Oferta e rreme për Kredi që keqpërdor logon e Bankës Italiane
Deklarata
Ndihmë financiare në siguri dhe qetësi të plotë
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që pretedon se ofron Kredi me Normë të Interesit 3%, i publikuar në Facebook, me mbishkrimin: “Ndihmë financiare në siguri dhe qetësi të plotë”. Ky postim është bërë nga një faqe, e hapur në Facebook më 14.7.2024. E njëjta ka publikuar një kartelë bankare të ‘BBVA Bank’ e cila funksionon në Itali dhe ka degë në 25 vende të botës. Në faqen zyrtare të ‘BBVA Bank’ nuk ka ndonjë informatë për mundësinë e ofrimit të kredive për qytetarët e Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës thekson se nuk ka institucion financiar e bankar të licensuar me këtë emër.
Artikulli
Më 14.07.2024, Facebook faqja ‘A.C 1’ (arkiva) ka publikuar një Ofertë ‘për ndihmë financiare’. “Ndihmë financiare në siguri dhe qetësi të plotë”- shkruan në titull të këtij postimi.
Krypometër, së pari i ka shkruar kësaj faqeje, për të kuptuar më shumë rreth ‘ndihmës financiare që ofron’.
Të njëjtit kanë thënë se me lokacion janë në Itali. Tutje, ata kanë shpjeguar se japin Kredi. Norma vjetore e interesit, për kredidhënie, është 3%.
“Ju duhet ta plotësoni Formularin me disa të dhëna. Falemnderit, që na kontaktuat me Kërkesën tuaj për ndihmë financiare. Për të përfituar nga Kreditë tona, duhet t’u përgjigjeni pyetjeve të mëposhtme: Sa doni të huazoni? Për sa kohë? Çfarë punoni? Sa është paga juaj bazë? G-mail-i juaj? Prej nga vini?”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Krypometër ka kontrolluar publikimet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Aty ka gjetur Raportin me informacionet për Sistemin Financiar për muajin Shtator 2024. Në këtë Raport, thuhet se norma mesatare e interesit për kreditë e lëshuara nga Bankat Komerciale ishte 6.1%.
Faqja që e ka publikuar këtë postim është hapur më 14.07.2024 dhe e njëjta e ka vetëm një postim. Në infografikën e publikuar, është e shfaqur një kartelë ‘BBVA World’, të cilën Krypometër e ka verifikuar përmes Google Search. Prej këtij verifikimi rezulton se kartela është e njëjtë me atë të ‘BBVA Bank’, bankë kjo e cila funksionon në Itali dhe ka Degë në 25 vende të botës. Në faqen zyrtare të ‘BBVA Bank’ nuk ka ndonjë njoftim se edhe qytetarët rezident në Kosovë mund të marrin Kredi nga kjo Bankë.
Krypometër ka dërguar pyetje edhe te Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
“Publikimet e tilla, sikurse këto të profileve në Facebooku, nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licensuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë rast, ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime”- thuhet në përgjigjen e BQK.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo-bankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK-ja, institucioneve u kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.