Rrena se LDK-ja e ka dërguar në Kushtetuese mbylljen e katër komunave paralele serbe
Deklarata
Mbyllen katër komuna ilegale serbe në Kosovë, LDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Mbyllen katër komuna ilegale serbe në Kosovë, LDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese” është i rremë. Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk e kanë dërguar një rast të tillë në Gjykatën Kushtetuese, duke shtuar se mbyllja e këtyre komunave janë veprime dhe përgjegjësi e institucioneve të sigurisë. Edhe Gjykata Kushtetutese ka thënë se nuk ka pranuar rast të ri nga LDK-ja.
Artikulli
Më 26 janar 2024, faqja e Facebook-ut Fleta Press (arkiva), ka publikuar një fotografi në të cilën shihet një titull i një lajmi: “Mbyllen katër komuna ilegale serbe në Kosovë, LDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese”.
“Fleta Press” është një profil në Facebook në të cilën është prezantuar si gazetar dhe aty publikojnë lajme ditore nga zhvillimet në Kosovë, të ilustruara më fotografi.
Postimi gjithashtu është përcjellë me një përshkrim: “Shteti i Kosovës i mbyll katër komuna paralele serbe në Kosovë,LDK e dergon në gjykatë Kushtetuse!”.
Krypometër fillimisht ka kontaktuar me zëdhënësen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.
Ajo ka thënë se LDK-ja nuk e ka dorëzuar ndonjë rast të tillë në Kushtetuese.
“LDK nuk ka dorëzuar një rast të tillë në gjykatën Kushtetuese. Mbyllja e institucioneve paralele është veprim i institucioneve të ligjit dhe partitë politike nuk mund të inicojnë veprime të tilla në gjykatën kushtetuese”- ka thënë Halimi në një përgjigje për Krypometrin.
Në lidhje me këtë lajm të publikuar, gjithashtu është kontaktuar edhe zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.
Dula ka theksuar se deri sot, më 05 shkurt 2024, nuk kanë pranuar një rast të tillë në Gjykatë.
“Deri sot një kërkesë e tille nuk është parashtruar në Gjykate nga askush”- ka thënë Dula për Krypometër.
Më 26 janar të këtij viti, në fshatin Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se në këto objekte kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.
“Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”- ka shkruar ministri Krasniqi në “Facebook”.
Duke u ndërlidhur me postimin e ministrit Krasniqi, u deklarua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Të dy këta ministra kishin marrë pjesë në aksion me organet e rendit.
“Dje ne Zveçan e sot në Dragash, ashtu siç jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Republikës së Kosovës.”– ka shkruar në profilin e tij në Facebook ministri Sveçla, më 27 janar 2024.
Ai tha se Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë.