array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Ragip Begaj, Debat Pernime, Malishevë. Foto: Atdhe Mulla

Premtimi i Ragip Begajt për zbatim të rekomandimeve të Auditorit

Deklarata

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se tashmë i kanë zbatuar 8 nga 23 rekomandimet të cilat kanë marrë nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2018. Ai ka thënë se 5 nuk janë zbatuar ende, ndërsa 10 rekomandimet e tjera janë në proces të zbatimit.

Ragip Begaj

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

KALLXO.com do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të Auditorit nga Komuna e Malishevës gjatë këtij viti dhe deri në përfundimit të raportit të ri të auditimit që bëhet në pjesën e parë të viti 2019. Komuna e Malishevës është njëra prej Komunave me numrin më të madh të rekomandimeve të pranuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Artikulli

Malisheva është një ndër komunat për raportet e auditimit të së cilës është mbajtur debat në Kuvendin e saj Komunal si dhe është realizuar edhe një analizë. Në këtë analizë janë shpërfaqur shkeljet, parregullsitë dhe çalimet e kësaj komune ndër vite.

Gjatë këtij debati që është mbajtur në Kuvendin Komunal të Malishevës, përpara asamblistëve, kryetari i komunës, Ragip Begaj tha se nga 23 rekomandimet të cilat komuna që udhëhiqet nga ai i ka marrë në vitin 2018, 8 rekomandime janë zbatuar, 5 nuk janë zbatuar dhe 10 rekomandimet e tjera janë në proces të zbatimit.

Begaj i numëroi rekomandimet për të cilat tha se janë zbatuar nga Komuna e Malishevës. Sipas tij rekomandimet e zbatuara janë rekomandimi për vonesat në deponimin e parasë publike, parregullsitë në ndarjen e subvencioneve, proceset e parregullta të prokurimit publik, mangësitë në proceset e certifikimit të pagesave, parregullsitë në pranimin e faturave dhe menaxhimi jo i mirë i automjeteve zyrtare.

Kryetari Begaj ka thënë se Komuna e Malishevës ka zbatuar edhe rekomandimin për parregullsitë në pranimin e punimeve dhe monitorimin e tyre.

“Edhe ky rekomandim është implementu. Kemi të meta në kualitet në të gjitha vendet, duhet të ketë standarde për objektet e spitaleve, shkollave. E pranoj publikisht se duhet të jemi më syçelët”, ka shtuar Begaj.

Pas rekomandimeve që janë prezantuar nga kryetari Begaj si të zbatuara, ai ka numëruar edhe rekomandimet të cilat janë në proces të zbatimit.

Ai ka thënë se rekomandimi për parregullsitë në menaxhimin e procedurave të rekrutimit është në proces të implementimit.

“Nganjëherë është e pamundur me i zbatu të gjitha strikt. Prej se ka hy ligji në fuqi nuk kemi nënshkruar më me kontratë mbi vepër. Është e pamundur me menaxhu me një staf kaq të vogël, pa e pas një staf shtesë”, ka deklaruar Begaj.

Rekomandimet e tjera që sipas Begajt janë në proces të zbatuara janë, menaxhimi i dobët i stafit të personelit, ndarja jo e duhur e detyrave, vonesat në pagimin e obligimeve dhe atë për menaxhimin e dobët të kontratave.

Kryetari ka thënë se edhe rekomandimi për procedurat e prokurimit është në proces të zbatimit por për shkak të procedurave në këtë proces po ka vonesa.

“Na shkaktojnë vonesa, ankesat, ne jemi të pakënaqur, proceset na marrin shumë kohë, ankesa të ndryshme, na vjen muaji 12 por nuk mundemi me i kry projektet tona. Në të gjitha vitet po na ndodh kështu. Ky rekomandim është proces të implementimit. Krejt ato vërejtje që janë dhënë janë përmbushur”, ka vazhduar Begaj.

Ndërsa sa i përket rekomandimeve që nuk janë zbatuar, kryetari ka dhënë edhe arsyet që kanë çuar deri te mos implementimi i tyre. Njëra ndër to është edhe pagesa përmes vendimeve gjyqësore. Kryetari Begaj ka thënë se proceset gjyqësore e kanë dëmtua Komunën e Malishevës.

“Proceset gjyqësore na kanë shkaktu dëm dhe kjo për shkak të kontratave kolektive. Qeveria ka bërë marrëveshje kolektive pa i nda buxhet komunave. Na ka shkaktu dëm por ky nuk është faji jonë, me bo premtime në fushata zgjedhore kanë bo kontrata kolektive pa nda buxhet për komunat. Ky rekomandim është i pa implementuar”, ka shpjeguar Begaj.

Edhe planifikimi jo i duhur i shpenzimeve sipas Begajt është një sfidë më vete për shkak se jo gjithçka që kanë dëshirë të realizohet mund të realizohet në praktikë.

“Planifikimi jo i duhur i shpenzimeve. Kemi dëshirë por planifikimi nuk realizohet por nuk është e mundur por ka raste që projektet nuk realizohen. Nëse arrihet në 70 unë jam i kënaqur”, ka thënë ai.

Një ndër rekomandimet e Auditorit që vazhdon të mbetet i pa zbatuar sipas Begajt është kryerja e obligimeve kontraktuale pa zotim të mjaftueshëm.

Një prej problemeve që është hasur në të gjitha komunat e Kosovës nga Auditori është edhe regjistri jo i plotë i pasurisë jo kapitale. Begaj ka thënë se ai e ka caktuar zyrtarin që do të merret me këtë punë dhe ky rekomandim do të zbatohet brenda një kohe shumë të shkurtë.

“Është caktuar zyrtari edhe ky rek do të jetë i plotësuar në kohë të shkurtë. Ai është trajnuar edhe do ta kryej detyrën e vet”, shpjegoi Begaj.

Edhe sa i përket menaxhimit jo të mirë të qirave, Begaj ka thënë se janë duke punuar por që janë në procedura gjyqësore me disa biznese të cilat nuk ua kanë paguar borxhet e qirasë, një ndër ta tha që është Ben-afi.

Në fund ai tha që janë duke punuar dhe janë duke e realizuar planin strategjik kundër rrezikut, i cili ka qenë një ndër rekomandimet e Auditorit për vitin 2018.

Përsëritja e rekomandimeve ndër vite

Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Faruk Rrahmani ka thënë se në Komunën e Malishevës në vitin 2018 ka përsëritje të rekomandimeve që janë dhënë edhe viteve të kaluara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas Rrahmanit, në raportin e vitit 2018 nga 23 rekomandime, 10 janë rekoamndime të reja kurse të tjerat janë të pazbatuara ose në proces të zbatimit.

“Në raportin e auditimit për vitin 2018 kemi një numër të madh të rekomandimeve që janë përsëritur nga vitet e mëhershme e kjo është një shqetësim sepse po përsëriten mangësitë nëpër vite. Kemi një numër të madh të përsëritjes të rekomandimeve të mëhershme. Prej 23 rekomandimeve, 10 janë rekomandime të reja, të tjerat janë ose në proces të zbatimit ose të pazbatuara”, ka deklaruar Rrahmani.

Më tej, Rrahmani ka numëruar rekomandimet që janë përsëritur.

“Ato që janë përsëritur janë keq klasifikimi i shpenzimeve, kontratat, subvencionet, prokurimi, menaxhimi i kontratave, pagesat përmes vendimeve gjyqësore”, ka numëruar Rrahmani.

Gjithashtu ai ka thënë se Komuna e Malishevës ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve

“Përqindja e zbatimit të rekomandimeve në vitin 2017 në Komunën e Malishevës ka qenë 33%, përqindje afër mesatares së zbatimit të rekomandimeve nga komunave të tjera që është 31%, që tregon një përqindje mjaft të ulët të zbatimit të rekomandimeve. Në vendet e zhvilluara zbatimi sillet diku në 80%, që tregon një nivel të ulët të zbatimit posaçërisht në nivelin komunal”, ka shpjeguar ai.

Zbatueshmëria e ulët e rekomandimeve

Numri i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) kundrejt Komunës së Malishevës është rritur vazhdimisht që nga viti 2015 deri në vitin 2018. Përderisa në vitin 2015, Komuna e Malishevës kishte marrë 12 rekomandime nga Auditori, në vitin 2018 kishte marrë gati dyfishin e tyre, 23 rekomandimeve.

Përveç që numri i rekomandimeve ka shkuar gjithmonë duke u rritur, Komuna e Malishevës vazhdimisht ka pasur zbatim të ulët të rekomandimeve.

Në vitin 2016 kishte zbatuar vetëm 2 rekomandime të vitit 2015 ndërsa 6 prej tyre nuk i kishte zbatuar. Zbatueshmëria e ulët e rekomandimeve ka vazhduar edhe në vitin 2016 në Komunën e Malishevës. Nga 13 rekomandimet e marra nga Auditori, ajo ka zbatuar vetëm 2 në vitin 2017, ndërsa 7 prej tyre janë konsideruar si të pazbatuara.

Numri i rekomandimeve të zbatuara është rritur në vitin 2018. Prej 21 rekomandimeve të cilat i ka marrë Komuna e Malishevës në vitin 2017, ka adresuar 7 prej tyre ndërsa 6 janë cilësuar si të pazbatuara.

Prokurimi publik po del të jetë një ndër fushat në të cilat Komuna e Malishevës ka më së shumti shkelje e parregullsi të cilat i ka evidentuar Auditori. Gjetjet e Auditorit shpërfaqin çalimin e Komunës së Malishevës gati në të gjitha fazat e prokurimit publik.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën e Britanisë në Kosovë është duke punuar në inkurajimin e institucioneve publike për të rritur nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Gjatë dy viteve të fundit, BIRN Kosova ka prodhuar analiza të raporteve të auditimit të disa institucioneve publike duke përfshirë komuna, ministri e ndërmarrje publike.

Përveç analizave janë mbajtur edhe disa debate nëpër komuna, ku ka marrë pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditorit, të cilët kanë ofruar asistencë institucioneve në hartim të planeve për zbatimin të rekomandimeve.