array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Punimet në rrugën që të çon te Ujëvarat e Mirushes, 11 prill 2018, Foto: Komuna e Malishevës

Mbetet në gjysmë rruga që të çon te Ujëvarat e Mirushes

Deklarata

Ragip Begaj: Rruga për në Ujëvarat e Mirushës ka fillu, veç është duke u punuar, besoj që në 6 mujorin e ardhshëm ka me u kry

 

Ragip Begaj

Vlerësimi

Rrenë

Ndërtimi i rrugës që të çon te Ujëvarat e Mirushes ende nuk është përfunduar, përkundër që premtimi ishte që e njëjta të finalizohet në mesin e vitit 2018. Kur kryetari i Malishevës garonte për kryetar nuk kishte thënë se kjo rrugë është duke u rregulluar me bashkëpunim me ministrin, ndërsa tash arsyetohet se me këtë rrugë po merret kjo ministri. Tashmë, kontrata kompanisë i është shkëputur.

Artikulli

Ndërtimi i rrugës që të çon te Ujëvarat e Mirushes ende nuk ka përfunduar, përkundër që janë bërë 20 muaj që kur kanë nisur punimet.

Premtimin për përfundimin e saj brenda 6 mujorit të parë të mandatit të tij (deri në qershor 2018)  e kishte dhënë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Kanë kaluar gati dy vjet që kur ai e ka nisur mandatin e ti, por përfundimi i kësaj rruge nuk duket asgjëkund.

“Rruga për në Ujëvarat e Mirushës ka fillu, veç është duke u punuar, besoj që në 6 mujorin e ardhshëm ka me u kry”, kishte premtuar Begaj në debatin për kryetar të komunës të mbajtur në fund të vitit 2017.

Në shtator të vitit 2018, Kallxo.com kishte dërguar pyetje në adresë së Komunës së Malishevës për të pyetur nëse rruga që të çon te Ujëvarat e Mirushes ka përfunduar. Por atëherë Komuna e Malishevës kishte deklaruar se ajo rrugë ende nuk ka përfunduar dhe se në të ishte duke punuar Ministria e Infrastrukturës.

“Rrugën për në Ujëvarat e Mirushës, është duke e rregulluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe ende nuk ka përfunduar”, potencohet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.

Rreth nëntë muaj që nga përgjigja e fundit e Komunës së Malishevës në lidhje me këtë rrugë, Kallxo.com përsëri i është adresuar kësaj komune për të marrë përgjigje nëse është finalizuar rruga e cila ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2017.

Njëjtë si në shtator të vitit 2018, edhe tani, Komuna e Malishevës ka deklaruar se rruga që të çon te vendi turistik, Ujëvarat e Mirushes vazhdon të mbetet e papërfunduar.

“Jo, [nuk ka përfunduar]”, thuhet në përgjigje.

Kontrata për ndërtimin e kësaj rruge është nënshkruar më 10 tetor 2017. Kompania fituese për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë “Shkoza07”. Vlera e këtij projekti ka qenë 185,713 mijë euro.

Komuna e Malishevës është shprehur se kontrata me kompaninë “Shkoza07” është shkëputur më 20 shkurt 2019, pasi kjo kompani nuk ka përmbushur kërkesat e kontratës.

“Sepse operatori nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës dhe rrjedhimisht, organi mbikëqyrës ka kërkuar ndërprerjen e kontratës. Ndërprerja e kontratës, pas disa vërejtjeve, është bërë me datë 20.02.2019”, potencohet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.

Gjithashtu, Komuna e Malishevës ka thënë për Kallxo.com se përgjegjëse për këtë rrugë është Ministria e Infrastrukturës.

“Rruga është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe përgjegjës për këtë është ministria”, përfundon përgjigja e Komunës së Malishevës.

Por nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës ka thënë për Kallxo.com se nuk është përgjegjëse për këtë projekt pasi ajo vetëm ka qenë bashkëfinancuese.

“Projekti për të cilin keni parashtruar pyetjet, është projekt në të cilin Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është vetëm bashkëfinancuese. Ndërsa sa i përket kompetencave rreth procedurave të më tutjeshme, ato i takojnë komunës së Malishevës, si autoritet kontraktues”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Kallxo.com.

Ministria ka thënë për Kallxo.com se sipas memorandumit, MI ka vetëm përgjegjësinë e financimit dhe me këtë rast edhe mbikëqyrjen e projektit si financues, të tjerat i takojnë plotësisht komunës në fjalë.

“Në vitin 2018 është nënshkruar edhe një aneks memorandum për ndarjen buxhetore, por pjesa e përgjegjësive mbetet e paprekur”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Kallxo.com.

Megjithatë Ministria e Infrastrukturës ka thënë se është e gatshme tu ofrojë ndihmë secilës komunë, kur ato e kërkojnë këtë.

Memorandumin e nënshkruar mes Komunës së Malishevës dhe Ministrisë së Infrastrukturës mund ta lexoni KËTU.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).