Ragip Begaj, Debat Pernime, Malishevë. Foto: Atdhe Mulla
Premtimi i mbajtur për ndriçimin e fshatrave të Malishevës
Deklarata
Ragip Begaj: Në Astrazup e kemi synim me bo vitin e ardhshëm ndriçimin.
Vlerësimi
E vërtetë
Komuna e Malishevës e ka përfunduar projektin për ndriçimin e fshatit Astrazup. Çështja e ndriçimit të këtij fshati ishte ngritur si pyetje në DebatPernime, pasi ishte dërguar nga qytetarët. Përveç fshatit Astrazup, Komuna e Malishevës thotë se i ka ndriçuar edhe fshatrat: Dragobil, Marali, si dhe pjesërisht Banjën dhe Kijevën.
Artikulli
Në emisionin ‘Debat Pernime’ për balotazhin në Malishevë, kryetari Ragip Begaj kishte deklaruar që fshati Astrazup i komunës së Malishevës do të bëhej me ndriçim deri në gjysmën e vitit 2018.
“Në Astrazup e kemi synim me bo vitin e ardhshëm ndriçimin”, kishte deklaruar Begaj në debat.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka mbajtur premtimin e dhënë pasi projekti për ndriçimin e fshatit Astrazup ka përfunduar para tre muajve, brenda afatit të premtuar.
“Ndriçimi në Astrazup, ka së paku tre muaj që ka përfunduar, dhe ka qenë projekt i përbashkët në disa fshatra, pra Astrazup, Dragobil, Marali, një pjesë e Banjës dhe një pjesë e Kijevës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.