Postim i rremë se të akuzuarit në rastin e 53-milionëve janë dënuar me vetëm tre vjet dënim me burg për vjedhje
Deklarata
“Tre persona për vjedhjen e 53 milionë eurove me tre vjet burg”
“Secili i bjen në vjet me i fitue afër 1.7 milion euro në vit apo afër 60 mijë euro në ditë!”
Vlerësimi
Me kos
Janë të rreme konstatimet e bëra në postim se “tre persona për vjedhjen e 53 milionë eurove me tre vjet burg” si dhe që “secili i bjen në vjet me i fitue afër 1.7 milion euro në vit apo afër 60 mijë euro në ditë!”. Në rastin e njohur si 53-milionëshi i autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, janë dënuar katër persona, së bashku në total me 10 vjet e 3 muaj burg nga Gjykata Themelore. Të dënuarit në shkallën e parë janë ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila pritet të mbajë seancën e parë më 07.10.2024. Katër personat e dënuar nuk janë dënuar për vjedhje, përkatësisht për keqpërdorim të dëtyres zyrtare për përfitime personale, mirëpo janë dënuar se “duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim t’i shkaktojnë dëm buxhetit të shtetit në dobi të personave të tjerë”.
Artikulli
Më 04.07.2024 një profil në Facebook e ka publikuar (arkiva) një postim në të cilin thuhet se “sot gjykata denoi ish ministrin Pal Lekajn të Qeveris së analfabetit të shkolluar Ramush Haranidaj! U denuan tre persona për vjedhjen e 53 milionëve€ me tre vjet burg!”.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër i ka analizuar lajmet e publikuara gjatë gjykimit të ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, si dhe e ka analizuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore për rastin e 53 milionë eurove për autostradën Prishtinë- Shkup.
Në këtë rast të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj, këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ushtruresi i detyrës së drejtorit të Prokurimit, Besim Tahiri dhe sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri.
Më 31.01.2024, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë aktgjykim dënues për katër të akuzuarit, duke u shqiptuar dënim me burgim por edhe dënime plotësuese.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, ishin dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Për rastin e 53 milionë eurove të paguara për autostradën Prishtinë – Hani i Lezit, nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë dënuar 4 persona me 10 vjet e 3 muaj bur në total. Pra, nëse llogarisim dënimet e katër të akuzuarve del se dënimi me burgim që të akuzuarit kanë marrë është 10,3 vjet dënim me burgim efektiv, i cili dënim do të bëhet i plotfuqishëm pasi të bëhet i formës së prerë.
Ndërsa dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për katës të akuzuarit, prej gjithsej 9 vjet e gjashtë muaj.
Tutje, në këtë postim është thënë se dënimi është shqiptuar ndaj “tre personave për vjedhjen e 53 milionë eurove me tre vjet burg”. Po ashtu është thënë se “secili i bjen në vjet me i fitue afër 1.7 milion euro në vit apo afër 60 mijë euro në ditë!”.
Krypometër e ka analizuar aktakuzën e prokurorisë dhe rezulton se Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, nuk janë akuzuar se e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare për përfitim personal, por sipas prokurorisë keqpërdorimi është bërë për t’i ofruar personit tjetër përfitim.
“Në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurit e tjerë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim t’i shkaktojnë dëm buxhetit të shtetit në dobi të personave të tjerë”- del të jetë citati nga aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve.
Sipas aktakuzës, historia nisë në vitin 2017 kur ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel- Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit për 347 ditë të tjera, duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që me datën 27.11.2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë eurove në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, shumë e cila edhe ishte ekzekutuar më 05.06.2018 nga Qeveria e Kosovës.
Pas ankesave, ky rast gjendet në Gjykatën e Apelit. Nysret Arifi nga Gjykata e Apelit ka thënë për Krypometër se seanca për shqyrtimin e ankesave do të mbahet më 07.10.2024. Dënimin të akuzuarit do ta mbajnë vetëm në qoftë se ky aktgjykim merr formën e prerë.