Pretendimet të rrejshme se një kremë e shëron diskun në boshtin e kurrizit
Deklarata
Ekspertët mjekësorë urbanë janë të habitur! Trajtim efektiv i nyjeve të gjurit brenda vetëm 3 ditësh
Vlerësimi
Me kos
Në artikullin me titull “Ekspertët mjekësorë urbanë janë të habitur! Trajtim efektiv i nyjeve të gjurit brenda vetëm 3 ditësh”- janë dhënë konstatime që nuk janë të bazuara në fakte. Në këtë artikull promovohet një produkt që nuk ka Autorizim të Marketingut, dokument i nevojshëm për ilaçet që tregtohen në Kosovë. Ortopedi Zukë Xani thot se kremi që promovohet në këtë shkrim nuk është pjesë e protokoleve për shërim të kësaj sëmundjeje. Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intrartikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik.
Artikulli
Më 24.11.2024, faqja në Facebook ‘‘Med Point 24’ (arkiva) ka publikuar një artikull i cili pretendon se e kanë ilaçin për trajtimin e nyjeve të gjurit.
“Ekspertët mjekësorë urbanë janë të habitur! Trajtim efektiv i nyjeve të gjurit brenda vetëm 3 ditësh”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
Kur klikohet postimi në Facebook, linku të dergon te faqja e internetit ponudata.com (arkiva), në të cilën është publikuar një artikulli me titull “Protexx Krem për Lehtësimin e Dhimbjeve dhe Shërimin e Nyjeve me Helmin e Bletës”.
“Kremi i Parë me Dozë të Lartë të Helmit të Bletës. Testuar dhe Miratuar nga Mjekët. Anti-Inflamator dhe Qetësues i Dhimbjeve. Pa lehtësim dhimbjesh apo rezultate? 100% Kthim Parash!”- thuhet për kremëin e promovuar në këtë artikull.
Krypometër ka kërkuar edhe te lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë, nëse i njëjti është i lejuar për tu shitur e tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë (AKPPM), rezulton se produkti Protexx nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Artikulli pretendon se e citon kirurgun ortopedik Geoffrey Westrich, për të cilin thuhet se “mbështet këtë kremë për Lehtësimin e Dhimbjeve dhe Shërimin e Nyjeve me Helmin e Bletës për individët që vuajnë nga gjendje të nyjeve dhe kockave, si osteoartriti, artriti reumatoid dhe çrregullime të tjera inflamatore”.
Westrich është i ilustruar edhe me një fotografi, të cilën Krypometri e ka verifikuar përmes Google Image dhe ka gjetur se fotografia i takon atij dhe se Westrich, është kirurg ortopedik, por që Krypometri nuk ka gjetur ndonjë studim të tij rreth kësaj kreme.
I kontaktuar nga Krypometër, ortopedi Zukë Xani thotë se trajtimi i sëmundjes Osteoartrit është shumë kompleks. Ai thot se kremi që promovohet në këtë shkrim nuk është pjesë e protokoleve për shërim të kësaj sëmundjeje.
“Nuk kam njohuri për këtë kremë e as nuk e di çfarë substance aktive ka. Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intrartikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik, pra gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja”- ka thënë Xani për Krypometër.
Krypometër ka biseduar edhe me ortopedin e Klinikës së Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Blerim Qosaj, i cili ka thënë se mund të ketë ndonjë efekt pozitiv por jo me shëru krejt ato sëmundje.
“P.sh., aty po tregon se si e shëron diskun në boshtin e kurrizit që s’ka shanca, ose artroza e gjurit, nuk është e mundur të shërohen me këtë kremë. Artroza shërohet me barna që kanë përmbajtje për rigjenerim të kërcës ose me trajtime operative, proteza nëse kanë prograduar. Ama me ly me kremë e me u shëru, hiç s’ka shanca. Mund të ndikojë në zvoglimin e dhimbjes, por, jo në shërim.”- ka thënë Qosaj për Krypometër.