Rrena me fotografi të rrejshme se në ngjarjen e Banjskës u vranë ‘8 terroristë’
Deklarata
Arrin në 8 numri i terroristëve të vrarë në Banjskë
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Arrin në 8 numri i terroristëve të vrarë në Banjskë” është i rremë. Burime zyrtare të Policisë së Kosovës kanë konfirmuar për Krypometër se në Banjskë janë vrarë vetëm 3 persona.
Artikulli
Faqja në Facebook me emrin Tushkofozë ka publikuar (arkiva) një fotografi të një ushtari të vrarë dhe duke shkruar mbi këtë fotografi “FOTO +18 Arrinë në 8-të numri i terroristëve të ngordhur”
Krypometër ka verifikuar nëse ky informacion është i vërtetë dhe në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit me të vërtetë ishin vrarë 8 njerëz.
Krypometër ka konstatuar se me datë 25 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte konfirmuar se në rastin Banjska është zbuluar personi i tretë i vrarë.
Policia e Kosovës zyrtarisht kishte njoftuar se nga ngjarja e Banjskës kishin mbetur të vrarë tre persona nga grupi i armatosur.
Me datë 27 tetor 2023 Gazmend Hoxha drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kishte konfirmuar për KallxoPernime se vetëm tre persona ishin vrarë gjatë sulmit në Banjskë.
Gjithashtu, Krypometri, ka gjetur se fotografia e postuar është e vjetër dhe është publikuar për herë të parë në prill të vitit 2016 dhe nuk është fotografi nga Kosova.
Si përshkruhet në lajmet e publikuara nga mediat ndërkombëtare, trupi i pajetë është nga Azerbajxhani dhe është publikuar më 6 prill 2016. E njëjta fotografi është publikuar në vitin 2016 edhe nga “Aljazeera.net”.
Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm terrorist nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.
Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë, të arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.