Prokuroria Speciale nuk i ka akuzuar dy serbë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit
Deklarata
Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër dy serbëve për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Informacioni se Prokuroria Speciale ka ngritur “aktakuzë kundër dy serbëve për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nuk është i saktë. Dy personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale janë të nacionalitit shqiptar dhe janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Burim i informacionit të pasaktë ishte një Kominikatë e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Kjo e fundit e kishte përmirësuar komunikatën 16 minuta më vonë, megjithatë shumë media nuk e kanë përditësuar lajmin dhe informacioni se të akuzuarit janë serbë vazhdon të jetë i publikuar.
Artikulli
Më 28.05.2024, faqja në Facebook “Shkrimet E N” (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër dy serbëve për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Përvec faqes në Facebook “Shkrimet E N”, të njëjtin shkrim e kanë publikuar edhe faqet tjera “Njeshi” (arkiva), “Informim” (arkiva) dhe “Pa Ndjenja” (arkiva).
“Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë– Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet N.B. dhe L.Z. të nacionalitetit serb”- thuhet në lajmin (arkiva) e publikuar.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër i ka analizuar komunikatat e lëshuara nga Prokuroria Speciale për të parë nëse një informacion i tillë është dhënë nga ky institucion.
Krypometër ka gjetur se Prokuroria Speciale e Kosovës, më 28.05.2024 në orën 9:21h kishte dërguar tek mediat një komunikatë në të cilën thuhej se dy të akuzuarit janë të nacionalitetit serb.
“Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet N.B. dhe L.Z. të nacionalitetit serb”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të datës 28.05.2024, në ora 09:21h.
Në të njëjtën ditë (28.05.2024), në orën 09:37h, Prokuroria Speciale kishte dërguar një njoftim në të cilin deklaronte se në komunikatën e parë është bërë një gabim teknik.
“Të nderuar, ju lutem që komunikatën e mëparshme mos e publikoni pasi që është lëshuar me një gabim teknik. Andaj kërkoj mirëkuptimin nga ju që ta publikoni këtë komunikatë”- thuhet në njoftimin e dytë të PSRK-së, me datë 28.05.2024. (ARKIV)
Gabimi teknik të cilit i referohet Prokuroria kishte të bënte me nacionalitetin e dy personave të akuzuar.
“Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet N.B. dhe L.Z. Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve të lartcekur është ngritur për shkak të veprës penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’’ nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe neni 31 të KPRK-së”- thuhet në Komunikatën, të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës, e ka dërguar tek mediat, më 28.05.2024 në orën 09:37.
Përkundër faktit që Prokuroria Speciale e ka dërguar njoftimin e dytë pas 16 minutave, shumë media nuk e kanë edituar lajmin e publikuar në të cilin thuhet se të akuzurit janë të nacionalitetit serb. Lajmet që thonë se të akuzuarit janë serbë vazhdon të jetë i publikuar më datën 29.05.2024, në ora 21:07h kur edhe është publikuar ky Krypometër.
Çfarë thotë dosja e plotë e Prokurorisë?
Krypometri ka arritur që të sigurojë edhe dosjen e Prokurorisë Speciale në lidhje me këtë çështje, si dhe ka verifikuar se dy të akuzuarit nuk janë shtetas serbë, por shtetas të Shqipërisë.
Niko Bllazhde në bazë të dosjes që ka siguruar Krypometri, është shqiptar, shtetas i Shqipërisë me profesion klerik fetar në Kishën Ortodokse Shqiptare, Kryekisha Kozmai në Elbasan. (ARKIV Aktakuza)
Personi tjetër i akuzuar është Lejdi Zagalli po ashtu me etni shqiptare, shtetas i Shqipërisë me profesion klerik fetar në Kishën Ortodokse Shqiptare në Elbasan. (ARKIV aktakuza)
Dosja e Prokurorisë Speciale ka përshkruar se dy të akuzuarit Bllazhde dhe Zagalli më datë 27.11.2023 së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar me qëllim të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike pa autorizim kanë hyrë në Kishën Shën “Arhangel Mihaili” në fshatin Rakinicë, Komuna e Podujevës e cila është në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe, duke hapur dyert në mënyrë të dhunshme, e më pas të njëjtën kishin për qëllim ta shpallnin si Kishë me emërtim “Fan Noli”.
Me këto veprime dy të lartëpërmendurit dyshohet se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit.
Niko Bllazhde, sipas Aktakuzës, dyshohet se me 30.11.2023 përmes një video inçizimi të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ kishte bërë nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare, kombëtare dhe etnike ashtu që publikisht i njëjti kishte bërë thirrje ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe Dioqezës së Rashkës që të mos i afrohet Kishës Ortodokse në Podujevë.
Në bazë të deklaratës që kishte dhënë në Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë Kundër Terrorizmit më 08.04.2024, Zagalli kishte thënë se në Kosovë ka ardhur me ftesë të një kleriku fetar dhe kishte mbajtur meshën she nuk e kishte ditur se për çfarë bëhej fjalë.
Huqja kapitale që rrezikon tensionimet ndëretnike
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë përplasje e mospajtime për shumë tema. Serbia nuk e njeh pavarësinë e shpallur nga Kosova më 17.02.2008. Të dy vendet kanë filluar procesin e dialogut që nga viti 2011 duke nënshkruar me dhjetëra marrëveshje në mes të dy shteteve.
Më 27.02.2023, Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në Bruksel marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh. Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e arritën në Bruksel.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes kanë ndodhur disa incidente në veri të Kosovës, duke kulmuar me 24.09.2023 me sulmin në Banjskë nga një grup terrorist i udhëhequr nga Millan Radoiçiq. Terroristët ishin strehuar nga Manastirin e Banjskës.
Në orët e para më 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm terrorist.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Disa prej personave të përfshirë në sulmin në Banjskë u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit kanë ikur në Serbi. Gati pesë muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij, kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën për këtë sulm duke thënë tutje edhe se pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Lista Serbe. Radoiçiq gjithashtu po kërkohet nga INTERPOL për rastin e Banjskës.