Rrena se Kuvajti e Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen në vlerë 1 miliard euro
Deklarata
“Arrihet marrëveshje marramendëse në SHBA, Kuvajti do të investojë në Kosovë afro 1 miliard euro ku sipas burimeve thuhet se paratë do të investohen në spitale të reja, Stadium të ri në prishtinë dhe autostrada, asfalt me cilësi të lartë”
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë informacioni që thot “arrihet marrëveshje marramendëse në SHBA, Kuvajti do të investojë në Kosovë afro 1 miliard euro ku sipas burimeve thuhet se paratë do të investohen në spitale të reja, Stadium të ri në prishtinë dhe autostrada, asfalt me cilësi të lartë”. Ky mbishkrim është publikuar së bashku me fotografinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe princit të Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, që është bërë në takimin e mbajtur në New York më 25.09.2024. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk është arritur ndonjë marrëveshje që parasheh investime të Kuvajtit në Kosovë në vlerë 1 miliard euro. Por, në këtë takim kryeministri Kurti i ka ftuar kompanitë nga Kuvajti që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë.
Artikulli
Më 27.09.2024 faqja në Facebook ‘Lajme nga Bota (arkiva) ka publikuar një fotografi të kryeministrit Albin Kurti dhe Princit të Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah.
Në postim pretendohet se shteti i Kuvajtit do të investojë në Kosovë afër 1 miliard euro.
“Arrihet marrëveshje marramendëse në SHBA, Kuvajti do të investojë në Kosovë afër 1 miliard euro ku sipas burimeve thuhet se paratë do të investohen në spitale të reja, Stadium të ri në prishtinë dhe autostrada, asfalt me cilësi të lartë”- thuhet në postim.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka konfirmuar se pretendimi në këtë postim nuk është i vërtetë.
Zëdhënësi i Qeverisë tha se në takim është biseduar mbi potencialin investues në Kosovë dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë.
“Pretendimi në këtë postim nuk është i vërtetë. Në takimin në fakt u bisedua mbi potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura e infrastruktura”- ka thënë ai.
Më tej, Kryeziu ka theksuar se kryeministri Kurti ka ftuar kompanitë nga Kuvajti që të investojnë në Kosovë.
“Kryeministri Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë duke operuar në një ambient të sigurt të të bërit biznes si dhe shtoi mundësinë e mbajtjes së një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë”- ka deklaruar Kryeziu për Krypometrin.
Më tej, Krypometër ka gjetur edhe komunikatën e cila është publikuar në ueb -faqen e Zyrës së Kryeministrit me detaje nga takimi i Kurtit me princin e Kuvajtit.
Sipas komunikatës, kryeministri Kurti dhe princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, biseduan rreth fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit e rritjes së investimeve.
As në komunikatë nuk përmendet se është arritur marrëveshja që Kuvajti të investojë 1 miliard euro në Kosovë, si pretendon kjo faqe në Facebook.
Krypometër ka gjetur edhe komunikatën e publikuar në ueb-faqen e princit të Kuvajtit mirëpo as aty nuk përmendet se është arritur ndonjë marrëveshje mes Kuvajtit dhe Kosovës për investime.
Shteti i Kuvajtit e ka njohur shtetësinë e Kosovës. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, njohja ka ndodhur më 11.10.2011.
Më 25.09.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sesionin e 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit të tij, Kurti është takuar me homologë të tij e personalitete të tjera nga vende të ndryshme si dhe shoqata dhe organizata shqiptare në SHBA.
Ai ka zhvilluar takime me kryeministrin e Lihtenshtanjit, Daniel Risch; kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis; kryeministrin e Vanuatus, Charlot Salawai; kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, etj..