Pretendime të rreme për pastrimin e mushkërive dhe luftimin e kancerit
Deklarata
Kepurdha e jetgjatsise kuron keto sëmundje. Reishi – Kepurdha e jetëgjatësisë Efektet: Pastron mëlçinë, përmirëson sistemin imunitar, normalizon presionin e gjakut, redukton kolesterolin, qetëson alergjitë, redukton pagjumësinë, bllokon shpërndarjen e viruseve ne trup…
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi i publikuar në Threads që thot: “Kepurdha e jetgjatsise kuron keto sëmundje. Reishi – Kepurdha e jetëgjatësisë Efektet: Pastron mëlçinë, përmirëson sistemin imunitar, normalizon presionin e gjakut, redukton kolesterolin, qetëson alergjitë, redukton pagjumësinë, bllokon shpërndarjen e viruseve ne trup…”. Pulmologu Besim Morina ka thënë se termi “pastrim i mushkrive nga nikotina” nuk është as logjik e as shkencor, pasi nikotina nga mushkëritë kalon në gjak, e më pas vepron në receptorët e vet në tërë trupin, përfshi ato në sistemin nervor ku jep efekte më të mëdha. Shefi i Shërbimit të Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, Behar Raci, ka thënë se produktet bimore i rekomandojnë për imunitet jo për terapi.
Artikulli
Më 18.08.2024, një faqe në rrjetin social Threads (arkiva) ka publikuar një artikull për një lloj këpurdhe që pretendohet se quhet ‘këpurdha e jetëgjatësisë’.
“Kepurdha e jetgjatsise kuron keto sëmundje. Reishi – Kepurdha e jetëgjatësisë Efektet: Pastron mëlçinë, përmirëson sistemin imunitar, normalizon presionin e gjakut, redukton kolesterolin, qetëson alergjitë, redukton pagjumësinë, bllokon shpërndarjen e viruseve ne trup….”- shkruan në infografikën e publikuar.
Artikulli rekomandon një ilaç të quajtur ‘Reishi Plus’.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë (AKPPM) rezulton se produkti ‘Reishi Plus’, nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Pulmologu, që është pjesë e Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Besim Morina, ka thënë se termi “pastrim i mushkrive nga nikotina” nuk është as logjik e as shkencor.
“Nikotina është substancë kimike që nuk mbetet në mushkëri, ajo kalon përmes mushkrive nga ajri i thithur në qarkullimin e gjakut dhe vepron në receptorët e vet në tërë trupin, përfshi ato në sistemin nervor ku jep efekte më të mëdha. Pohimi i tillë, që të pastrohen mushkritë nga nikotina, s’ka kurrfarë kuptimi, është jo logjik dhe i rrejshëm”- ka thënë Morina.
Shefi i Shërbimit të Radioterapisë në Klikën e Onkologjisë në QKUK, Behar Raci, ka thënë se produktet bimore i rekomandojnë për imunitet, jo për terapi.
“Të gjitha produktet bimore besohet se ndihmojnë sëmundjet imunitare dhe njëkohësisht rrisin mundësinë për të luftuar sëmundjet malinje, mirëpo, si rekomandime, ne japim për imunitet, jo si terapi për kancer. Do të thot, përdoret për të rritur imunitetin, që në mënyrë indirekte mund të forcojë sistemin imunitar në luftë kundër sëmundjeve kanceroze.”- ka thënë Raci për Krypometër.
E për të verfikuar pretendimin se një produkt i tillë arrinë të bllokojë shpërndarjen e viruseve në trup, Krypometër ka biseduar me mjekun familjar, njëherish drejtorin e QKMF-së, Fevzi Sylejmani.
Sipas tij, viruset largohet nga trupi nga vet sistemi imunitar i secilit pacient.
“Secili individ e ka sistemin e vet imunitar, viruset i largon sistemi, e jo këpurdhat apo diçka tjetër. Këto ‘medikamente’ edhe mund ta ndihmojnë sistemin, por, assesi nuk eliminojnë mikroorganizma.”- ka shpjeguar Sylejmani.