Rrena për kurse falas për elektricistë
Deklarata
🎓📌Kurs falas për elektricist (me certifikatë) ✅Pa limit moshe, ✅Pa kërkesa akademike, ✅Certifikim falas
Vlerësimi
Rrenë
Postimi: “🎓📌Kurs falas për elektricist (me certifikatë) ✅Pa limit moshe, ✅Pa kërkesa akademike, ✅Certifikim falas”- është i rremë. Ky postim nuk është bërë nga Ministria e Arsimit apo Agjencia e Punësimit e cila menaxhon 8 Qendra të Aftësimit Profesional. Faqja e internetit e cila është bashkangjitur në këtë postim është regjistruar si domen më 28.10.2024, apo një ditë para publikimit të njoftimit në Facebook. Krypometër ka kërkuar në internet nëse në ndonjë faqe të internetit që operon në Kosovë është hapur ndonjë thirrje e tillë, mirëpo nuk ka hasur në njoftim të njëjtë.
Artikulli
Më 29.10.2024 faqja në Facebook ‘Eagle New Zeland’ (arkiva) ka publikuar një lajm për kurse falas online.
Në këtë postim thuhet: “🎓📌Kurs falas për elektricist (me certifikatë) ✅Pa limit moshe, ✅Pa kërkesa akademike, ✅Certifikim falas”.
Në këtë postim thuhet se pjesë e këtij kursi mund të jenë të gjithë personat nga 20 deri në 70 vjeç, ndërsa thuhet se kursi një mujor do të jetë online dhe në fund do të pajiseni me certifikatë.
Kur klikoni mbi këtë lajm, linku të dërgon te një faqe me domenin: “electrician-classes-51644.bond” (arkiva). Krypometër e ka kontrolluar domenin ‘electrician-classes-51644.bond’ në faqe Whois.com dhe rezulton se e njëjta është regjistruar për herë të parë më 28.10.2024.
Në këtë faqe (arkiva) nuk janë publikuar të dhënat bazike për një njoftim të tillë si: adresa dhe të dhënat e institucionit/ organizatës që e ofron këtë trajnim, kushtet e pjesëmarrjes, adresën për aplikim në trajnim, lokacionin se ku do të mbahet trajnimi, apo koha kur fillon ai.
Krypometër ka gjetur se kjo faqe nuk është e Ministrisë së Arsimit apo instituconeve të tjera, të cilat përdorin domene zyrtare të cilat përfundojnë me ‘rks-gov.net’ (shih faqja e Zyrës së Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe E-Kosova.
Krypometër ka kërkuar në internet nëse në ndonjë faqe të internetit që operon në Kosovë është hapur ndonjë thirrje e tillë, mirëpo nuk ka hasur në njoftim të njëjtë.
Tutje Krypometër i ka shikuar informacionet e faqes në Facebook ‘Eagle New Zeland’, e cila është krijuar më 31.01.2023 dhe se menaxhohet nga persona me lokacion në Ukrainë.
Krypometër e ka kontrolluar faqen e Agjencisë së Punësimit e cila menaxhon 8 Qendra të Aftësimit Profesional, por aty nuk është publikuar asnjë ftesë për kurse falas i njëjtë me atë të publikuar në faqen ‘Eagle New Zeland’ (arkiva).
“Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) menaxhon 34 Zyra të Punësimit dhe 8 Qendra të Aftësimit Profesional (QAP) të cilat janë institucione publike dhe po ashtu të gjitha shërbimet në këto Qendra janë falas. Qendrat për Aftësim Profesional janë edhe të Akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve”- thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Punësimit për Krypometër.
Arbër Zhubi nga Qendra për Aftësim Profesional në Gjakovë ka thënë për Krypometrin se të gjitha njoftimet i publikojnë në faqen zyrtare të Agjencisë së Punësimit.
“Të gjitha njoftimet publikohen vetëm në faqen zyrtare të institucionit, nuk publokojmë diku tjëtër.”- ka thënë Zhubi për Krypometër.
Zyra Qendrore e Agjencisë ka detyra të ndryshme, duke përfshirë zbatimin e politikave të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në fushën e punësimit, aftësimit dhe riaftësimit profesional, monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të masave dhe programeve aktive të tregut të punës, si dhe hartimin e kurrikulave, materialeve mësimore dhe procedurave të vlerësimit sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.
Në përgjithësi, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës është institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, duke punuar për të koordinuar dhe zbatuar politikat qeveritare në këtë fushë.
Çfarë thotë ligji?
Në Ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë askund nuk ceket se MASHTI obligohet që të ofrojë kurse falas.
Krypometri ka kontrolluar edhe Ligjin për organizimin dhe menaxhimin e arsimit dhe aftësimit parauniversitar, përkatësisht nenin 5 mbi detyrat e ministrisë.
“Ministria mban përgjegjësinë kryesore për planifikimin, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar, si dhe ka detyrat e përgjithshme që të zhvillojë politika, hartojë dhe zbatojë legjislacionin për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit parauniversitar, etj”- thuhet në këtë nen, në paragrafin e parë, por askund nuk përmendet që MASHTI obligohet të ofrojë kurse falas për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Neni 12, i cili është për dispozitat specifike për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, thot se të rriturit mund të arsimohen ose aftësohen në institucionet e licencuara private, publike dhe të partneritetit të niveleve 3 dhe 4 të ISCED-it, sipas dispozitave të këtij ligji, me ndryshimet në vijim të cilat specifikohen në një akt nënligjor ndër ta është edhe caktimi i pagesave për vijim dhe kriteret e pranimit.
Krypometër ka kërkuar në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por aty nuk ka asnjë njoftim për ndonjë kurs për elektricistë apo ndonjë zanat tjetër.
Në një përgjigje për Krypometër, MASHTI ka thënë se nuk është në dijeni të kurseve të tilla dhe se nuk publikohen nga ky institucion.
“Javë më parë i kemi denoncuar në institucionet që i trajtojnë krimet kibernetike këto faqe të cilat në rrjete sociale po e keqpërdorin emrin dhe logon e MASHTI-t. Njëjtë do të veprojmë edhe kësaj here”- thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.