array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Foto: Atdhe Mulla

Premtimi i Thyer i Burimit për Ujin

Deklarata

Burim Berisha: Në fund të vitit 2010, Fushë Kosova, e tërë komuna, do të ketë 24 orë ujë.

Burim Berisha

Vlerësimi

Rrenë

Komuna e Fushë Kosovës vazhdon të ketë telashe me furnizim me ujë. Një pjesë e qytetit të Fushë Kosovë nuk ka ujë rregullisht, njëjtë sikur edhe disa prej fshatrave të kësaj komune që përballen me reduktime shumë të mëdha të ujit. Përkundër premtimit të vazhdueshëm, duket se vetëm edhe një gyp 2,5 kilometra po e ndan Fushë Kosovën nga uji i pijshëm.

Artikulli

Burim Berisha në kërkim të një mandati të ri në zgjedhjet komunale 2009 në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ kishte nisur premtimin për furnizim me ujë të qytetarëve të Fushë Kosovës. Kishte premtuar se do shpenzohen 700 mijë euro për ujësjellës dhe kanalizim që, sipas tij, do të përfundojnë në fund të vitit 2010.

“Nëse unë vi në pushtet jo në katër vitet e ardhshme, por në fund viti, në fund të vitit 2010, Fushë Kosova, e tërë komuna do të ketë 24 orë ujë”, pati thënë Berisha.

Premtimin për furnizim 24 orë me ujë nuk e kishte përmbushur gjatë mandatit 2009-2013, përkundër që kishte thënë se gjatë kësaj kohe ishin bërë investime në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit.

Në zgjedhjet lokale për kryetar të komunës në vitin 2013, Berisha kishte thënë që furnizimi me ujë ishte përmirësuar, ndërsa ishte përkujdesur t’ua hedhë fajin përfaqësuesve të PDK-së se nuk e kanë realizuar projektin për ujë ashtu siç ka qenë në memorandum.

“Përndryshe ne e kemi përmirësuar gjendjen rrënjësisht në fshatrat Bardh i Madh, Miradi dhe në Fushë Kosovë. Nuk është e vërtetë që nuk ka ujë në Fushë Kosovë, mund të them edhe me lagje e shtëpi në Fushë Kosovës”, pati thënë Berisha në vitin 2013.

Çështja e ujit nuk u rregullua as në mandatin 2013-2017. Në debatin Jeta në Komunë në vitin 2016, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha shpresonte që problemi i ujit do të zgjidhej me kyçje në fabrikën e Shkabaj.

Në këtë debat, që nuk ishte parazgjedhor, Berisha e kishte pranuar se nuk është gjithçka në dorën e tij për të zgjidhur problemin e ujit.

“Unë nuk mundem se nuk është krejt në dorën e komunës është edhe kompania Rajonale që merret me ujë. Ne kemi bërë disa investime, ne kemi bërë zgjerimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Ne kemi bërë atë që i takon komunës por ujin e menaxhon dhe e qeverisë kompania Rajonale Prishtina”, kishte thënë Berisha.

Çështja e ujit ende nuk është rregulluar në Komunën e Fushë Kosovës. Edhe në fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit serish është premtuar për furnizim pandërprer me ujë. Tash është minimizuar problemi në vetëm një gyp prej 2,5 kilometra.

Si pjesë të prioritetit në dy minutat e para në emisionin Jeta në Kosovë, Berisha sërish e kishte përmendur ujin për banorët e Fushë Kosovës.

Çështja e ujit është para përfundimit. Kanë mbetur edhe 2.5 kilometra gyp për ta sjellë ujin prej Shkabajt. Kompania e Ujësjellësit i ka paratë, ndërsa ne i kemi ofruar 160 mijë euro si komunë për ta vendosur këtë pjesë të gypit”, pati thënë Berisha.

Por kësaj radhe Berisha u kujdes të mos japë premtim adekuat për furnizim me ujë sikurse gjatë vitit 2009.

“Ujë saktë kemi me pas kur të vendosen 2.5 km gyp nga kompania e Ujësjellësit. Kaq ka mbet kjo”, pati thënë Berisha gjatë debatit në emisionin Jeta në Kosovë.

E kur ai u pyet se a konsumon ujë në shtëpinë e tij, Berisha u shpreh se ka bunar që merr ujë me cilësi të lartë.

“Unë me rëndësi është se unë e kam ujin dhe e marr prej bunarit tim”, deklaroi Berisha.

Burim Berisha është zgjedhur edhe për një mandat të ri në krye të Fushë Kosovës në zgjedhjet e 22 tetorit që në raundin e parë.