array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Pretendimi i pabazuar se një lloj druri shëron diabetin dhe tensionin e lartë të gjakut

Deklarata

Druri që shëron tensionin e lartë dhe diabetin

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Me kos

Postimi me titullin “Druri që shëron tensionin e lartë dhe diabetin” nuk është i bazuar në fakte shkencore. Në këtë video janë dhënë konstatime për të cilat nuk janë ofruar fakte dhe të njëjtat janë të paprovuara shkencërisht. Endokrinologu Amir Rexhepi thotë se ky informacion është i paverifikuar i parekomanduar në aspektin shëndetësor e shkencor, pasi nuk dihet se çfarë dobishë ka, qofshin ato pozitive apo negative. Diabeti duhet të trajtohet bazuar në protokolet shëndetësore, të cilat kanë bazë shkencore të provuar.

Artikulli

Më 25.07.2024 faqja në Facebook ‘DTV Media’, (arkiva) ka publikuar një video me titull “Druri që shëron tensionin e lartë dhe diabetin”.

Në këtë emision telefonon një dëgjues nga një shtet i Europës, i cili thotë se në një fshat të Skënderajt është një lloj druri i cili pretendohet se shëron yndyrën në gjak, diabetin e tensionin e lartë të gjakut.

Telefonuesi thotë se “Kush ka nevojë për të, i tregoj ku mundet me gjet atë dru, e drejtoj ku me shku edhe shkon e merr. Ai dru kur lulëzon gjatë verës, fletët e tij e kanë një aromë që ndoshta as parfumi se ka atë aromë aq të bukur. Ai dru nuk rritet mbi 1 metër e gjysmë”- thotë telefonuesi.

Prezantuesja e emisionit nuk ka kërkuar fakte që dëshmojnë se një dru mund të shërojë tri prej sëmundjeve që prekin një numër të madh të qytetarëve.

Krypometër ka biseduar me endokrinologë dhe kardiologë për të kuptuar nëse të njëjtit rekomandojnë ndonjë gjë të tillë për këto sëmundje.

Si trajtohet tensioni i lartë i gjakut?

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, ka thënë se presioni i lartë i pakontrolluar i gjakut mund të çojë në komplikime, duke përfshirë: Sulm në zemër ose goditje në tru, aneurizëm të aortës, probleme me veshka, probleme me sy, sindromë metabolike, etj..

Ai ka thënë se hipertensioni mund të vijë si pasojë e problemeve tjera shëndetësore, të cilat duhet të identifikohen në mënyrë që të trajtohet hipertensioni. 

“Nëse jeni diagnostikuar me shtypje të lartë të gjakut, mjeku mund të rekomandojë teste për të kontrolluar shkakun, duke përfshirë teste laboratorike, EKG, ultrazë  të zemrës dhe në bazë të ekzaminimeve plotësuese vihet në përdorim të terapisë adekuate”- tha ai për Krypometër.

Ai tutje ka shpjeguar se ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndihmojë në kontrollin dhe menaxhimin e shtypjes të lartë të gjakut, mirëpo ato mund të jenë të pamjaftueshme.

“Regjimi dietal me më pak kripë dhe me pak yndyrna, marrja e rregullt e aktivitetit fizik, mbajtja e një peshe të shëndetshme ose humbja e peshës, kufizimi i alkoolit, ndalimi i duhanpirjes. Ndonjëherë ndryshimet në stilin e jetës nuk janë të mjaftueshme për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, andaj mjeku i juaj  mund t’ju rekomandojë barnat për të ulur presionin e gjakut”- ka shtuar Shurdhiqi.

A shërohet sëmundja e diabetit?

Endokrinologu Adem Rama ka thënë se diabeti është sëmundje kronike tek e cila faktori kryesor është komponenta gjenetike, pra trashëgimia. Por, kjo sëmundje ka edhe shkaktarë të tjerë.

“Trashëgimia nuk mund të ndikohet. Obeziteti te diabeti i tipit 2 ku 75 për qind prej tyre janë obezë, pastaj është ushqimi i shpejtë duke mos harruar edhe stresin. Ne kemi vërejtur te popullata jonë që pas luftës pacientët referojnë se nuk ka askënd në familje me diabet por atij i është paraqitë sheqeri, pra edhe komponenta e stresit ka ndikim në paraqitjen e diabetit”- ka thënë Rama.

Ai ka rekomanduar se secili pacient duhet të konsultohet me specialistët e fushës në mënyrë që të marrë udhëzime të personalizuara për trajtim të diabetit. Ai ka thënë se pacientët që vonohen në trajtim të diabetit sipas udhëzimeve të profesionistëve shëndetësor mund të kenë komplikime.

“Shkenca botërore perëndimore tregon që për diabet të tipit 1 gjithësesi duhet të merret insulinë; tipi dy mund të trajtohet vetëm me tableta dhe përcjellje strikte; më shumë te diabeti 1 për shkak të moshës së pacientit që të mos kemi komplikime më vonë dhe normalisht edhe diabetin e tipit 2 që njihet se diabeti që lajmërohet në pleqëri, humbja e kohës te diabeti kushton shumë”- tha Rama.

Krypometër ka biseduar me endokrinologun Amir Rexhepi, nëse i njëjti ka dëgjuar për drurin për të cilin është raportuar se mund të shërojë diabetin.

Rexhepi thotë se nuk ka asnjë bazë shkencore lidhur me këto receta shtëpiake, prandaj i ka rekomanduar pacientët mos të përdorin receta nga interneti pa rekomandimin e mjekut përkatës.

“Kjo recetë është shtëpiake dhe e pa verifikuar që nuk është mirë të përdoret për shkak se nuk dihet çfarë dobish ka apo edhe anë negative të cilat mund t’i ketë. Pra ky informacion është i paverifikuar i parekomanduar në aspektin shëndetësor e shkencor. Nuk është mirë të përdoret asnjë recetë apo rekomandim nga interneti pa u konsultuar me mjekun përkatës në këtë rast, duhet të konsultohet endokrinologu, sepse s’ka ndonjë bazë shkencore që kjo mund të shërojë diabetin”- tha Rexhepi.