Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Rrena e Shaqir Totajt për emërimin e grave në gjysmën e drejtorive
Deklarata
50 me 50 do të jenë grat dhe burrat të emëruar në drejtori
Vlerësimi
Rrenë
Shaqir Totaj nuk e ka mbajt fjalën për emërimin e grave në drejtoritë komunale. Ai ka premtuar se 50% të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Janë emëruar vetëm 5 gra nga 13 drejtoritë që ka kjo komunë apo 38%.
Artikulli
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj i ka emëruar drejtorët në trembëdhjetë drejtoritë komunale. Janë emëruar 5 gra dhe 8 burra në krye të drejtorive komunale.
Drejtorinë e Arsimit, drejtorinë e Shëndetësisë, drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe drejtorinë e Emergjencës dhe Sigurisë, Totaj u ka besuar grave.
Në tetë drejtoritë e tjera Totaj ka emëruar burra.
Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës – Luljeta Veselaj Gutaj, drejtoria e Shërbimeve Publike – Çelë Lamaj, drejtoria e Administratës – Edin Shehu, drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Pranverim Berisha, drejtoria e Kadastrës dhe Gjeodezisë – Senxhar Karamuço, drejtoria e Shëndetësisë – Burbuqe Berisha, drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Bexhat Bytyqi, drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik – Lirija Bytyqi, drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Adem Morina, drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Vjollca Kabashi, drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë – Ramize Shala, drejtoria e Inspektorateve – Islam Ukaj dhe drejtoria e Ekonomisë dhe Financave- Sulltan Badalli.
Kujtojmë se Totaj i ftuar në Debat Përnime ka premtuar se do të emërojë gra në gjysmën e drejtorive.
“50 me 50 do të jenë drejtoritë”, kishte deklaruar Totaj.