array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Rrena e madhe e Qeverisë Hoti për vaksinën kundër coronavirusit

Deklarata

Armend Zemaj, 6 janar 2021: “Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimi”

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Premtimi i kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dhe i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se vaksinat e para kundër coronavirusit do të vijnë në muajin shkurt, kur edhe do të realizohen vaksinimet e para, është një rrenë e kryptë. Asnjë nga vaksinat e porositura nga institucionet e Kosovës nuk ka ardhur në muajin shkurt, rrjedhimisht  as nuk është vaksinuar asnjë qytetar i Kosovës.

Artikulli

28 ditët e muajit shkurt kanë përfunduar para pak minutash dhe ende asnjë vaksinë kundër COVID-19 nuk ka ardhur në Kosovë, përkundër që drejtues të institucioneve qeveritare, përfshirë kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishin premtuar se gjatë muajit shkurt do të vinin kontigjentet e para të vaksinave dhe do të fillonte vaksinimi.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 6 janar ka thënë se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të vijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, kishte theksuar Hoti.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në të njëjtën ditë tha se gjatë atij  muaji (janar) do të finalizohej marrëveshja mes Ministrisë dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm Instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, kishte deklaruar Zemaj.

Por, ende nuk ka një zyrtarizim të marrëveshjes për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 nga kompania Pfizer, ndërsa nuk ka datë nga Qeveria e Kosovës as se kur do të vijnë vaksinat nga prodhuesi COVAX.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me COVAX më 5 janar dhe ata nuk kishin dhënë informacione në lidhje me arritjen e vaksinës.

Ndërsa Pfizer dhe BioNTech nuk kishin konfirmuar nëse kanë arritur marrëveshje me Kosovën për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 për qytetarët e Kosovës.

Në një përgjigje të datës 8 janar për BIRN, ata kanë deklaruar se diskutimet me Qeverinë e Kosovës janë konfidenciale dhe se nuk mund të thonë asgjë në lidhje me deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se tashmë janë siguruar 500 mijë vaksina nga ky prodhues.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, thuhej në përgjigjen e Pfizer për BIRN.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë, më 8 janar, përmes një komunikate kishte insistuar se kanë siguruar vaksinat nga prodhuesi Pfizer dhe se vaksinat e para do të vijnë në Kosovë në muajin shkurt.

“Lidhur me interesimin e mediave dhe të qytetarëve për vaksinat anti COVID-19, Ministria e Shëndetësisë informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 535 000 vaksinave kundër COVID-19. Përveç vaksinave nga Pfizer, siç edhe është bërë e ditur këtë javë, 600 000 vaksina të tjera janë siguruar përmes shtetit të Austrisë, derisa 720 000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi COVAX. Vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar me vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të imunizimit për COVID-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike,  i cili do të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

KALLXO.com kishte filluar matjen e premtimit të ardhjes së vaksinës që nga fillimi i muajit janar, por premtimet për arritjen e vaksinës nuk kanë rreshtur.

Zemaj kishte premtuar më 28 janar dhe 1 shkurt që vaksinat do të arrijnë në muajit shkurt.

Me 28 janar Zemaj ishte përgjigjur shkurt që vaksinat do të vijnë në shkurt. Në pyetjen e KALLXO.com për vaksinat ai ishte përgjigjur vetëm “patjetër”.

Ndërsa, Zemaj më 1 shkurt kishte thënë se janë duke bërë përgatitje intensive që të vaksinohen qytetarët në shkurt.

“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, kishte thënë Zemaj.

Në anën tjetër, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, më 22 shkurt ka thënë se janë duke pritur kontigjentin e parë të vaksinave nga AstraZeneca, por pa specifikuar datë të saktë se kur do të arrijnë këto vaksina në Kosovë.

“Ne jemi duke e pritur kontigjentin e parë të vaksinës së Oksfordit/AstraZeneca”, ka thënë Ramadani në mbledhjen e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe AstraZenecan rreth arritjes së vaksinës, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje ende.

Kosova e fundit në rajon sa i përket vaksinave

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër coronavirusit, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër coronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra. Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.

Kujtojmë se në Kosovë kanë arritur frigoriferët për mirëmbajtje të vaksinave anti- COVID.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka njoftuar më 25 shkurt për arritjen e kontigjentit të parë të shiringave për vaksinat kundër coronavirusit në Kosovë.

Në anën tjetër, pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin.

Në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontigjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontigjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.

Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.

Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.