array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=6"
  }
}

Albin Kurti - Isa Mustafa

Ndryshimi i vazhdueshëm i qëndrimeve për votimin e qeverisë Kurti

Deklarata

Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë po deklaroj sot me pëlqimin e kryesisë, se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe nga të gjitha pozitat duke ia lënë këto Lëvizjes Vetëvendosje. Pra LDK shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht me 28 deputetë të saj formimin e institucioneve të reja të drejtuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Shprehim po ashtu gatishmërinë të votojmë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e Kuvendit, si dhe qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje pa LDK-në në qoftë se ata nuk janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me ne dhe të bashkëqeverisin me ne.

Isa Mustafa

Vlerësimi

Qëndrim i ndërruar

Isa Mustafa e ka mbajtur fjalën e dhënë se deputetet e LDK-së do të votojnë kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosja për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Glauk Konjufca është bërë kryetar i Kuvendi me votat e deputetëve të LDK-së. Mirëpo, Mustafa ka ndërruar qëndrim kur është fjala për votimin e një qeverie të pakicës të udhëhequr nga Albin Kurti. Tashmë Mustafa ka deklaruar se deputetet e LDK-së nuk do t’ia japin votat bllanko për një qeveri të propozuar nga Kurti. Ndërsa, LVV-ja i ka hequr vijat e kuqe që tash të merren vesh edhe për pozitën e Presidentit të Kosovës.

Artikulli

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj pas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja ende nuk janë marrë vesh për koalicionin qeverisës.

Që nga koha kur janë mbajtur zgjedhjet, LDK-ja dhe LVV-ja vazhdimisht kanë thënë se janë afër arritjes së marrëveshjes për koalicion. Të dy partitë i kanë ndërruar qëndrime për disa çështje që kanë qenë pengesë për lidhjen e koalicionit.

Fillimisht ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nëpërmjet një video mesazhi për qytetarët deklaroi se marrëveshja me LDK-në nuk është arritur. Kurti e kishte shpjeguar edhe ofertën që ia kishte bërë LDK-së.

Të nesërmen, Isa Mustafa e mblodhi kryesinë e LDK-së. Pas mbledhjes, në një konferencë për media, Mustafa u zotua se nëse VV nuk është gati për marrëveshje koalicioni, LDK është e gatshme që pa asnjë kusht ta votojë Qeverinë Kurti dhe kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendi.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë po deklaroj sot me pëlqimin e kryesisë, se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe nga të gjitha pozitat duke ia lënë këto Lëvizjes Vetëvendosje. Pra LDK shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht me 28 deputetë të saj formimin e institucioneve të reja të drejtuara nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë i pari i LDK-së.

Mustafa shtoi se janë të interesuar që të zgjidhet çështja e qeverisë dhe e institucioneve për t’i hapur rrugë funksionimit të institucioneve të vendit.

“Shprehim po ashtu gatishmërinë të votojmë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e Kuvendit, si dhe qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje pa LDK-në në qoftë se ata nuk janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me ne dhe të bashkëqeverisin me ne”, shtoi Mustafa.

Pasdite, deputetët e LDK-së i dhanë votat për zgjedhjen e kandidatit të VV-së, Glauk Konjucës kryetar të Kuvendit. Pra, Mustafa dhe LDK-ja e kishin mbajtur fjalën përkundër që kryetari i LDK-së Isa Mustafa vlerësoi se vendimi i LVV ka qenë i njëanshëm dhe i befasishëm.

Në anën tjetër, pas konstituimit të Kuvendit, Mustafa në emisionin Rubikon të KTV-së, i ka ndërruar fjalët sa i përket mundësisë që LDK-ja ta votojë edhe Qeverinë në krye me Albin Kurtin e VV-së.

“Çështja e qeverisë është pastaj çështje tjetër. Ne meqenëse edhe sot s’kemi pas njoftim nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetarin e Kuvendit, natyrisht se votat tona nuk munden me qenë votë abstrakte, të hudhen dhe të mos dimë çka po votojmë. Ne duhet ta dimë qartë se çka synon Lëvizja Vetëvendosje se kush janë ata anëtarë të qeverisë dhe ajo qeveri që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi ai.

Mustafa shtoi se për këtë çështje nuk mund të japin votë ‘blanco”.

“Duhet ta shohim se çfarë synime ka Lëvizja Vetëvendosje për zgjidhjen e problemeve themelore të Kosovës dhe si do të zgjidhen ato çështje sepse nuk mund të japim votë blanco dhe në qoftë se ne jemi të bindur që të themi, vota jonë i kontribuon kësaj. Atëherë edhe sot kam thënë që këtë do ta votojmë në mënyrë që këtë ta kapërcejmë por kjo është çështje që duhet të vlerësohet, të shihet më tutje, për shkak të asaj që ndodhi në Kuvend”, tha kreu i LDK-së.

Megjithëse ai shtoi se kushte nuk do t’i vënë VV-së.

“Ne kushte nuk do t’ju vëmë, por duhet ta dimë se çfarë do të votojmë. Kush është ajo qeveri që  duhet ta votojë LDK-ja, si qeveri e pakicës, meqë pastaj bie që është qeveri e pakicës dhe a mundet një qeverie  tillë t’i zgjidh problemet e Kosovës. [Procesi i konstituimit të qeverisë] kërkon bashkëpunim reciprok dhe jo njëanshmëri, ajo njëanshmëri na qet në pozicion krejt tjetër”, ka shtuar ai në KTV.

Ky ishte vetëm njëri prej rasteve kur zyrtarë të këtyre subjekteve kanë ndërruar qëndrimet paraprake, lidhur me koalicionin.

Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit, gjendja ndërroi edhe në raportet ndërmjet të dyja partive politike.

Në fund të vitit 2019, liderët e tyre, Albin Kurti e Isa Mustafa komunikonin nga distanca, ndërsa takimeve iu rikthyen në fillim të 2020-s. Por as takimet e fundit mes tyre nuk prodhuan marrëveshje.

Kishte ndërrime të qëndrimeve edhe sa i përket vijave të kuqe. Paraprakisht në kohën kur LDK-ja insistonte ta kishte të drejtën për të propozuar emrin e presidentit të ardhshëm, Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar kategorikisht këtë kërkesë.

“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar postin e Presidentit, ne po insistojmë ta bëjmë qeverinë, e për presidentit kur t’i vjen koha”, ishin shprehur për KALLXO.com nga Zyra për Medie e VV-së.

Por së fundi, Partia e Albin Kurtit ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re.

Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë VV-së e 6 LDK-së.

Edhe për çështjen e Presidentit, VV-ja ka lëshuar dorë.

Sipas propozimit, Zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë LVV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit.

“Formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK”, thuhet në letrën që Albin Kurti ia kishte dërguar Isa Mustafës.

Matematikat për qeveri

Tash, negociatat kanë mbërri në një fazë të re. Kurti nuk e ka pranuar propozimin e LDK-së dhe i ka ftuar ata në një takim të fundit, i cili do të përfundonte vetëm atëherë kur lidhjet marrëveshja e koalicionit.

Aktualisht veç dakordimeve për ministri, LDK-ja po kërkon edhe pozitën e kryeparlamentarit, kurse për VV-në kjo po konsiderohet e papranueshme, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti i ka në dispozicion 2 javë që të arrijë marrëveshje me partitë parlamentare në vend për të krijuar shumicën brenda legjislativit.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në Nenin 95 Kushtetutes së Kosovës.

Kurti kur një ditë më parë në një video-mesazh njoftoi se ka dërguar në Zyrën e Presidentit, emrin e mandatarit, ftoi sërish LDK-në për diskutimet për lidhjen e koalicionit qeverisës. Por gjatë gjithë këtyre zhvillimeve, ka pasur edhe ndërrim të qëndrimeve, në deklarimet për koalicionin.

Këto zgjedhje të parën e nxorën VV-në, për ta renditur të dytën LDK-në, megjithëse mospajtimet mes tyre u shfaqen për pozitën e presidentit të cilën me ngulm po e kërkon partia e Isa Mustafës.