Manipulimi i Vuçiqit me fotografi për të mbrojtur terroristët
Deklarata
Aleksandar Vuçiq (24.09.2023) – “Për këtë kanë thënë që është tank i blinduar, që është automjet i xhandarmërisë, pra ta dëgjojnë njerëzit, nuk është kurrfarë automjeti i xhandarmërisë, është diçka që njerëzit tanë në vitet 96,97,98 e kanë përdor dhe janë mbrojtur në atë pjesë, kjo nuk ka lidhje as me polici e as me ushtri, Serbia nuk ka lidhje me këto gënjeshtra dhe më vjen turp të flas për këtë”.
Vlerësimi
Rrenë
Në konferencën për media që e kishte mbajtur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 24 shtatorit 2023, për kamionin e kaltër të vendosur afër urës në Banjskë kishte deklaruar se ajo është prezantuar si “një tank i blinduar, si automjet xhandarmërisë”. Por kjo nuk është e vërtetë. Vuçiq ka manipuluar me fotografi për të mbrojtur terroristët. Kamioni i kaltër është prezantuar si një kamion që është vendosur afër urës në Banjskë. Ndërsa autoblinda me ngjyrë të kaltër, nëpër fotografitë e publikuara në konferencë për media nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shihet se ka qenë e vendosur afër Manastirit në Banjskë. Policia e Kosovës më 24 shtator 2023, ka gjetur në dhe rreth Manastirit të Banjskës, 24 automjete, një mjet i blinduar, dy motorrë dhe armatim, që ishin në pronësi të grupit terrorist.
Artikulli
Në mbrëmjen e 24 shtatorit 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, doli në konferencë për media për të dhënë versionin e tij se çka kishte ndodhur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit që gjendet në Kosovë, në orët e para të mëngjesit të asaj dite.
Në një pjesë të kësaj konference 45-minutëshe, Vuçiq mbajti në dorë një fotografi në të cilën shihet një kamion me ngjyrë të kaltër afër urës në të cilën u vra polici Afrim Bunjaku nga sulmi terrorist në Banjskë. Presidenti Vuçiq duke prezantuar këtë fotografi tha se për kamionin ngjyrë të kaltër është thënë se është tank i blinduar.
“Për këtë kanë thënë që është tank i blinduar, që është automjet i xhandarmërisë, pra ta dëgjojnë njerëzit, nuk është kurrfarë automjeti i xhandarmërisë, është diçka që njerëzit tanë në vitet ‘96, ‘97, ‘98 e kanë përdorë dhe janë mbrojtur në atë pjesë, kjo nuk ka lidhje as me polici e as me ushtri, Serbia nuk ka lidhje me këto gënjeshtra dhe më vjen turp të flas për këtë”– tha Vuçiq (linku i deklaratës me përkthim në gjuhën shqipe nga 08:52/linku i deklaratës në gjuhën serbe fillon nga 09:03).
Por, Krypometri ka gjetur se Vuçiq nuk e ka përdorur fotografinë e automjetit të blinduar kur ka folur për të. Në konferencën e mesditës së 24 shtatorit 2023, kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi pamjet e para që Policia e Kosovës kishte arritur të siguronte të grupit terrorist, të cilët shiheshin në ambientet brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës në Zveçan.
Kur Kurti kishte prezantuar fotografinë me kamionët te ura e Banjskës, ai nuk kishte deklaruar se ajo është autoblindë. Ai kishte thënë se janë dy kamionë, të cilët janë përdorur për të bllokuar urën për qarkullim.
Në një fotografi tjetër, me pamje të ofruar, Kurti kishte shpjeguar se në pjesën e përparme të kamionit ngjyrë të kaltër shihet një person i uniformuar dhe i armatosur.
“Këta janë dy kamionët që janë vendosur tek ura, për të bllokuar qarkullimin. Ju e shihni atje një person të uniformuar i cili mban një armë krahu që nuk është tipike për policinë”– kishte deklaruar Kurti më 24 shkurt, teksa përshkruante fotografinë.
Gjatë konferencës, Kurti kishte prezantuar edhe fotografi të tjera, ndër të tjera edhe ato në të cilat shihet një autoblindë ngjyrë të kaltër e cila ishte në posedim të grupit terrorist dhe ishte vendosur afër Manastirit të Banjskës.
“..të cilët siç shihet përveç xhipave që i kanë, kanë edhe autoblinda aty. Kjo autoblindë nuk është e Policisë së Kosovës”– deklaroi Kurti për autoblindën.
Një ditë pas ngjarjes, më 25 shtator 2023, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dolën në konferencë për media për të prezantuar para publikut atë se çka kishin gjetur në dhe për rreth Manastirit të Banjskës në Zveçan. Në kampin e Policisë “Enver Zymberi” në Mitrovicë të Jugut ishin ekspozuar 24 automjete, një mjet i blinduar dhe armatim e municione, ndër to, minahedhës, zolla, armë të kalibrit të rëndë, mitralozë, etj.
Policia kishte vazhduar edhe më tutje kontrollet në perimetrin e Banjskës dhe kishte gjetur edhe armë e automjete të tjera që i përkisnin grupit terrorist. Rreth dy-tri kilometra nga vendi i ngjarjes, një ditë më vonë, Policia e Kosovës kishte gjetur edhe një automjet tjetër të blinduar, dy vetura dhe një makineri të rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me armatim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për RTK, ka thënë se armatimi i gjetur gjatë bastisjeve në Banjskë të Zveçanit ka qenë për 400 persona.
Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se njëri nga të vrarët ka qenë Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë e njohur si BIA serbe, Aleksandar Vulin.
Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje në të cilat tha se shihet edhe Millan Radoiçiq në Banjskë, si pjesë e grupit terrorist. Pamjet e marra nga droni shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake, ndër ta edhe Radoiçiq. Policia e Kosovës ka njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit, i cili është person i kërkuar nga autoritetet e Kosovës, njëherazi nënkryetar i Listës Serbe.
Më 27 shtator 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq është në Serbi, por nuk është i plagosur.
Më 29 shtator 2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Millan Radoiçiq, e ka pranuar se ka qenë i pranishëm në sulmin e 24 shtatorit 3023. Po ashtu, ai e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, dhe për atë ka thënë se nuk e ka njoftuar askënd.