mbi këtë shkrim të dërgon te ueb faqja earlychildhood-education2.today (arkiva), në të cilën nuk ka asnjë udhëzim se si të aplikohet për tu bërë pjesë e këtyre kurseve.
Në postimin në Facebook është përdorë llogo e institucioneve të Republikës së Kosovës, por vegëza që hapet nuk ka asnjë lidhje me faqet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ueb-faqja e ministrisë Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është https://masht.rks-gov.net/, ndërsa aty nuk ka asnjë njoftim se ata kanë në menaxhim edhe faqen e internetit “earlychildhood-education2.today”, e cila e ka publiku këtë njoftim.
Krypometër ka kontrolluar nëse në faqen zyrtare të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është publikuar ndonjë njoftim për një kurs të tillë, por tek rubrika ‘thirrje’ nuk është ndonjë thirrje për kurse falas për edukim në fëmijërinë e hershme.
Krypometri ka dërguar pyetje në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të kuptuar nëse ky dikaster ofron këso lloj kursesh me, ose pa certifikata.
Në përgjigjen e këtij dikasteri thuhet se MASHTI nuk ka të bëjë asgjë me këtë postim.
“Ky duhet të jetë një profil i rrejshëm, ngase Divizioni për edukimin në fëmijërinë e hershme – MASHTI, nuk ofron kurse apo trajnime të tilla dhe nuk qëndron mbrapa këtij postimi”- thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie dhënë përmes emailit.
Kjo thirrje është bërë vetëm disa ditë para përfundimit të viti shkollor në Republikën e Kosovës, që zyrtarisht përfundon më 24.06.2024. Në Kosovë, pas përfundimit të vitit shkollor ofrohen shumë kurse për mësim plotësues për fëmijë apo shkolla verore (shih këtu).