array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Premtimi i rremë i Labinot Vitisë dhe Bekim Shytit: Banorët e Bitisë së Shtërpcës mbesin pa ujë të pijshëm

Deklarata

Investitori i hidrocentraleve në lumin Lepenc, Labinot Vitija ka thënë se “sa i përket investitorëve, nuk ka me ndodhë që qytetarët me mbet pa ujë dhe nëse mbeten është ministria që dënon, po ashtu nëse nuk i besojnë ligjit atëherë unë ty po të premtoj që qytetarët nuk kanë me mbet kurrë pa ujë.”

Kurse Bekim Shyti nga shoqata e Energjisë së Ripërtërishme ka thënë se “bizneset që po i ndërtojnë këto hidrocentrale nuk e dëmtojnë ambientin, nuk e marrin ujin dhe unë të garantoj që asnjë banor nuk do të mbetet pa ujë dhe nëse e ndalë Zoti, ty e mu, nuk kam çfarë të bëj, por nëse ka me pas ujë në lumë, Labinoti ka me i ndalë turbinat dhe ti nuk ke me mbet pa ujë.”

Bekim Shyti dhe Labinot Vitija

Vlerësimi

Rrenë

Banorët e Bitisë së Poshtme tash e dy muaj thonë se kanë mungesë të ujit të pijshëm. Ata po e bëjnë fajtor investitorin që është duke ndërtuar hidrocentrale në afërsi të vendburimit të ujit prej të cilit janë furnizu me ujë. Investitori dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Energjisë së Ripërtritshme nuk e kanë mbajt premtimin e tyre, duke i lënë pa ujë banorët e këtij fshati tash e dy muaj dhe nuk kanë intervenuar për t’i sanuar problemet që kanë shkaktuar ndërprerjen e ujit të pijshëm për banorët

Artikulli

Banorët të fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar disa herë para Komunës së Shtërpcës për mungesë të ujit të pijshëm gjatë muajit dhjetor e janar.

Banorët po pretendojnë se investitori i një hidrocentrali ka ndryshuar rrjedhën ujore të lumit duke i lënë ata pa furnizim të rregullt qysh prej fillimit të muajit dhjetor.

“Tash e dy muaj nuk kemi ujë të pijes, investitori na ka thënë se do të na sigurojë një ujësjellës i cili do ta rregullojë këtë problem. Ai ujë që ne e kemi shfrytëzuar nuk rregullohet sepse ka ndryshuar rrjedha e lumit”, ka thënë Agron Rushiti, banor i Bitisë së Poshtme.

Ata në njërën prej protestave para objektit të komunës së Shtërpcës, kanë paraqitur tri kërkesa për kryetarin e komunës.

  1. Te ndërpriten punimet në lumin LEPENC derisa nuk gjendet një zgjidhje për ujë të pijes në burimin BLIZUMIR.
  2. Komuna ta angazhoj një kompani relevante profesionale, e cila do ta zgjidhte këtë problem.
  3. Te njoftohet inspektorati kompetent pranë Ministrisë adekuate lidhur me problemin, ta dërgojë inspektorë që ta bej shikimin e gjendjes së tanishme dhe të gjejë zgjidhje.

Në njoftim thuhet që banorët kanë pasur mungesë të ujit të pijshëm qysh nga data 1 dhjetor 2019.

Ata pretendojnë se investitori gjatë punimeve është ndërprerë arteria e ujit nëntokësor, e cila e furnizonte burimin e quajtur BLIZUMIR.

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e kompanisë ‘Matkos Group’, Labinot Vitija rreth ankesave dhe pretendimeve të banorëve për arsyen e mungesës së ujit.

Vitija ka thënë se tashmë kompania ka sanuar problemin, por banorët nuk janë të kënaqur me këtë.

“Ne e kemi rregulluar atë problem, por banorët nuk po duan tash. Ne ju kemi ofruar edhe një marrëveshje që të ndërtojmë ujësjellës të ri nga burimi i ujit deri në rezervuarin ekzistues”, ka thënë Vitija.

Banori i fshatit, Agron Rushiti, ka thënë se kompania ‘Matkos Group’ iu ka ofruar një marrëveshjen për ujësjellës, duke ju kushtëzuar banorëve të mos dalin më në protesta për mbrojtje të lumit Lepenc.

“Ata na kanë lidh me punë të Lepecit, po thonë se ne ju bimë ujin po ju mos dilni më për Lepenc. Po thonë, ne, si fshat me nënshkru, ndërsa atë ujë që ne e kemi pasur aty e që tash nuk ka më, komuna na ka thënë që nuk pihet”, thotë Rushiti.

KALLXO.com ka kontaktuar me komunën e Shtërpcës disa herë, për çështje të ndryshme, por ata asnjëherë nuk kanë pranuar të deklarohen.

Në emisionin Jeta në Kosovë, të mbajtur me 17 tetor, investitori i hidrocentraleve në lumin Lepenc, Labinot Vitija, ka thënë se sa i përket kompanisë banorët nuk do të mbeten kurrë pa ujë.

“Sa i përket neve, investitorëve, nuk ka me ndodhë që qytetarët me mbet pa ujë dhe nëse mbeten është ministria që dënon, po ashtu nëse nuk i besojnë ligjit atëherë unë ty po të premtoj që qytetarët nuk kanë me mbet kurrë pa ujë”, kishte thënë Vitija.

Edhe Bekim Shyti nga Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, në Emisionin Jeta në Kosovë ka thënë se nëse lumi ka ujë atëherë banorët nuk do të mbeten pa ujë asnjëherë sa i përket investitorit.

“Bizneset që po i ndërtojnë këto hidrocentrale nuk e dëmtojnë ambientin, nuk e marrin ujin dhe unë të garantoj që asnjë banor nuk do të mbetet pa ujë dhe nëse e ndalë Zoti, ty e mu, nuk kam çfarë të bëj, por nëse ka me pas ujë në lumë, Labinoti ka me i ndalë turbinat dhe ti nuk ke me mbet pa ujë”, kishte premtuar Shyti.

Shyti i pyetur në lidhje me problemin e banorëve për mungesë të ujit ka thënë se problemi nuk mund të jetë për shkak të ndërtimit të hidrocentralit.

Ai ka thënë po ashtu se nëse një problem të tillë banorët e kanë për shkak të investitorit, ai do të kërkoj nga investitori të rregullohet dëmi për 12 orë.

“Ekzistojnë të gjitha rregullat dhe inspektoratet dhe nëse vërtetohet se dëmet janë kryer për shkak të punimeve, po ju siguroj se dëmet do të sanohen brenda 24 orëve nga investitori”, ka deklaruar Shyti në një bisedë me KALLXO.com.

Gjithashtu Shyti, ka deklaruar se i përkrahë banorët ndërsa për marrëveshjen e ofruar nga kompania MATKOS Group ka thënë se askush nuk mund ta kushtëzojë askënd dhe çdo marrëveshje duhet të arrihet nëse pajtohen komuniteti.

“Si kryetar i shoqatës them që nuk është e drejtë e kurrkujt me kushtëzu askënd, por nëse investitori ju ka ofruar një ndërtim të tillë mendoj se është në të mirën e banorëve. Edhe në pjesët tjera të Kosovës ku janë ndërtuar hidrocentrale, investitorët kanë plotësuar kërkesa të ndryshme të komunitetit, ndërtim të rrugës ose vije të ujësjellësit dhe bëhet në marrëveshje me komunitetin”, ka përfunduar ai.

Mustafë Hyseni, Inspektori i Mjedisit nga MMPH, dy herë është kontaktuar nga KALLXO.com dhe në dy deklaratat e tij thuhet se dikasteri që ai e udhëheqë nuk ka informacione që banorët e fshatit Biti e Poshtme po ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm.

“Ne kemi qenë dy ditë rresht në Brezovicë dhe Shtërpcë dhe jemi ndalur në fshatin Biti dhe ne nuk jemi në dijeni që ka raste të tilla. Unë po e dëgjoj nga ju këtë sepse ne nuk kemi marrë raportim të tillë as nga banorët e as nga askush, sikur të na kishit lajmëruar më herët ne do të shkonim sot. Këtë informatë nuk e dinë as inspektorët e ujërave dhe as unë në zyre nuk kam marrë asnjë informatë”, ka thënë Hyseni.