![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/47-720x378.png)
Pretendime të rreme se një kremë i shëron 14 sëmundje të eshtrave dhe nyjeve
Deklarata
Lirohuni nga Dhimbjet e Kyçeve , Shpinës , Gjunjëve, Reumës në javën e parë të përdorimit me kremin Zvicran Mosein
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë pretendimi i bërë në një video që thot: “Lirohuni nga Dhimbjet e Kyçeve , Shpinës , Gjunjëve, Reumës në javën e parë të përdorimit me kremin Zvicran Mosein”. Në këtë video pretendohet se një kremë mund të shërojë 14 sëmundje të eshtrave dhe nyjeve, mirëpo specialistët alarmojnë pacientët që mos të përdorin produkte pa përshkrim të mjekëve. Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu, ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve, pasi trajtimi i sëmundjeve të eshtrave dhe reumatike kërkonë që të ndiqen protokolet shëndetësore. Ndërsa reumatologia Arbnora Shabani Berisha thot se sëmundja e artritit reumatoid, nëse nuk trajtohet në mënyrë adekuate, mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet si dhe në prekje të organeve të trupit.
Artikulli
Më 04.11.2024 faqja në Facebook Mossein.ch (arkiva dhe arkiva) ka publikuar një video me anë të së cilës pretendohet se një kremë shëron dhimbjen e kyçeve, shpinës, gjunjëve e heq reumën.
“Lirohuni nga Dhimbjet e Kyçeve , Shpinës , Gjunjëve, Reumës në javën e parë të përdorimit me kremin Zvicran Mosein”- shkruan në titull të këtij publikimi.
Tutje në këtë postim pretendohet se kjo kremë shëron disa sëmundje të eshtrave.
“Shëron Reumen , të gjitha dhimbjet reumatike; Rigjeneron dhe forcon indin kërcor; Largon dhimbjet e gjurit dhe mungesen e yndyrës; Siguron lehtësim të menjëhershëm dhe afatgjatë të dhimbjeve muskulare; Ul ndjeshëm fryrjen dhe ënjtjen e artikulacioneve; Shëron dhimbjet e shkaktuara nga nervi shiatik; Targeton dhimbjet në shpatulla, fundshpinë, gjunjë, kyçe dhe dhimbjet e artritit; Shëron dhimbjet e gjurit, brrylave, belit, çafës; Largon rrënjësisht problemin, jo vetëm maskon simptomat; Lehtësimin e shpejtë të dhimbjeve të artikulacioneve; Shërben për mungesen e Yndyres; Kundër Spondilozës; Parandalimin dhe lehtësimin e spazmave muskulore; Veti antibakteriale dhe antiseptike dhe Ndalon te gjitha dhimbjet e ndryshme te sistemit skeletor.”- shkruan në këtë artikull.
Krypometër ka konsultuar disa profesionistë shëndetësor për të parë nëse këto krema e receta të mund të shërojnë këto sëmundje.
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu, ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
Ai ka shpjeguar se secili ilaç që konsumohet ka efekte anësore, prandaj është e nevojshme që profesionistët shëndetësor të bëjë përshkrimin e tyre në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet tjera përcjellëse që mund të ketë ai.
Trajtimi i këtyre sëmundjeve, sipas Kryeziut bazohet në tri fusha kryesore, e grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit.
“Grupi i dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhjes së sëmundjes, ose e ndalë procesin.”- ka thënë ai duke shtuar se në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
“Diagnostikimi kalon në disa drejtime, analizat, serologjia, rezonanca, ultrazëri, etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokoleve të cilat nuk i kemi shpikë ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës, tash disa kanë nevojë më tëpër për terapi medikamentoze e pastaj fizioterapi. Një grup tjetër, kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia.”- thot Kryeziu.
Krypometër ka biseduar me reumatologun Besim Demolli, për të parë nëse një produkt i tillë mund të shërojë të gjitha sëmundjet që përmenden në shkrimin e publikuar nga faqja.
Demolli ka thënë për Krypometër se osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.
“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”– tha Demolli për Krypometër.
Demolli ka thënë se këto sëmundje nuk mund të shërohen me suplemente. Ai ka thënë se personat që kanë sëmundje të tilla duhet të konsultohen me profesionistë.
“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit.”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.
Ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik, pra gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja”- tha Xani për Krypometër.
Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thot se është esenciale që secili ilaç apo supliment të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin, etj.
Ajo ka dhënë sqarime për këtë sëmundje në një postim në profilin e saj në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet si dhe në prekje të organeve të trupit.
“Artriti reumatoid është sëmundje inflamatore e nyjeve. Sëmundja zakonisht fillon gradualisht, por ndonjëherë ndodh papritmas, kur preken disa nyje në të njëjtën kohë. Dhimbja zakonisht shoqërohet me ënjtje të nyjeve, gjë që e komplikon më tej funksionimin. Nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet si dhe në prekje te organeve të trupit.”- ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook.
Tutje ajo ka thënë se është esenciale identifikimi i hershëm i sëmundjes, pasi ata kanë gjasa më të mëdha për trajtimin e saj.
“Trajtimi bëhet me kortikosteroide si dhe gati se gjithmonë duhet të fillohet me Metotreksat në dozën e duhur. Në pacientët tek të cilët Metotreksati është i pamjaftueshëm ose ka treguar efekte anësore, ekzistojnë një numër barërash tjerë që mund të përdoren”- ka shkruar tutje ajo.