Nxjerrja nga konteksti e deklaratave të Fatmir Limajt
Deklarata
Çka ka bo zotëri Kurti në veri ka me na kushtu shumë, e ka larguar veriun nga Kosova. Atje po largohet dinari, dikush tha i kanë largu altorparlantat… degradim shtetëror moral institucional i vendit… kush po e udhëheq peticionin, po e udhëheq Rakiqi, Lista Srpska… ky është keq… kjo është turp… është interes i Kosovës, Serbia në NATO
Vlerësimi
Me kos
Është e manipuluar një video në të cilën shihet Limaj duke thënë: “Çka ka bo zotëri Kurti në veri, ka me na kushtu shumë, e ka larguar veriun nga Kosova. Atje po largohet dinari, dikush tha i kanë largu altorparlantat… degradim shtetëror moral institucional i vendit… kush po e udhëheq peticionin, po e udhëheq Rakiqi, Lista Srpska… ky është keq… kjo është turp… është interes i Kosovës, Serbia në NATO”. Kjo video është bërë duke shkëputur pjesë nga intervista e plotë që kryetari i Parisë Nisma Socialdemokrate në televizionin ATV. Ai ndër të tjera kishte thënë “Frika ime është se ajo se çka ka bë zotëri Kurti në veri ka me na kushtu shumë, e ka larguar veriun nga Kosova, jo që e ka afruar. Popullistat sot thonë jo e ka afru se atje po largohet dinari, dikush tha i kanë largu altoparlantët, jo po bëhet kjo. Unë po shoh diçka përtej kësaj, kjo është largim çka vjen pas, është asociacioni, është federalizmi, autonomia politike që është duke të kërcënua e po të troket tek dera”.
Artikulli
Më 19.08.2024, në grupin në Facebook “KREJT DHE DREJT me Albin KURTIN” është publikuar një video në të cilën shihet duke folur kryetari i Partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj pretendohet se ka deklaruar që “Çka ka bo zotëri Kurti në veri ka me na kushtu shumë, e ka larguar veriun nga Kosova. Atje po largohet dinari, dikush tha i kanë largu altorparlantat… degradim shtetëror moral institucional i vendit… kush po e udhëheq peticionin, po e udhëheq Rakiqi, Lista Srpska… ky është keq… kjo është turp… është interes i Kosovës, Serbia në NATO”.
Krypometër ka analizuar materialin dhe është vërjetur se disa pjesë të deklaratës së Limajt janë prerë.
Për këtë është kontaktuar Endrit Zabërgja, zyrtar për komunikim me media në Nisma Socialdemokrate.
Zabërgja në një përgjigje për Krypometrin ka thënë se kjo video është e manipuluar.
“Kjo deklaratë e plotë gjendet në rrjete sociale, në arkivat e mediumit në fjalë dhe lehtë mund të verifikohet, derisa kjo video është e montazhë me tendencë nxjerrjen nga konteksti real. Në fakt në këtë intervistë Kryetari Limaj flet për pasojat e politikës avantuereske dhe populliste, për veprimet e pakalkuluara dhe të pakoordinuara të Qeverisë Kurti”- shtoi ai.
Më tej, Zabërgja thotë se është copëtuar një pjesë e deklaratës së Limajt kur ai flet për anëtarësimin e Serbisë në NATO, e që sipas zyrtarit të NISMA-s, Limaj ka folur për interesin gjeopolitik që i gjithë rajoni i Ballkanit të përfshihet në NATO.
“Derisa pjesa më cinike është pjesa e copëtuar për antarësimin e Serbisë në NATO, sepse në debatin e plotë flitet për interesin gjeopolitik që i gjithë rajoni i Ballkanit të përfshihet në NATO, kështu për të mbyllur ndikimin rus dhe kinez në Ballkan, si parakusht për stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon”- ka sqaruar Zabërgja.
Krypometër ka transkriptuar një pjesë të intervistës së Limajt në intervistën në televizionin ATV, e cila ishte realizuar më 24.03.2024.
“Frika ime është se ajo se çka ka bë zotëri Kurti në veri ka me na kushtu shumë, e ka larguar veriun nga Kosova, jo që e ka afruar. Popullistat sot thonë jo, e ka afru, se atje po largohet dinari, dikush tha i kanë largu altoparlantët, jo po bëhet kjo. Unë po shoh diçka përtej kësaj, kjo është largim çka vjen pas, është asociacioni, është federalizmi, autonomia politike që është duke të kërcënu e po të troket tek dera. Për qato nuk ka pasë nevojë me pasë Albin, vet e kishin bo ndërkombëtarët edhe pa neve, për qeto është bo lufta, për mos me ardhë te autonomia politike, territoriale, te federalizmi i Kosovës, qajo po na troket. Prandaj unë, e shoh që qeky projekt ende i pa përfunduar, shpresoj që të mos del se çka po flas unë, është projekti më i dështuar, më skandaloz”- ka thënë Limaj në këtë intervistë. E disa pjesë nga ky deklarim i janë shkëputur e nxjerrë nga konteksti që është thënë.
Tutje Limaj ka folur për petecionin që ishte organizuar në katër komunat me shumicë serbe për shkarkim të kryetarëve të komunave.
“Kqyrni kryetarët e komunave, kur i kemi thënë këtu para dy muajve që ka fillu implementimi i marrëveshjes, thojshin çka po flet, tash filluan me këto peticionet. Degradim shtetëror moral institucional i vendit, e dërgon në zgjedhje, shkon mbyllet atje në komunë, vjen këtu, nisë i bën disa rregullore antikushtetuese, e instalon të ashtëquajturin peticionin, ia jep diçka që s’ja jep as ligji e as Kushtetuta, që përmes një peticioni me 20% me iniciu largimin e kryetarit me e shkarku, thotë e ka largu Listën Srpska, na i bëjmë kryetarët tanë, i qesim flamurat. Tash me Listën Srpska është duke i shkarku, se ata elektorat të kujna janë. Kush është duke i udhëheqë peticionet? Po e udhëheq Rakiqi, Lista Srpska me e rrëzu një djalë, një familjar të dëshmorit që e ki shti në lojë, e ki tallë dhe kush e merr nesër, e marrin të njëjtit”- kishte thënë Limaj.
Tutje ai kishte folur për rëndësinë që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në NATO.
“Ushtria amerikane e armatosë jo vetëm Kosovën, edhe me Serbinë ka një bashkëpunim shumë të ngushtë. Është shumë normale, është interes i Kosovës, Serbia në NATO, është interes i Ballkanit Serbia në NATO; është interes rajonal që ky rajon me u mbyllë në NATO që kurrëfarë ndikimi mos me pasë Kina dhe Rusia. Politika e Kosovës duhet nesër me dashtë edhe Kosovën edhe Serbinë në NATO”- ka thënë ai.
Kjo intervistë e Limajt kishte ardhur pasi ishte zyrtarizuar koalicioni i NISMA-s me AAK-në për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2024.
Më 17.01.2024 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate lidhën marrëveshje për koalicion parazgjedhor.
Kjo nuk është hera e parë që AAK dhe Nisma Socialdemokrate bëjnë koalicion. Në zgjedhjet e vitit 2017 dy partitë patën nënshkruar koalicion parazgjedhor të cilit i ishte bashkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës duke krijuar PAN-in që doli koalicioni fitues i zgjedhjeve të atij viti.
Ndërsa në zgjedhjet e fundit, të vitit 2021, Nisma Socialdemokrate nuk kishte kaluar pragun zgjedhor kurse AAK pati marrë 7.12% të votave apo 8 deputetë.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve.