Përparim Rama nuk ka thënë “kur ngecni në trafik lexoni libra” apo dilni nga vetura
Deklarata
Përparim Rama: Kur ngecni në trafik, dilni nga vetura ose lexoni libra
Vlerësimi
Rrenë
Artikujt me titullin “Përparim Rama: Kur ngecni në trafik, dilni nga vetura ose lexoni libra”- nuk janë të saktë. Në emisionin ‘Canape’, kryetari Rama nuk ka thënë se nëse dikush ngec në trafik duhet të lexojë libra. Nuk ka thënë e as nuk ka rekomanduar se shoferët mund të dalin nga vetura e të ecin në rast se ngecin në kolonë. Televizioni T7 ka kërkuar falje për lajmin e publikuar bazuar në një deklaratë që Rama nuk e ka thënë.
Artikulli
Më 21.10.2024, media online Gazeta Express (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Përparim Rama: Kur ngecni në trafik, dilni nga vetura”.
Lajmi para se të ndryshohej mbante titullin “Përparim Rama: Kur ngecni në trafik, dilni nga vetura ose lexoni libra”.
Mediumi në fjalë e ka ndryshuar titullin për këtë deklaratë të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi lidhur me këtë lajm kishte shumë diskutime në opinionin publik.
Fillimisht mediat pretenduan se kryetari gjatë një interviste në T7 në emisionin “Canape”, teksa ka folur për çështjet e komunikacionit dhe kolonave në Prishtinë, Rama i ka këshilluar qytetarët që të “lexojnë libra” gjatë kohës sa janë të bllokuar në trafik.
Lajmi me pretendimin e njëjtë është publikuar dhe vazhdon të jetë i qasshëm edhe në disa media të tjera, si: arbresh.info (arkiva), Gazeta Blic (arkiva), Zëri (arkiva), Bota Sot (arkiva), Llapi info (arkiva), Bota Sot E Re (arkiva), KosovaLive (arkiva), Fol Shqip (arkiva), Gazeta.mk (arkiva), TOP LAJMI (arkiva), Ballkani Info&News (arkiva), Infosot.com (arkiva), Infokus (arkiva) dhe Tv Arbëria (arkiva).
Dhjetë ditë pas publikimit të intervistës dhe lajmit të parë, më 31.11.2024 Televizioni 7 (arkiva & arkiva) i ka kërkuar falje kryetarit Rama “për një lëshim totalisht pa dashje nga ekipi i emisionit (Canape)”.
Në kronikën në të cilën T7 kërkon falje thuhet se “Rama foli personalisht si kryetar që meqë nuk vozitë vet e ka mundësinë të dalë nga vetura dhe të ecë, por duke mos këshilluar në asnjë mënyrë ata që vozisin për të bërë një gjë të tillë”.
Përkundër këtij konstatimi të bërë në kronikën e T7 dhe kërkimfaljes, lajmi me titullin “Përparim Rama: Kur ngecni në trafik, dilni nga vetura” (arkiva) vazhdon të jetë i publikuar në Gazetën Express.
Sipas televizionit, Rama nuk i ka këshilluar vozitësit të dalin nga vetura dhe të ecin në rast se hasin në kolona. Më tej në sqarim thuhet se Rama gjatë intervistës ka thënë se pavarësisht angazhimeve, gjen kohë që t’iu lexojë fëmijëve para gjumit, e që sipas televizionit “pikërisht në këtë pjesë ishte keqkuptimi nga emisioni dhe deklarata nuk kishte të bënte me këshillë nga ana e tij që të lexoni libra kur ka kolona”.
“Canape kërkon ndjesë nga kryetari Rama për lëshimin pa dashje dhe për çdo paqartësi që mund të ketë shkaktuar tek qytetarët”- kanë deklaruar nga Televizioni 7 (arkiva & arkiva).
Pas kërkimfaljes nga T7, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një postim (arkiva) në Facebook më 01.11.2024.
I pari i kryeqytetit ka theksuar se asnjëherë nuk ka thënë se qytetarët duhet të lexojnë libra derisa janë në kolonë apo edhe t’i lënë veturat dhe të ecin në këmbë.
“T7 kërkon falje dhe sqaron deklaratat që u përfolën kohët e fundit, të cilat nuk janë thënë nga unë ASNJËHERË! Asnjëherë, nuk kam thënë se në kolonë qytetarët duhet të lexojnë libra! Asnjëherë nuk kam thënë se qytetarët duhet t’i lënë veturat në kolonë dhe të ecin në këmbë!”- ka shkruar Rama.
Krypometër gjithashtu ka analizuar deklaratën e kryetarit Rama që e ka dhënë në emision dhe në asnjë pjesë ai nuk i këshillon qytetarët që të lexojnë libra kur mbesin në kolonë dhe as të dalin nga vetura.
Në pyetjen (shih këtu nga min 26:00) e shfaqur në ekran: sa gjatë keni mbetur ndonjëherë në kolonë? Rama e ka pyetur moderatorin e emisionit nëse po kërkon rrëfimin e tij për ndonjë kolonë që ka ngecur në Prishtinë apo qytete të tjera. Moderatori i ka kërkuar Ramës që fillimisht të tregojë ndonjë rrëfim apo rast personal kur ka ngecur në kolonë në Prishtinë.
Në këtë pyetje Rama ka deklaruar “Në Prishtinë jo aq gjatë, sepse unë mendoj faktikisht mundesh me dalë prej kerrit për arsye se tash nuk po voziti vetë dhe e kam opsionin me dalë edhe me ecë dhe e kam bërë këtë disa herë… Ti nervozohesh ndoshta kur e din që mundesh diçka me bo, por nuk e bën për çfarëdo arsye, por kur je në një pozitë që s’ke çka bon, atëherë nuk ke arsye për me u nervozu, e shfrytëzon kohën për me u marrë me diçka tjetër. Mundesh me bisedu me dikënd në telefon, apo me dëgju muzikë, apo me mendu, me palnifiku diçka, apo me shfrytëzu atë mundësi që e ke. Mundesh me e transformu atë kohë në kohë personale, ndoshta nuk ke kohë kurrë për asgjë, ajo duhet me u marrë si një kohë që e shfrytëzon për veten, me mendu diçka që s’ke pasë kohë ndoshta gjatë gjithë ditës apo javës me i shfrytëzu këto momente, me dëgju muzikë për vete të mirë, me u relaksu, me folë me dikënd që s’ke fole moti me të”.
Një ditë më pas, më 22.10.2024, gjatë një vizite tek punimet e renovimit të tunelit në ‘Kurriz’ në lagjen Dardania, Përparim Rama u pyet nga gazetarët “a keni lexu ndonjë libër derisa erdhët rrugës deri këtu?”.
“Jo, sot nuk pati, tash në këtë kohë nuk pati trafik edhe nuk pata mundësi, përndryshe sado që është mundësia, pse jo. Pyetja është se çka bën ti dikund kur je duke nejtë, me çka merresh, ke mundësi të ndryshme me u marrë me gjëra të ndryshme, cila është zgjidhja jote”- ka qenë përgjigja e Ramës.
Përparim Rama arriti të fitojë pozitën e kryetarit të Prishtinës nga radhët e LDK-së përballë Arben Vitisë së LVV-së në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021.
Rama mori 41,746 vota apo 50,98% ndërsa Vitia 40,143 vota apo 49,02%.
Më 07.12.2024, Rama dha betimin si kryetar i ri i kryeqytetit, duke e marrë mandatin nga ish-kryetari Shpend Ahmeti.