array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Pasaktësitë rreth kohës kur Asociacioni do të jetë në agjendën e dialogut

Deklarata

Pas raundit të fundit të bisedimeve në zyrën e Miroslav Lajçak, ku ishim unë dhe Besnik Bislimi, Bislimi tha hapur se Prishtina është e gatshme të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kur të arrijnë marrëveshje për energji. Ne kemi arritur marrëveshje për energji, dhe është hapur rruga për formimin e Asociacionit

Petar Petkoviq

Vlerësimi

Me kos

Besnik Bisilimi e ka mohuar që ka dhënë zotime se pas finalizimit të udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes për Energji do të diskutohet për asociacionin e komunave Serbe. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se pala serbe vazhdimisht e ngrit çështjen e Asociacionit, mirëpo nuk ka konfirmuar se delegacioni i Kosovës e ka pranuar që në takimet e ardhshme të diskutohet për këtë çështje. Por, Lajçak ka thënë se marrëveshjet politike siç është kjo për Asociacionin të nënshkruara dhe ratifikuara në Kuvend duhet të zbatohen nga palët.

Artikulli

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për Energji të nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015. Kjo marrëveshje, nëse zbatohet në plotëni, do të mundësoj që të fillojë pagesa e faturave të energjisë elektrike për herë të parë pas më shumë se 20 viteve.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka thënë se është hapur rruga për të biseduar për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Madje, ai thotë se këtë e ka marrë si premtim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Pas raundit të fundit të bisedimeve në zyrën e Miroslav Lajçak, ku ishim unë dhe Besnik Bislimi, Bislimi tha hapur se Prishtina është e gatshme të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kur të arrijnë marrëveshje për energji. Ne kemi arritur marrëveshje për energji, dhe është hapur rruga për formimin e Asociacionit”, ka thënë Petkoviq për televizionin serb RTS.

Por, kjo është kundërshtuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi.

“Në qoftë se i besoni deklaratat e mija unë publikisht kam deklaruar se për çështjen e minoriteteve do të diskutojmë atë herë kur sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti i Kosovës nuk është në pikëpyetje. Asnjë prej kushteve nuk janë përmbush. A e din kur nuk vihet në pikëpyetje sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti i Kosovës kur Serbia e njeh Kosovën, kemi marrëveshje të normalizuar dhe Serbia thotë se mu nuk më intereson asnjë mekanizëm që ka kompetenca ekzekutive”, tha Bislimi në Debat Plus.

“Kjo është alternativa jonë me krijuar një fond që mundëson integrimin e komunitetit serb”, tha ai.

Bislimi shtoi se janë për mbrojtje maksimale dhe promovim maksimal të të drejtave të minoriteteve sipas principit të reciprocitetit. Sipas tij asociacioni nuk ka qenë mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

Ai madje ka thënë se Petkoviq po deklaron gjera të pa-vërteta.

“Për mua është ofenduese kur në kontekst të dialogut nuk i referoheni deklaratave të mija por i referoheni kundërshtarit tim në dialog. Ju sikur ti kishit shpenzuar vetëm 5 minuta kohë me nxjerr deklaratën që e ka bo Petkoviq në Bruksel do e kishit pa që në atë deklaratë tre minutëshe janë 20 gënjeshtra”, tha Bislimi në një intervistë në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është marrëveshje politike që është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, prandaj, sipas tij nuk është marrëveshje teknike, por është politike. Por, ai nuk ka thënë se tash është hapur rruga që të diskutohet për zbatim të kësaj marrëveshje edhe pse e ka konfirmuar se pala serbe në vazhdimësi e kërkon një gjë të tillë.

“Për mua, është çështje e parimeve të ligjeve ndërkombëtare, pra pacta sunt servanda e që do të thotë që marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.  Prandaj, Asociacioni është marrëveshje politike që është ratifikuar në Parlamentin tuaj, prandaj, nuk është marrëveshje teknike, por është politike, dhe e dini shumë mirë që pala serbe në dialog e konsideron këtë si pikën më të rëndësishme”, ka thënë Lajçak.

Ai në një intervistë për KALLXOPërnime bëri me dije se është në interesin e të dy palëve, që të mos ikin nga ky zotim por të fillojnë të flasin se si do ta adresojnë.

“Jo, nuk është marrëveshja kryesore, ka shumë marrëveshje që duhet të zbatohen, sepse siç e thashë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën duhet të zbatohen. Radha e çështjeve duhet të dakordohet në mes të të dy palëve, por natyrisht që kjo çështje prezantohet rregullisht nga Serbia, mirëpo unë mendoj që është në interesin e të dy palëve, pra edhe të Serbisë edhe të Kosovës, që të mos ikim nga ky zotim por të fillojmë të flasim se si do ta adresojmë”, tha Lajçak.

Bashkimi Evropian e përshëndeti marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. BE-ja i inkurajoi të dyja palët që të bëjnë në këtë frymë të bëjnë përparime të mëtejshme për të gjitha çështjet e tjera të pazgjidhura.

Marrëveshja për energjinë ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, tha në reagimin e tij se ky është një hap i rëndësishëm për dialogun.  Për këtë çështje Borreli tha se kishte biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin ishte në vitin 2013 ndërsa në vitin 2015 Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e asociacionit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.