Qeverisë ‘nuk i pren sakica me një vend’ për grevistët në arsim

Deklarata

Ramush Haradinaj: Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim. Shyqiri Bytyqi: Ne do t`ia bëjmë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut si qeveri që të fillojmë menjëherë edhe me aktorët e tjerë të arsimit, të debatojmë”, deklaroi ministri Bytyqi.  

Ramush Haradinaj

Vleresimi

Qëndrim i ndërruar

Në kabinetin qeveritar nuk janë në një gojë kur është fjala për ofertat që i kanë për Sindikatën e Arsimit për rritjen e pagave. Derisa kryeministri Haradinaj ka thënë se e kanë dhënë ofertën e fundit, ministri i Arsimit po thotë se do të ketë oferta të reja me qëllim që greva të ndalet dhe të vijojë mësimi nëpër shkollat e Kosovës.

Artikulli

Duke u gjendur para një greve disa ditore, qeveria e Kosovës është dashur të bëjë kompromis për rritje pagash, megjithëse u përballën me refuzim decidiv nga sindikalistët e arsimit.

Mbrëmjen e 20 janarit kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte ftuar në takim kryetarin e SBAShK-ut Rrahman Jasharaj të cilit i kishte propozuar një rritje ‘substanciale’ siç e kishte quajtur ai, të pagave për mësimdhënësit e sistemit parauniversitar.

Rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme ishte 74.8 euro nga paga aktuale, për arsimin fillor 46.8 euro, për mësimdhënësit e sistemit parashkollor 54.9 euro, ndërsa për mësimdhënësit e shkollave speciale, ishte propozuar rritja për 49.8 euro.

Haradinaj kishte ftuar Këshillin Drejtues të SBAShK-ut që ta shqyrtojnë këtë ofertë sepse ishte përfundimtare.

“Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.

Ndërsa një ditë më pas ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi deklaroi se kjo rritje pagash nuk është e ulët sepse ka një implikim buxhetor të lartë.

Mirëpo theksoi se qeveria është duke u përgatitur që të dalë edhe me një ofertë tjetër për mësimdhënësit grevist.

“Ne presim që nesër të gjitha shkollat të fillojnë mësimin dhe nuk ka më asnjë arsye nga askush që të pengohet procesi mësimor. Nxënësit nuk janë fajtorë dhe mendoj se Qeveria ka reflektuar dhe siç ka reflektuar Qeveria të reflektojë edhe SBAShK-u dhe ne do t`ia bëjmë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut si qeveri që të fillojmë menjëherë edhe me akterët e tjerë të arsimit, të debatojmë”, deklaroi ministri Bytyqi.