Rrena pa epilog për sigurimet shëndetësore

Deklarata

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është bërë. I kemi kryer të gjitha procedurat për fondin dhe me Ligjin e ri për Buxhetin do të pavarësohet si organizatë e re buxhetore. Vitin 2019 unë po e quaj vit të Sigurimeve Shëndetësore. Të gjithë po më thonë se pse po flet sepse është një përpjekje shumë e madhe, është e vërtetë, por ne duhet ta vendosim një cak dhe të themi që deri në fund të këtij viti do ta kemi dhe të punojmë të gjithë që ta arrijmë atë dhe ky do të jetë viti kur do t’i kemi Sigurimet Shëndetësore

Uran Ismaili

Vlerësimi

Kosova e ka mbyllur edhe një vit pa sigurime shëndetësore. Përkundër faktit që ministri në detyrë, Uran Ismaili e kishte shpallur vitin 2019 si vit të sigurimeve shëndetësore, prapë sigurimet shëndetësore nuk janë funksionalizuar. Katër ministra e kanë premtuar deri më tash fillimin e sigurimeve shëndetësore. Disa herë nuk i kishin dal datat që ministri Imri Ahmeti i kishte premtuar gjatë mandatit të tij. Koalicioni PAN ishte zotuar se funksionalizimi i plotë i sigurimeve shëndetësore do të bëhet brenda një viti. Tash ministri i Shëndetësisë po thotë se kjo mund të ndodh vetëm në vitin 2019.

Artikulli

Ministri në detyrë, Uran Ismaili, disa herë gjatë mandatit ka premtuar funksionalizimin e Sigurimeve Shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

Ai ka theksuar se viti 2019 është viti i sigurimeve shëndetësore dhe e kishte vendosur si prioritet të ministrisë që drejton.

“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është bërë. I kemi kryer të gjitha procedurat për fondin dhe me Ligjin e ri për Buxhetin do të pavarësohet si organizatë e re buxhetore. Vitin 2019 unë po e quaj vit të Sigurimeve Shëndetësore. Të gjithë po më thonë se pse po flet sepse është një përpjekje shumë e madhe, është e vërtetë, por ne duhet ta vendosim një cak dhe të themi që deri në fund të këtij viti do ta kemi dhe të punojmë të gjithë që ta arrijmë atë dhe ky do të jetë viti kur do t’i kemi Sigurimet Shëndetësore”, kishte premtuar Ismaili.

Ismaili në emisionin Argument Plus në RTV 21 , po ashtu kishte premtuar se Ministria do t’i mbulojë edhe barnat jashtë spitalore për pacientët me sëmundje kronike.

Nga qershori (2019), ministri deklaroi se personat me sëmundje kronike, me anë të kartelës identifikuese si pacient i një sëmundje të caktuar, do të mund t’i marrin ilaçet e tyre në barnatore pa pagesë.

“Po ashtu do të punojmë që në gjysmën e dytë të vitit t’i kemi edhe barnat jashtë spitalore të fillojmë t’i paguajmë. Ato janë barna për shembull për tension të lartë dhe janë barna të sëmundjeve kronike, ose ato për diabet dhe ato sot paguhen vet dhe janë një barrë e rëndë familjare sepse paguhen 40-50 deri në 80 euro për person. Qëllimi im është të krijojmë një mbështetje për barnat jashtë spitalore dhe pacientët që janë me këto sëmundje të paraqiten në barnatore me kartelë dhe të marrin barnat që ju takojnë pa pagesë”, kishte vazhduar më tej premtimet Ismaili.

Të njëjtin premtim, Ismaili e kishte bërë edhe gjatë vitit 2017.

Ismaili kishte thënë para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, se në fund të 2018-ës do të fillojë një fazë pilotuese për sigurimet shëndetësore për të vazhduar më pas me implementim të përgjithshëm.

“Sigurimet shëndetësore do të fillojnë vitin e ardhshëm. Sigurisht se një sistem aq i madh duhet të testohet, do të fillohet si parafazë për të filluar në të gjithë Republikën e Kosovës në vitin pasues”, pati thënë  Ismajli.

E premtimet për Sigurime Shëndetësore, Ismaili i ka trashëguar nga paraardhësit e tij.

“Kanë me nis me 1 janar 2017”, pati thënë ish ministri, Imet Rrahmani, duke iu referuar mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore.

E kishte përsëritur të njëjtën deklaratë edhe disa herë gjatë muajve në vijim. Në muajin nëntor të vitit 2016, Rrahmani kishte thënë se janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet e nevojshme për të filluar mbledhja e premiumeve dhe se shumë shpejt do të shihen edhe rezultatet e para të këtij procesi.

Por, zotimet e tij nuk u realizuan, pasi me datën 1 janar 2017 nuk filloi mbledhja e premiumeve.

Rrahmani u arsyetua se prolongimi u bë me rekomandimin e shumë palëve.

“Të gjithë duhet ta dinë, se nuk ka mundësi buxhetore që të krijohet një fond i tillë që sot të fillojë mbledhja dhe në atë kohë të fillojë edhe marrja e shërbimeve. Duhet të jetë një periudhë e grumbullimit të fondit dhe më pas edhe ofrimi i shërbimeve. Mbledhja e premiumeve nuk do të fillojë. Duke marrë për bazë rekomandimet e donatorëve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit kemi ardhur në një përfundim që nuk është kohë e përshtatshme data 1 janar 2017”, pati thënë Rrahmani për Radion Europa e Lirë.

Edhe kryeministri Isa Mustafa kishte thënë se ende nuk janë gati të fillojnë me mbledhjen e premiumeve për sigurimet shëndetësore.

Disa muaj me vonë, Mustafa siguroi se deri në datën 1 korrik do të aktivizohet Fondi për Sigurimet Shëndetsore.

“Përfunduam përgatitjet dhe fillojmë me sigurimet shëndetësore nga 1 korriku 2017. Mirëqenia sociale po rritet dhe do të ngritet”, pati thënë Mustafa më 6 maj të vitit 2016 në rrjetin e tij social në facebook.

Por, gjërat ndryshuan atëherë kur u rrëzua Qeveria Mustafa në Kuvendin e Kosovës. Kur erdhi 1 korriku Qeveria ishte në largim shtyrjen e kërkoi vetë Kryeministri në detyrë Isa Mustafa dhe tha se data për mbledhjen e premiumeve duhet të caktohet nga Kuvendi i ri që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ish ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani, pati thënë se gjashtë muaj pas fillimit të mbledhjes se premiumeve qytetarët do të fillojnë të gëzojnë benefitet e sigurimeve.

Neni 12 i ligjit për sigurime shëndetësore thotë se para se të fillohet shfrytëzimi i të drejtave nga sigurimi shëndetësor i obligueshëm, premiumi duhet të paguhet me kohë për të paktën tre muaj radhazi pa ndërprerje ose për gjashtë muaj me ndërprerje brenda dymbëdhjetë muajve të fundit.

Ligji specifikon qartë se qytetarët dhe banorët me sigurim shëndetësor të obligueshëm kanë të drejtë në shërbimet shëndetësore nga Lista e shërbimeve të kujdesit shëndetësor themelor me kusht që të kenë paguar premiumin në pajtim me ketë ligj ose të jenë të përjashtuar nga ky obligim.

Në një konferencë të mbajtur me ambasadorin gjerman Christian Heldt, Ismaili premtimin e tij e ka bartur për vitin 2020.

Ismaili, tha në një konferencë për media se nga viti i ardhshëm qytetarët do të kenë sigurime shëndetësore.

Gjithashtu Ismaili tha se si ministri janë duke u munduar që ky Fond të mos krijojë borxhe si në rajon, por të ketë mjete të mjaftueshme për qytetarët.

“Gjendja e shëndetësisë ka qenë barrë e rëndë për qytetarët tanë dhe mungesa e shërbimeve kanë shtuar barrën që qytetarët kanë pasur duke ju krijuar atyre shpenzime të mëdha. Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nisë menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti”, tha Ismaili.

Po ashtu, Ismaili tha se kjo ekspertizë do të jetë hapi i fundit dhe shumë i rëndësishëm para fillimit të jetësimit të sigurimeve shëndetësore.

“Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik të këtij viti me ministrin gjerman Spahn.  Ne e dimë sa të rëndësishme janë sigurimet shëndetësore dhe këtë po e bëjmë përmes ekspertizave  gjermane e cila do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm dhe do të jetë hapi i fundit para fillimit të sigurimeve shëndetësore… Viti i ardhshëm është viti kur do të fillojnë edhe sigurimet shëndetësore”, u shpreh ai.

Mashtrimet për Sigurimet Shëndetësore

Sigurimi Shëndetësor, herë n’atë t’enjte, herë n’këtë t’enjte

Ismaili: Sigurimet Shëndetësore në Fund të Vitit 2018

Rrena e Uran Ismailit për sigurimet shëndetësore

Uran Ismaili: Viti 2019, vit i sigurimeve shëndetësore

Uran Ismaili: Viti 2020 do të jetë vit i sigurimeve shëndetësore

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).