Pritjet n’hava të Arsim Bajramit për PISA 2018

Deklarata

Arsim Bajrami, 05.12.2016- “..jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”

 

Arsim Bajrami, 27.12.2016-“Në testin e ardhëm PISA nuk premtoj mrekulli, por premtoj ngritje. Synimi im është që të mbërrijmë në 400 pikë për PISA 2018”

 

Arsim Bajrami, 19.09.2019- “…PISA e 2019, do ta rangojë Kosovën për 10 deri në 15% pak më mirë…”

Arsim Bajrami

Vlerësimi

Rrenë

Vlerësimi: Asnjëra nga parashikimet e ish-ministrit Bajrami në lidhje me rezultatet e testit PISA nuk është përmbushur. Testi i sivjetshëm ka sjellur vetëm 10 pikë më shumë në total për Kosovën.

Artikulli

Rezultatet e testit PISA në vitin 2015 kishin tronditur publikun, ekspertët e fushës por edhe politikanët.

Kosova ishte renditur e treta nga fundi në mesin e 72 vendeve të botës për nga aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim, matematikë e shkencë.

Ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami më 5 dhjetor të vitit 2016 i kishte quajtur rezultatet “e pritshme” duke shtuar se ato nuk e reflektojnë punën e tij por atë të qeverive paraprake.

Ai madje ishte zotuar se testi i ardhshm PISA (rezultatet të cilit dolën sot), do ta paraqiste Kosovën në nivel shumë më të mirë.

“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, tha Bajrami.

Disa javë më pas, Bajrami ishte treguar më realist në pritjen e tij për rezultatet e 2018-ës.

“Në testin e ardhshëm PISA nuk premtoj mrekulli, por premtoj ngritje. Synimi im është që të mbërrijmë në 400 pikë për PISA 2018”, tha Bajrami.

Një tjetër premtim për PISA, Bajrami e dha edhe më 19 shtator të vitit 2019, në emisionin “Jeta në Kosovë”.

KALLXO.com sot publikoi rezultatet e PISA 2018 që e rangojnë Kosovën me pak dallim nga hera e kaluar.

Më saktësisht, Kosova edhe kësaj radhe u rendit e treta nga fundi, por në mesin e 79 vendeve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, më 2015 në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

Në këtë llogaritje, del se premtimi i Arsim Bajramit se Kosova do të renditet njëjtë si vendet e Bashkimit Europian e të Rajonit, nuk qëndron, meqë rezultatet nuk e afrojnë e lëre më ta kalojnë Kosovën prej asnjërs së këtyre vendeve.

 Ai gjithashtu kishte synuar arritjen e 400 pikëve, që nuk u arrit.

Historiku i PISA-s në Kosovë

Testi i dytë PISA  në Kosovë u mbajt nga 11 prilli deri më 5 maj të vitit 2018 ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA dhe ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Në anën tjetër, në testin PISA 2015,  Kosova ishte renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin ku morën pjesë 72 shtete.

Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Testi kishte gjetur se në fushën e leximit 77 për qind të nxënësve nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në fushën e shkencave 68 për qind.

As ngritja prej 10-15 përqind nuk u arrit.