Pretendimi i rremë se ‘panxhari e lufton kancerin’
Deklarata
Panxhari perimja kunder demences, tumorit në prostatë dhe gji dhe shume semundje te tjera
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë artikulli me titullin: “Panxhari perimja kunder demences, tumorit në prostatë dhe gji dhe shume semundje te tjera”. Pretendimet e ngritura në këtë artikull se “panxhari e lufton tumorin në prostatë e gji” nuk janë të bazuara në shkencë. Shefi i Shërbimit të Radioterapisë në këtë Klinikë, Behar Raci, ka thënë se nuk ka bazë shkencore që panxhari e lufton tumorin, edhepse, në mënyrë indirekte, mund të ndihmojë përmes forcimit të imunitetit. Onkologu tjetër në Klinikën e Onkologjisë, Destan Azemi, thot se kanceri është çrregullim i kodit gjenetik. Këto vitamina (pemë e perime) kanë ndikim në imunitet. Është e vërtetë, por asesi s’mund të themi që ka mundësi të shërojnë kancerin sepse, s’mund t’i rregullojnë kodet gjenetike.
Artikulli
Më 16.11.2024, faqja, në Facebook, ‘Lajmin Express’ (arkiva) ka publikuar një artikull rreth benefiteve, që ka Panxhari në organizëm. Madje, thuhet se panxhari lufton tumorin në prostatë dhe në gji.
Ky artikull është shpërndarë edhe në uebfaqen ‘shqipinfo.net’ (arkiva) me titull: “Panxhari perimja kunder demences, tumorit në prostatë dhe gji dhe shume semundje te tjera”.
Aty përmenden disa Hulumtime, të bëra në tri Universitete të ndryshme të botës.
Krypometër ka kërkuar në Google, nëse këto Universitete kanë bërë ndonjë hulumtim të tillë. Por, nuk është gjetur diçka konkrete rreth panxharit.
Madje, në këtë tekst, përmendet edhe Universiteti i Exeterit, i cili është i shkruar gabimisht.
“Për shkak të shijes së brendësisë së kuqe ngjyrë rubini, panxhari është një nga përbërësit më të dashur në ushqim. Por njëkohësisht është edhe arma sekrete për energji dhe ndihmon në luftën e organizmit kundër kancerit. Panxhari i kuq përmban nivel të lart të nitrateve, madje 20 herë më shumë se çdo perime tjetër. Janë të njohura dobitë e panxharit të kuq në luftën kundër kancerit, ndërsa hulumtimet e fundit kanë zbuluar që nitratet të cilat i përmban ulin tensionin e gjakut”- thuhet në këtë Artikull.
Për këtë pretendim, Krypometër ka kërkuar edhe shpjegime nga onkologë të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Shefi i Shërbimit të Radioterapisë në këtë Klinikë, Behar Raci, ka thënë se shkencërisht nuk ka të vërtetuar asgjë lidhur me këtë pretendim.
“Lidhur me rëndësinë e panxharit te tumoret, nuk ka të bëjë shumë me aspektin profesional. Pasi që, panxhari dhe produktet e tjera me natyrë bimore përmbajnë në vete përbërës të rëndësishëm si: vitamina, minerale… Mirëpo, në trajtimin onkologjik, nuk kemi të dhëna shkencore për këtë. Në përgjithësi, ajo çka dihet është që të gjitha produktet bimore me përmbajtje të vitaminave, mineraleve ndikojnë në rritjen e imunitetit. E, kështu, në mënyrë indirekte, mund të luftojnë edhe sëmundjet tumorale. Sidomos, produktet bimore me sasi më të mëdha të vitaminës B17.”- ka thënë Raci për Krypometër.
Krypometër ka biseduar edhe me onkologun tjetër të Klinikës së Onkologjisë, Destan Azemi, i cili ka thënë, se nuk ka mundësi që një perime të shërojë kancerin.
“Kanceri është çrregullim i kodit gjenetik. Këto vitamina (pemë e perime) kanë ndikim në imunitet. Është e vërtetë, por asesi s’mund të themi që ka mundësi të shërojnë kancerin sepse s’mund t’i rregullojë kodet gjenetike. Panxhari mund të ndihmojë në ndonjë sëmundje virusale, por nuk mund ta luftojë kancerin.”- ka thënë Azemi.
Edhe onkologu tjetër, Ekrem Hyseni, ka thënë se panxhari nuk ka ndonjë efekt në shërimin e kancerit.
“Panxhari ka veti të lehta antioksidante, por nuk ka ndonjë efekt domethënës kundër kancerit”- ka thënë Hyseni për Krypometër.