array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Rrena e parë e koalicionit LVV-LDK

Deklarata

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi dy zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku 33 zëvendësministra. Pra nga 21 ministri që kishim në qeverinë paraprake, tash do t’i kemi vetëm 15 dhe nga 80 zëvendësministra do të biem në rreth 33”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Të dy partitë që kanë lidhur koalicionin qeverisës, LVV dhe LDK, vazhdimisht kanë deklaruar se numri i ministrive në qeverinë e tyre do të jetë 12. Deklarata të tilla kishin dhënë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputetët e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Abdullah Hoti. Por, tashmë në marrëveshjen e nënshkruar për koalicionin qeverisës këto dy parti janë dakorduar që qeveria e ardhshme t’i ketë 15 ministri.

Artikulli

Sot, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), arritën marrëveshjen për koalicion me ç’rast edhe njoftuan se numri i ministrive nuk do të jetë 12 ashtu siç ishte premtuar por do të jetë 15.

Në konferencën për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion, mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e re do të ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi dy zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku 33 zëvendësministra. Pra nga 21 ministri që kishim në qeverinë paraprake, tash do t’i kemi vetëm 15 dhe nga 80 zëvendësministra do të biem në rreth 33”, tha Kurti.

Prej 15 ministrive, 6 do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, 6 LDK-së dhe tri të tjera do t’i takojnë komuniteteve joshumicë.

Të dy këto parti, që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e deri tek harmonizimi i programit të tyre qeverisës kanë deklaruar që numri i ministrive do të jetë 12, ku LVV-së dhe LDK-së do t’i takojnë nga 5 ministri, ndërsa dy minoriteteve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në emisionin Jeta në Kosovë në “Debat Pernime”, më 26 shtator 2019 kishte shpalosur planin e tij qeverisës, duke deklaruar se qeveria e udhëhequr nga ai, do të zvogëlonte numrin e ministrive nga 21 sa janë tani në 12.

 “Imagjinojeni këtë situatë, nëse i shtoj vetëm edhe dy njerëz të tjerë [duke drejtuar gishtin drejt ekipit prej dhjetë vetësh, kjo është në fakt qeveria ime, dhe qeveria ime do të ketë vetëm 12 ministri.” kishte thënë Albin Kurti.

Edhe pas një takimi me kandidaten e LDK-së për kryeministre si dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, kryetari i LVV-së Albin Kurti kishte dhënë premtimin e njëjtë.

“U dakorduam që t’i zvogëlojmë ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, t’i sjellim diku në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dy vjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim. Gjithashtu u dakorduam që 30 për qind edhe të ministrave dhe të zëvendësministrave të jenë gra në kuadër të përpjekjeve tona për barazi gjinore”, ka thënë Albin Kurti.

E më 30 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje, pas një takimi të mbajtur me LDK-në kishin lëshuar një komunikatë të përbashkët ku edhe ishin zotuar për 12 ministri.

“Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për versionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat”, thuhej në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Edhe në një nga deklarimet e tij publike, kryetari i LVV-së përsëriti zotimin e tij për zvogëlimin e numrit të ministrive.

“Unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës do t’i kem 12 ministri në kabinetin qeveritar, këto bisedime do të zhvillojë drejtpërsëdrejti me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën. Deri sot kemi harmonizuar programin qeverisës në mënyrë të plotë”, ka thënë Albin Kurti më 2 dhjetor.

Edhe zyrtarët nga Lidhja Demokratike e Kosovës  janë deklaruar se qeveria Kurti do t’i ketë 12 ministri.

Më 28 shtator, në emisionin Jeta në Kosovës në “Debat Pernime”, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili kishte prezantuar planin e zhvillimit ekonomik, kishte deklaruar se numri i madh i ministrive i kushton buxhetit andaj edhe do t’i zvogëlojnë.

“Dy vitet e fundit kanë qenë rrënim ekonomik i rëndë dhe i kushtueshëm për shumë vite. Vetëm gjatë vitit të fundit borxhi publik është rritur për 100 milionë euro. Ne e kemi paraparë zvogëlimit të Qeverisë, prej 21 ministrive në 12 ministri, veç 12 ministri asnjë më shumë. Dy zëvendësministra për ministri, pastaj zvogëlimin e agjencioneve ose grumbullimin e tyre brenda një ministrie”, ka thënë Abdixhiku.

Pas një muaji, 29 tetor një deklarim të ngjashëm e kishte bërë edhe Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi në Facebook, kishte thënë që kjo do t’i kursej milionat.

“Deri më tani jemi pajtuar për madhësinë dhe organizimin e Qeverisë, e cila do të këtë vetëm 12 ministri që do të kurseje miliona euro dhe do të rrisë efikasitetin e qeverisjes. Kemi diskutuar në detale programin për zhvillim ekonomik dhe punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve”, kishte shkruar Hoti në facebook.

Përpos zotimeve që këto dy parti kishin dhënë, se qeveria e tyre do të përbëhet nga 12 ministri, dy kandidatët për kryeministra, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kishin nënshkruar 7 zotimet e D+ për qeverisje të mirë.

Njëra nga këto 7 zotimet ishte që “Qeveria do të kufizohet në 15 ministri, me maksimum dy zëvendësministra për ministri”.