Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës
Rrena e Kryptë e Kadri Veselit për Uzurpatorë
Deklarata
Kjo është ajo çka e kam bërë me Agjencionin Kosovar të Privatizimit, kemi larguar të gjithë uzurpatorët, në këtë formë do t’i inkurajomë investitorët e ri që të vijnë në Kosovë, të kenë siguri. Kadri Veseli në Emisionin “Rubikon”
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Të dhënat e siguruara nga AKP-ja tregojnë se aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara është lënë në gjysmë, pasi 56 prona shoqërore vazhdojnë të mbahen të uzurpuara.
Artikulli
Në paraqitjen e tij të fundit para publikut, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e ka gënjyer publikun kur ka thënë se të gjitha pronat e uzurpuara shoqërore janë liruar nga uzurpatorët.
E skenuar nga KRYPOMETRI, deklarata e Veselit është vlerësuar si rrenë e kripur. Të dhënat e siguruara nga AKP-ja tregojnë se aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara është lënë në gjysmë, pasi 56 prona shoqerore vazhdojnë të mbahen të uzurpuara. Këto të dhëna janë bërë publike sot gjatë ditës nga drejtori menaxhues i AKP-së Ekrem Hajdari.
” Në fund të vitit 2015 kanë qenë në një listë të publikuar saktësisht 217 uzurpatorë të klasifikuar si të tillë, me të cilët do të thotë kanë qenë në mënyrë joligjore duke shfrytëzuar asetet tona, përderisa tani këtë vit po e përmbyllim vetëm me 56 prej tyre,” ka thënë Hajdari.
Në fillim të vitit, kryekuvendari Kadri Veseli ishte vënë në krye të një iniciative për lirimin e pronave të uzurpuara të AKP-së. Një pjesë e tyre mbaheshin të uzurpuara nga njerëz të fuqishëm. Aksionet për lirimin e pronave nisën në muajin mars dhe cak i tyre ishin edhe njerëz të afërt me PDK-në e Veselit.