array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Thaçi - Çollaku

Rrena e kryptë e Presidencës për korrigjimin e kufijve

Deklarata

Hashim Thaçi: Se a do të mund të realizohet objektiva, e drejta e aspirata e qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe liderëve të tyre, e them me përgjegjësi të lartë, do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur, por se a do ta prezantoj në tavolinë, do të informoheni shumë shpejt, e me gjasë kjo edhe do të ndodhë.

Bekim Çollaku: Ky skenar në substancën e tij është duke u trajtuar gjatë këtij viti. Që nga fillimi i këtij viti mund të them që ka filluar të trajtohet jo vetëm ndërmjet dy palëve të përfshira dhe lehtësuesit, BE, por edhe nga shtetet e fuqishme që kanë rol thelbësor në kuadër të këtij procesi.

 

 

Hashim Thaçi, Bekim Çollaku

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Dikush në Zyrën e Presidencës është duke gënjyer sa i përket temës për korrigjimin e kufijve. Presidenti Hashim Thaçi thotë se kërkesën për bashkimin e tri komunave të Luginës së Preshevës do ta vendosë në tavolinën e bisedimeve, në takimet e radhës. Në anën tjetër, këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku ka thënë se tema e korrigjimit të kufijve është diskutuar në tri takimet e para në mes të dy presidentëve, pra që nga fillimi i vitit. Cili është duke gënjyer në këtë pikë, nuk dihet. Por, mjegulla që vjen nga Zyra e Presidentit për kufijtë është një tendencë për manipulim me një prej çështjeve më thelbësore të një shteti, kufirin. Kundërthënës është edhe fakti që nuk është bërë transparent prej personave të përfshirë në bisedimet se cilat kanë qenë kërkesat e Serbisë kur është folur për korrigjim të kufijve.

 

Artikulli

Diskutimet në opinion për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë një kohë të gjatë që kanë filluar. Këto bisedime është thënë prej kohësh që do të zhvillohen në mes presidentëve të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq. Tri takime janë mbajtur në mes të dy presidentëve, mirëpo asnjëherë nuk është thënë se në to është prekur tema e korrigjimit të kufijve.

Deri në verën e këtij viti janë përmendur rezultatet finale, siç është njohja e Kosovës nga Serbia apo anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Në fillim të verës, Thaçi e kishte prezantuar edhe një ide të re.

Zyrtarisht, për herë të parë në publik, përmes një konferencë për media me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi tha se do të kërkojë që tri komunat me shumicë shqiptare, Presheva, Medvegja e Bujanovci t’i bashkohen Kosovës.

Së bashku me përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, në zyrën presidenciale, me 26 korrik të këtij viti, Thaçi kërkoi të respektohet vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës të bërë përmes referendumit të 1992 për bashkim të këtyre 3 komunave me shumicë shqiptare me Kosovën.

Në konferencën e parë ai kishte deklaruar se kërkesën e përfaqësuesve të Luginës për bashkim me Kosovës do ta analizojnë.

“Do të analizojmë me seriozitetin më të madh të përgjegjësisë politike, kombëtare e profesionale që në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë- Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufirit apo demarkacionit në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar tani më të liderëve dhe qytetarëve të Preshevës për institucionet e Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi në takim në 26 korrikut 2018.

Pra, Presidenti kishte deklaruar se do të bëhen analiza serioze për këtë kërkesë të “institucionalizuar” të përfaqësuesve politik të Preshevës.

Tutje, në po të njëjtën konferencë, Thaçi kishte deklaruar se është vështirë të arrihet kjo, mirëpo kishte deklaruar se opinioni publik do të njoftohet shumë shpejt nëse do ta prezantojë këtë kërkesë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Se a do të mund të realizohet objektiva, e drejta e aspirata e qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe liderëve të tyre, e them me përgjegjësi të lartë, do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur, por se a do ta prezantoj në tavolinë, do të informoheni shumë shpejt, e me gjasë kjo edhe do të ndodhë”, kishe thënë në mes tjerash Thaçi.

Në konferencat e radhës, që ishin të shpeshta, Thaçi kishte këmbëngulur që kërkesën për bashkimin e tri komunave me Kosovën do ta paraqesë në tavolinën e bisedimeve.

Mirëpo, Thaçin e ‘tradhtoi’ njeriu i tij më i afërt rreth këtyre deklarimeve. Personi që është pothuajse gjithmonë me presidentin në takime të tilla, shefi i tij i Kabinetit, Bekim Çollaku, deklaronte para 4 ditësh se ideja e korrigjimit të kufirit dhe mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën ka filluar të diskutohet në mes të palëve që nga fillimi i këtij viti.

Pra, mbi 7 muaj më herët, para se Thaçi publikisht të deklaronte se këtë çështje do ta ngritë në tavolinë.

Sipas Bekim Çollakut, kjo temë veçse ishte ngritur në takimin në mes të palëve.

“Ky skenar në substancën e tij është duke u trajtuar gjatë këtij viti. Që nga fillimi i këtij viti mund të them që ka filluar të trajtohet jo vetëm ndërmjet dy palëve të përfshira dhe lehtësuesit, BE, por edhe nga shtetet e fuqishme që kanë rol thelbësor në kuadër të këtij procesi”, kishte thënë Bekim Çollaku në një intervistë të dhënë para 4 ditësh në Klan Kosova.

Pra, dy personat e vetëm pjesëmarrës në këto takime, në publik kanë kundërthënie të mëdha sa i përket hapjes së temës së kufijve me Serbinë.

Përveç kësaj kundërthënieje të madhe, Çollaku dhe shefi i tij në publik japin deklarime të ndryshme edhe rreth një çështje tjetër.

Përderisa presidenti i vendit në pyetjet e gazetarëve se çka do të fitonte Serbia, në rast se pajtohet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, deklaronte se ky nuk është fare shqetësim i tij dhe kërkonte që as të tjerët mos të shqetësohet, për Bekim Çollakun, shefin e kabinetit të tij, në fakt ky është njëri nga shqetësimet.

Në po të njëjtën intervistë të dhënë të Televizionin Klan Kosova, Bekim Çollaku deklaronte se në lidhje me atë çfarë do të ndodhë me veriun, ai nuk mund të flasë, sepse nuk i di ende kërkesat e Serbisë.

“Çfarë do të ndodhë pastaj me veriun, këtu unë do të jem i kufizuar, sepse unë nuk mund të bëjë punën e Serbisë, sepse Serbia ende nuk e ka bërë publike në mënyrë specifike se çfarë synon të nxjerrë në rast se do të ketë korrigjim të kufirit”, kishte thënë Çollaku më 8 tetor.

Ndërsa, kjo është deklarata e Hashim Thaçit e bërë me 1 muaj më herët, më 13 shtator.

“Unë jam i fokusuar se çka fiton Kosova, nuk jam i interesuar se çka kërkon Serbia. Nuk e kam shqetësimin e Serbisë. Të jemi kështu shumë i sinqertë. Shqetësimin që po e dëgjoj aty këtu, se çka fiton Serbia, ta them të drejtën, është shqetësimi më i vogël i imi, ose nuk është fare shqetësim. Mesazhi im është, mos u shqetësoni se çka fiton Serbia, por çka fiton Kosova, e Kosova fiton shumë”, kishte deklaruar Presidenti Thaçi më 13 shtator në njërën nga shumë konferencat për media.

Në anën tjetër, rreth idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë, deri më tani Thaçi nuk ka marrë mbështetje nga partitë politike e as nga krerët e institucioneve vendore.

Ata vlerësojnë se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i paprekshëm.