array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=6"
  }
}

Foto: KALLXO.com

Presidenti Thaçi “i zbut” fjalët ndaj emisarit Lajçak dhe BE-së

Deklarata

Hashim Thaçi (26.05.2020)- “Nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”

Hashim Thaçi (06.10.2020)- “Ne kemi nevojë për BE dhe BE ka nevojë për ne! Duhet të veprojmë. Lajçak ka mbështetjen time në këtë proces”

Hashim Thaçi

Vlerësimi

Qëndrim i ndërruar

Presidenti Hashim Thaçi ka ndërruar qëndrimin sa i përket ndërmjetësimit të dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja dhe specifikisht emisari Miroslav Lajçak. Përderisa Thaçi kishte kundërshtuar emërimin e Lajçak dhe ishte shprehur skeptik për suksesin e tij në dialog, ai tani thotë se e mbështet procesin e ndërmjetësuar nga BE dhe të udhëhequr nga Lajçak.

Artikulli

Presidenti i Kosovës e ka ndërruar qëndrimin dhe qasjen e tij ndaj të emëruarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Thaçi, i cili më herët kundërshtonte emërimin e Lajçak si emisar për dialogun dhe ishte skeptik për suksesin që zyrtari i BE-së do të mund ta mbërrinte në procesin e negociatave, tashmë ka pasur një takim me të, të cilin e ka vlerësuar si të shkëlqyeshëm.

Presidenti kosovar, në vazhdimësi ishte shprehur edhe kritik ndaj BE-së për dialogun e çështjen e vizave, ndërkaq tani është shprehur se Kosova ka nevojë për BE-në.

“Bisedë e shkëlqyeshme me Miroslav Lajçak në Bruksel. Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare. Ne kemi nevojë për BE dhe BE ka nevojë për ne! Duhet të veprojmë. Lajçak ka mbështetjen time në këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Foto: Hashim Thaçi/Twitter

Para se Lajçak të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë  se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Në një nga votat vendimtare që i është premtu Kosovës në Interpol, në fund e ka mbyll telefonin dhe e ka votu kundër Kosovës është Mirosllav Lajçak”, tha Thaçi, duke u shprehur i zhgënjyer nga ana e BE-së për emërimin e mundshëm atë kohë  të Lajçakut.

“I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: “Miku im, kjo do të jetë një punë e mire për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë”, shtoi ai.

Në po të njëjtin muaj, kreu i shtetit të Kosovës, kishte deklaruar se BE-ja ka zero gjasa që ta bindë Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk shihet as në horizont ndonjë shpresë që BE t’i bindë këto vende që ta njohin pavarësinë e Kosovës e lëre më për ta bindur Serbinë për ta njohur Kosovën, gjasat janë zero, nuk shoh as përpjekje është një rol dëshpërues nga Brukseli”, tha ai.

Pak kohë më vonë, në maj të këtij viti, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Personalisht unë si President i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga Presidenti Macron apo kancelarja Mekel, por nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Duke iu referuar rolit të Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell si dhe Përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Thaçi tha se duhet bërë diferencimi i partnerëve strategjikë.

Në ndërkohë, në qershor po këtë vit, presidenti pati thënë që Lajçak duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur dhe se çdo qasje tjetër do të dështojë.

“Unë nuk jam i informuar me agjendën e Lajçak që do ta ketë gjatë vizitës në Kosovë. Ai duhet ta kuptojë që Kosova është e pavarur dhe sovrane. Çdo qasje tjetër është qasje e dështimit të plotë të tij në Kosovë. Lajçak duhet ta kuptojë që qytetarëve të Kosovës iu duhen liberalizimi i vizave”, deklaroi Thaçi para gazetarëve.

Në anën tjetër, duke folur për takimin në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator që u mbajt këtë vit, Thaçi theksoi se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm në Uashington.

“Presidenti Trump bëri të pamundurën, të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë. Derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Uashington, kam besim se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm në Uashington. Për mua përpjekjet tjera janë të kota”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në SHBA kanë nënshkruar një dokument zotimesh, por në të nuk përmendet njohja reciproke.

Aktakuza e bërë publike nga ana e Gjykatës Speciale ndaj presidentit Hashim Thaci për krime kundër njerëzimit, kishte bërë që presidenti të anulojë pjesëmarrjen në takimin e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, që atëherë pritej të mbahej më 27 qershor 2020. Zhvillimet kishin bërë që ky takim të anulohej.

Aktakuza ndaj Thaçit, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe disa ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga Specialja.