Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey
Mediat cunguan deklarimin e ambasadorit amerikan në Serbi për aksionin e Policisë në veri të Kosovës
Deklarata
“Ambasadori amerikan në Serbi: Po bëjmë presion ndaj Prishtinës për aksionin, të merret përgjegjësi.
… Ai për Novosti ka thënë se SHBA është duke bërë presion ndaj Prishtinës dhe që presin që të merret përgjegjësi! “Jam në kontakt me kolegët në Prishtinë dhe Ambasadorët e QUINT në Beograd. Po bëjmë presion ndaj Prishtinës dhe presim që njerëzit të marrin përgjegjësi për aksione të tilla”, citohet të ketë thënë ai.”
Vlerësimi
Me kos
Në bazë të deklaratës së plotë, shihet se nuk publikuar fare një pjesë e deklarimit të Ambasadorit që ai nuk ka informacione për aksionin që ishte në zhvillim në kohën e përgjigjes. Përveç kësaj, ajo që është transmetuar si deklarim i ambasadorit për aksionin në veri Ambasadori në përgjigjen e tij fol për zhvillimet në përgjithësi. Madje, ai nuk ka thënë se Prishtina duhet të marrë përgjegjësi për aksionin e fundit. Kurse, duke folur për aksionin që ishte në zhvillim, Ambasadori kishte thënë se nuk kishte informacione. “Sa i përket incidentit që ka ndodhur sot ende nuk dimë mjaftueshëm për të për të bërë një gjykim.”
Artikulli
Pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, në veri të Mitrovicës më 13 tetor, mediat serbe publikuan një deklaratë të ambasadorit të ShBA-ve në Serbi, Anthony Godfrey, ku ky i fundit citohej të ketë thënë mes tjerash se “po bëjnë presion mbi Prishtinën” pas zhvillimeve në atë pjesë të vendit.
KALLXO.com ka siguruar deklaratën e plotë të ambasadorit dhënë për një gazetar të medias Vecernje Novosti në Serbi. Në këtë media nuk është arritur të gjendet ndonjë artikull online me deklaratën e ambasadorit.
Përveç disa mediave të tjera në Serbi, si në B92 dhe Tanjug deklarata e ambasadorit Godfrey më pas është përkthyer dhe publikuar edhe në disa media të Kosovës, si në Klan Kosova, Gazeta Metro dhe Sinjali.
Në këto të fundit, deklarata e ambasadorit nuk është cituar e plotë pasi është përkthyer nga mediat serbe të cilat e kishin cunguar deklaratën e Ambasadorit.
Artikujt në mediat serbe dhe vendore të lartpërmendura janë publikuar më 14 tetor 2021, një ditë pas aksionit policor në veri.
Artikulli i publikuar në Klan Kosova kishte titullin, “Ambasadori amerikan në Serbi: Po bëjmë presion ndaj Prishtinës për aksionin, të merret përgjegjësi”
Tutje në artikull thuhet se “Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, është shprehur se aksioni i së mërkurës i Policisë së Kosovës në veri është përcjell me kujdes.”
Tutje artikulli e përfol deklaratën e Ambasadorit dhe më pas është një citat i tij: “Ai për Novosti ka thënë se SHBA është duke bërë presion ndaj Prishtinës dhe që presin që të merret përgjegjësi! “Jam në kontakt me kolegët në Prishtinë dhe Ambasadorët e QUINT në Beograd. Po bëjmë presion ndaj Prishtinës dhe presim që njerëzit të marrin përgjegjësi për aksione të tilla”, citohet të ketë thënë ai. “Ka mundësi që duhet të përdoren për të bërë progres. Çështjet e pazgjidhura gjatë po shtyhen dhe, jo është më keq”
Ndërkaq, KALLXO.com mëson se intervista e ambasadorit është dhënë derisa ngjarjet kanë qenë duke u zhvilluar.
KALLXO.com ka kërkuar nga Ambasada e SHBA-së në Serbi dhe ajo në Kosovë, deklaratën e plotë të ambasadorit Godfrey.
Ambasada e Amerikës në Kosovë, i ka përcjell KALLXO.com transkriptin e deklaratës së plotë të ambasadorit. Në bazë të deklaratës së plotë, shihet se një pjesë e deklarimit të Ambasadorit që ai nuk ka informacione për aksionin që ishte në zhvillim në kohën e përgjigjes nuk është publikuar.
Përveç kësaj, ajo që është transmetuar si deklarim i ambasadorit për aksionin në veri Ambasadori në përgjigjen e tij fol për zhvillimet në përgjithësi. Kurse, duke folur për aksionin që ishte në zhvillim, Ambasadori kishte thënë se nuk kishte informacione.
“Shikoni, nuk i kam të gjitha informatat rreth tij (aksionit) dhe do të mësojmë më shumë me kalimin e kohës. (pauzë) Sa i përket incidentit që ka ndodhur sot ende nuk dimë mjaftueshëm për të për të bërë një gjykim. Mendoj se ekzistojnë mundësitë të cilat ne duhet t’i shfrytëzojmë. Sa më shumë që zgjat kjo para se t’i adresojmë disa nga këto çështje, do të bëhet më keq”, kishte thënë Ambasadori.
KALLXO.com do të publikojë transkriptin e plotë të deklarimit të Ambasadorit për gazetarin e “Vecernje Novosti” në Serbi.
Transkripti
Ambasadori Godfrey (duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit rreth raportimeve për aksionin e policisë në veri): Ne po e përcjellim situatën nga afër… (ndërpritet nga gazetari)
Gazetari nga Vecernje Novosti: Mund të dëgjoni çdo ditë, pse perëndimi nuk ushtron presion më të madh ndaj Prishtinës?
Ambasadori Godfrey: Kështu, mendoj se së pari ne po e përcjellim situatën në Mitrovicën e Veriut nga shumë afër. I kam parë deklaratat e Presidentit Vuçiq, Kryeministres Bërnabiq dhe z. Petkoviq. Jam në kontakt me kolegët e mi në Prishtinë. Jam në kontakt me kolegët e Quint-it këtu në Beograd dhe do të vazhdojmë ta përcjellim atë (situatën, plotësim i redaksisë) nga afër. Por mund të jeni të sigurt se ne ushtrojmë presion të fuqishëm ndaj Prishtinës dhe presim nga njerëzit që të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo është shumë shumë e rëndësishme. (pauzë) Shikoni, nuk i kam të gjitha informatat rreth tij (aksionit) dhe do të mësojmë më shumë me kalimin e kohës. (pauzë) Sa i përket incidentit që ka ndodhur sot ende nuk dimë mjaftueshëm për të për të bërë një gjykim. Mendoj se ekzistojnë mundësitë të cilat ne duhet t’i shfrytëzojmë. Sa më shumë që zgjat kjo para se t’i adresojmë disa nga këto çështje, do të bëhet më keq.