Rrena mediale se në tubimin e VV-së nuk kishte asnjë flamur të Kosovës
Deklarata
“Derisa të pranishmit që po marrin pjesë në tubim në duart e tyre po mbajnë flamurin kuq e zi, flamuj të shteteve të tjera por jo edhe atë të Republikës së Kosovës”.
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Kjo informatë nuk është e vërtetë, pasiqë kamerat e KALLXO.com kanë filmuar flamurin shtetëror të Kosovës në tubimin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Artikulli
Gjatë ditës së sotme është mbajtur tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në nderë të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës si dhe për 15 vjetorin e formimit të LVV-së.
Gjatë këtij tubimi u panë flamuj të shumtë kombëtar, ndërsa u raportua se nuk pati asnjë flamur të Kosovës.
Ne media u publikua një lajm se: “Asnjë flamur i Kosovës në tubimin e VV-së”.
Në anën tjetër, këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se në tubimin e LVV nuk kishte asnjë flamur shtetëror.
“Pas aventurës me Serbinë dhe izolimit me Shqipërinë, Lëvizja Vetëvendosje paska provuar të rikthehet në identitet. Në “festivalin” e tyre nuk po shihet asnjë flamur shtetëror. Horrat sërish qenkan mbështjellë me patriotizmin e rremë duke e valëvitur flamurin kombëtar!”, thuhet në postimin e Behramajt.
Ekipet e KALLXO.com të cilët kanë përcjellur tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje kanë raportuar se ka pasur flamuj të Kosovës në po këtë tubim.
Më poshtë u sjellim edhe fotografitë e tubimit ku shihen edhe flamujt e Kosovës.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.